Dëshmi

June 2, 2022 | 8:35

Shoqëria moderne dhe njeriu brenda saj për të luajtur funksionin e tij shoqëror

 

Që të realizohen rregullat dhe kërkesat demokratike në një shtet, nuk mjafton vetëm mirëfunksionimi i strukturave dhe mekanizmave institucionale, por me patjetër duhet të vendoset një raport i ndërsjellë i shtetasve dhe shoqërisë me shtetin. Një shtet mund të arrijë të demokratizohet në mënyrë të vazhdueshme, në rast se edhe shtetasit e tij e duan dhe tregohen të vullnetshëm që të kontribuojnë në këtë proces.

 

Nga Prof. Assoc.proc.Doc. Dr. I. S. LARTI

0

Shoqëria moderne

Shoqëria moderne, në themel të saj ka normat parimet dhe ligjet e saj, të cilat, ndërtojnë dhe bëjnë të mundur që të funksionojë ajo në mënyrë reale, korrekte dhe frymën e kërkesave të një shoqërie demokratike. Duke filluar nga njohja dhe zbatimi i ligjit, respektimi i mendimit të tjetrit, sa kritik dhe ndryshe. Bërja e kritikës hapur, ndaj kujt do e në çdo kohë. Respektimi i lirive dhe të drejtave të njeriut që ia garanton ligji, sikurse dhe kuptimi dhe angazhimi i të qenit anëtar i shoqërisë demokratike në aspektin sa social dhe human e tej.

 

Funksionin shoqëror i njeriut

Me funksion shoqëror nënkuptojmë punën që kryen individi, me të cilën bëhet element i funksionimit të shoqërisë. Pra në interpretim të këtij përkufizimi mund të themi se: Shoqëria moderne i krijon secilit individ vlerësimin, angazhimin dhe realizimin e solidarësisë. Sigurisht, solidarësinë ndërmjet funksioneve shoqërore të mira, të pranueshme, apo të pritshme në kuptimin e plotë të tërësisë së tyre. Njeriu është i destinuar nga natyra që të jetojë në territorin e një shtet, por edhe shteti, si çdo bashkësi tjetër, është krijuar me një qellim të mirë që t’i shërbejë shtetasit të vet. Pra, shteti ekziston për një qellim të madh që t’i siguroj njeriut të mirën në shkallën më të lartë, d.m.th., jetën e tij të sigurt, liritë dhe të drejtat që ka një shteti i vërtetë demokratik, vlerat morale dhe ato intelektuale tej., dhe pa tjetër që gjithçka të kulmojë me të qenit e njeriut i “lumtur”.

Të vetmet cilësi të vërteta njerëzore dhe vendimtare të njeriut janë:

1.Liria dhe gëzimi i të drejtave, që ia siguron shoqëria

2.Aftësia për t’u përsosur nëpërmjet ndryshimit

3.Si dhe i të qenit sa human dhe social

Njeriu është krijesë që evoluon ndryshon dhe bën progres. Ai përparon duke zhvilluar pa ndërprerë potencialet e tij, intelektuale, profesionale, morale e tej, ku në thelb të tyre, zë vend arsyeja. Në këtë kontekst mund të shprehemi se: pavarësisht nga orientimi profesional që mund të ketë një person, atij nuk mund t`i ngarkohet apo besohet një detyrë specifike pa pasur kreditet intelektuale, profesionale, morale dhe ato sociale..!

Në këto kohë moderne duhen kuptuar hapësirat për të reaguar fuqishëm, ndaj ndryshimeve, si një rregull që duhet pranuar, toleruar dhe nxitur cilin do që me meritë të fitojë “Liçencën profesionale”, “Liçencën morale” dhe “Liçencën sociale”, pra, që secili të marrë atë që meriton e jo t`i dhurohet pa e merituar. Askush nuk ka të drejtën e “kryeustait”, që të fali “Liçenca”, të pa merituara. Ato duhet të fitohen nëpërmjet punës dhe vetëm punës cilësore dhe të suksesshme. Ligjit dhe vetëm ligjit, pa e anashkaluar atë në asnjë rast. Ku vendin kryesor në këtë sens duhet ta zërë dhe figura e pastër morale, që individi të ketë të drejtën morale për të diktuar moral. Formatimin e kësaj perfomance sa reale dhe sa më të plotë e në mënyrë të merituar e ka- vetëm publiku, sigurisht nëpërmjet realizimit të disa parametrave: tolerancës së kulturuar, objektivitetit, legjitimitetit dhe humanizmit, si edhe e të qenit i drejtë, etik dhe “etaloni” më i denjë i aspektit social e tej.

E drejta e mendjes në një shoqëri demokratike

E drejta e mendjes është një detyrë e përhershme e çdo qenieje njerëzore që e quan veten të lirë. Ose duke u shprehur më mirë: E ka të drejtën e mendjes çdo njeri që ndjen ndaj vetvetes-detyrën që t`i përgjigjet kësaj të drejte. Brenda një shoqëri s’mund të kuptohet e drejta pa detyrën. Në një tërësi shoqërore harmonike s’ka të drejtë që të mos kundërpeshohet me një detyrë.

Në këtë kontekst, çdo pjesëtar i shoqërisë e ka të drejtën e mendjes, pra të shprehe arsyetimin, bindjen e tij personale, brenda grupit, apo komunitetit e pse jo dhe përpara gjithë shoqërisë. Një nga simptomat më karakteristike të krizës së sotme shoqërore, që po kalojnë njerëzit, është edhe aktiviteti në fushën ekonomike dhe shoqërore që ka të bëjë me të drejtën e mendjes, që të japë mendime të mira e deri racionale, për ta kuptuar, vlerësuar, parandaluar dhe kaluar krizën. Ku mendja të mos fokusohet vetëm te, pyetjet, kritikat, kërkimi i përgjegjësisë tej., por të pasohen, dhe me analiza, ballafaqime, refleksione dhe rrugët te tjera sa më efikase e sa më afat shkurtra për ta kaluar atë.

Çdo njeri mendon, shprehet dhe përcjell një vendimmarrje, duke pasur një mendje të tijën. Ka njerëz qè thonë dhe nga dy-tre mendje apo mendime që mund të jenë dhe vendimmarrje: duke thënë që zgjidhni e merrni…! Sigurisht alternativa më e saktë është dallueshme, por nga ana tjetër është e vështirë apo e zorshme të gjesh një mendje për të qenë..! Kjo është mëse e vërtetë duke iu referuar përvojave dhe historive të jetës, por edhe studimeve të mjaft, filozofëve, sociologëve, psikologëve e tej. kjo është mjaft e komplikuar dhe sidomos në periudha krizash, të jetës shoqërore, ku vihen re mjaft mendje dhe specialistët me të drejtë e quajnë si një fazë të ç`kurdisjes shoqërore. Në këtë sens shtrojmë pyetjen: a ka të drejtë çdo njeri të ketë një mendje të tijën?

E drejta e shfaqjes së mendjes apo mendimit është postulati dhe shenja e parë e të qenit të njeriut- i lirë. Kjo nga ana tjetër nuk është detyrë që, çdo njeri duhet ta kryejë me pa tjetër dhe sigurisht për këtë ai as ndëshkohet dhe as përbuzet, por dhe nuk i kërkohet llogari..! Por gjithsesi, e drejta e mendjes është një detyrë dhe përgjegjësi morale e çdo njeriu, që e sheh se mendimi apo mendja e tij, mund të kontribuojë, në zhvillimin dhe përparimin si dhe ecjen përpara të shoqërisë. Kjo do të thotë se: çdo njeri është i lire të ketë një mendje, duke e vlerësuar këtë të drejtë me ndjenjën e përgjegjësisë së kësaj mendjeje në interes të shoqërisë. Kur, kjo ndjenjë mungon, e drejta bie poshtë, siç bie edhe disku i peshores kur s’ka një peshë analoge në diskun tjetër, sepse mendja nuk është vetëm një mendim, një ide, një kuptim që kemi formuar vetëm për veten tonë, por ajo sipas vlerës, i shërben një komunitetit pse jo dhe një shoqërie e më gjerë.

Për këtë qëllim duhet edhe mendja, që ajo të bëhet udhëheqëse e rregullt, për të menduar dhe për të vepruar. Sigurisht, një mendje vlerash për të tjerët që ta dëgjojnë e ta ndjekin pas.

Çdo mendje është dëshmia e një të vërtete që del nga eksperienca vetjake e njeriut, por pa tjetër me përmbajtje dhe vlera shoqërore. Vlera dhe fuqia e saj është mjaft kuptimplote. Madje, mendja quhet si një cek që iu jepet të tjerëve që ta thyejnë në një bankë.

Që të japim një çek duhet të kemi kredi në bankë, e cila i rregullon kreditë tona sipas depozitave ose sipas garancisë që kemi dhënë, sepse e drejta e mendjes shumë here ka nevojë edhe për garanci. Përgjithësisht, edhe shoqëria vepron si bankat: e rregullon kredinë e mendjes së çdo njeriu, duke formuar një hierarki. Hierarkia shoqërore, veç të tjerave, do të thotë edhe këtë që: cilët njerëz në shoqëri e kane të drejtën e mendjes më parë dhe cilët e kanë radhën më pas…?! Në këtë kontekst pyetjen e parë do ta shtronim duke thënë se: duke dëgjuar një mendje, do të thoshim: se kush e thotë..? Jo se kush gjendet pas saj dhe as nga rutina, por që të dimë se ç’rëndësi ka ajo..? Një mendje nuk gjykohet vetëm nga shtrimi i problemit apo mendimit, por edhe nga përmbajtja e saj dhe sidomos nga vlerat që ka dhe a ndihmon në zgjidhjen e problemeve sa ekonomike dhe shoqërore?

Kjo mënyrë mundet të mos jetë më e mira, por është me e sigurta, se çdo mendje është si thika me dy presa: mund të shpëtojë, por mund edhe të presë .

Vlerat e një mendjeje mund të jenë dhe frymëzuese të një njeriu qe ndjen ose mban barrën e përgjegjësisë së saj dhe mbrohen nga njerëzit me jetën e tyre, sepse burojnë nga një besim i thellë. Por ka edhe nga ato mendje që barrën e përgjegjësisë se mbajnë dot dhe quhen mendje të gabuara, që nuk përballen dhe s`jetojnë me realitetet, Këto janë gabimet jetike…! Por ka edhe mendje të drejta, te cilat humbasin kot, sepse baballarët e tyre i hedhin në rrugë si djem të gjetur. Të gjithë kanë te drejtë të bëjnë djem; po vlejnë vetëm ata që janë të zotë t’i rrisin djemtë e tyre.

Të gjitha shoqëritë e të gjitha kohërave janë përpjekur të formojnë një hierarki të tillë: që të kenë mendje vetëm ata që janë të atij niveli dhe shkalle që të formojnë një mendje pjellore e të siguritë dhe të mundin që të garantojnë rrjedhimet e saj drejt zhvillimit dhe realizimit të saj.

Në kohët e vjetra shoqëritë i vinin gardhe të drejtës se mendjes, duke marre si kriter: moshën, farefisin, pasurinë, sipas kohës dhe kushteve të jetës. Asnjë nga këto kritere s’ka qenë e përsosur. Të gjithë këto kanë krijuar padrejtësi, sepse siguria që jepnin nuk ishte e plotë. Në shoqëritë e sotme s’ka më të tilla gardhe. Jo se nuk ndihet nevoja e hierarkisë shoqërore, por se këtë hierarki e mbështesin në të çmuarin e vlerës vetjake të çdo njeriu, pa gardhe shoqërore. Është e vërtetë se kriteret e vjetra vazhdojnë pjesërisht dhe sot të formojnë hierarkinë shoqërore… mosha, farefisi, pozita, pasuria… po në shoqërinë e sotme s’qëndrojnë më në këmbë, veç moshës deri në një farë pike. Sot çdo njeri ka të drejtë të ketë një mendje. Por s`duhet harruar se edhe e drejta paguan taksë.

Madje, tani detyra është më e rendë. Në qofte se herën tjetër për shkak të moshës, farefisit, pasurisë, njeriu mund të fliste e të dëgjohej. Ndërsa sot, në shoqërinë e sotme, njeriu më parë e mbi të gjitha duhet të ngrejë lart dhe me duart e veta tribunën ku do qëndrojë që të thotë mendjen e tij. Kështu kuptohet e drejta e mendjes së shëndoshë në shoqërinë e sotme demokratike, ku vlerësohet vlera intelektuale, niveli profesional dhe figura e pastër morale e fokusuar te përgjegjësia e mendjes; duke e shprehur atë hapur, në mënyrë sa më realiste, me përkushtim e ndjenjë të lartë shoqërore, deri diku kjo është e pranueshme, por ngelet akoma shumë për të bërë duke iu referuar vendeve perëndimore më të përparuara .

Çdo mendje a mendim përmban në brendësi kurdoherë: kërkesat, detyrat dhe të drejtat, sikurse dhe interesat, si një rregull shoqëror që të arrijë të bëhet një udhëheqës i denjë shoqëror. Pra, që njeriu të thotë një mendje apo mendim, më parë duhet ta bindë veten me kthjelltësi se e ka këtë të drejtë dhe pastaj t’ua mbushë mendjen të tjerëve t’ia njohin këtë të drejtë. 

Në përfundim të këtij këndvështrimi mund të themi se: çdo njeri ka të drejte të ketë mendjen apo një mendim të vetin, por lipset dhe që duhet të dijë të përpiqet për mendjen e tij, që të jetë sa më i drejtë, sa më i ndershëm, sa më i vërtetë, duke i mbrojtur me vendosmëri dhe “inat”, ato për tu bërë sa më i besueshëm në marrëdhëniet shoqërore.

Pra, mendja duhet venë përmbi jetën e tij, sepse ajo është “ajka” e jetës qe i shërben, vetvetes, familjes, komunitetit ku jeton e punon dhe deri mbarë shoqërisë që i përket.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top