Shëndeti amtar është indikator i rëndësishëm i zhvillimit të një shoqërie dhe nuk prek vetëm nënat, por është një çështje që prek gjithë shoqërinë. Është frymëzuese thënia e Michelle Obama: “Komunitetet dhe shtetet, dhe në fund, edhe gjithë bota janë po aq të fortë sa shëndeti i grave të tyre”.
Shëndeti amtar dhe ai foshnjor është përmirësuar ndjeshëm në shekullin e 21- të, si përgjigje e rritjes së teknologjisë së instrumenteve mjekësore, e investimeve në mjekësi, politikave të qarta shëndetësore në rang global, ndërgjegjësimit më të mirë të popullatës dhe njohjes së patologjive që rrezikojnë jetë. Por fatkeqësisht, shumë gra vijojnë të vdesin ose të vuajnë ndërlikime të rënda gjatë shtatzënisë, çdo vit.
Në vitin 2015, norma e vdekshmërisë amtare (NVA), e cila përcaktohet si numri i vdekjeve amtare për 100 000 lindje të gjalla, ka qenë 216, në rang global. Përkthyer në shifra të tjera: rreth 830 gra vdesin çdo ditë për shkak të komplikacioneve gjatë shtatzënisë ose lindjes. Rritjet në vdekshmërinë amtare janë raportuar në disa shtete me të ardhura shumë të larta, si në Austri, Kanada, Danimarkë, Holandë, Norvegji dhe SHBA. Edhe pse shumë përcaktues të komplikacioneve kërcënuese për jetën e nënës gjatë shtatzënisë ekzistojnë që para fillimit të kësaj shtatzënie dhe numri i vdekjeve në njësitë individuale është i vogël, vdekshmëria amtare shihet si një matëse e ndjeshme e cilësisë së kujdesit shëndetësor.
Po cilat janë shkaqet primare që çojnë në vdekje amtare?
Shkaqet primare të vdekjeve amtare janë hemorragjia (kryesisht gjakderdhja pas lindjes), hipertensioni gjatë shtatzënisë (pre eclampsia dhe eclampsia), sepsis ose infeksione dhe shkaqe indirekte, kryesisht për shkak të një ndërveprimi midis një sëmundjeje ekzistuese dhe shtatzënisë. Në vitet e fundit shohim që vdekshmëria amtare në rang global lidhet edhe me ekstremet e moshës amtare, obezitetin, diferencat sociale, diferencat ndërmjet etnive, aksesit të vonë në kujdesin shëndetësor, fertilizimin in-vitro dhe shtatzëninë multiple. Në vitin 1987, në SHBA, Sistemi i Monitorimit të Riskut të Shtatzënisë (PRAMS), filloi të mbledhë të dhëna nga popullata specifike për sjelljen amtare, eksperiencat dhe shëndetin para, gjatë dhe menjëherë pas lindjes. Ky sistem vëzhgimi ndihmoi në identifikimin e grave dhe foshnjave në risk për probleme shëndetësore, në mënyrë që të monitorohej aksesi ndaj kujdesit dhe shërbimeve, të identifikoheshin ndryshimet në sjellje dhe të matej përparimi në përmirësimin e shëndetit. Kjo bëri që ne, punonjësit shëndetësorë, të kuptojmë problematikat dhe të hartojmë politika të qarta për të ardhmen.
Po si qëndron situata aktuale në Shqipëri?
Sipas të dhënave operative të Ministrisë së Shëndetësisë dhe INSTAT, niveli i vdekshmërisë amtare në Shqipëri ka rënë dyfish në dekadën e fundit. Kështu, ajo u ul nga 22.7 (viti 1990) në 11.8 (viti 2013) dhe 6.8 (viti 2015). Në të njëjtën linjë me përmirësimin e indikatorëve të shëndetit të fëmijëve, sëmundjet amtare kanë pësuar gjithashtu rënie në Shqipëri nga 87 në 18 DALY (Disability-adjusted Life Years) për 100,000 në vitin 1990 dhe 2010. Në vitin 1990, barra e sëmundjeve amtare në Shqipëri ishte më e larta në rajonin e Europës Juglindore (me rreth 85 DALY për 100,000), duke zënë 0.3% të barrës totale të sëmundjeve te femrat. Në vitin 2014, sëmundjet amtare në Shqipëri ishin më të ulëta se në Serbi, Maqedoni dhe Malin e Zi, por më të larta sesa në Kroaci. Pothuajse të gjitha lindjet (99%) në Shqipëri, gjatë viteve 2010-2016, sipas OBSH u asistuan nga punonjës shëndetësorë të kualifikuar. Gjatë kësaj periudhe, 85% e të porsalindurve në Shqipëri kanë kryer një vizitë postnatale brenda dy ditëve nga lindja. Ky është një indikator i rëndësishëm për uljen e vdekshmërisë amtare dhe asaj foshnjore dhe studimet kanë treguar që rritja e aksesit shëndetësor për të gjithë popullatën dhe rritja e cilësisë së shërbimit nga personeli shëndetësor ul ndjeshëm vdekshmërinë amtare dhe atë foshnjore. Sipas INSTAT, në vitin 2001, indeksi sintetik i fekonditetit (ISF) ka qenë 2.3 fëmijë për grua. Në vitet në vazhdim shënohet një rënie e tij. Në vitin 2008, u vu re një rënie e ISF nën nivelin e zëvendësimit, si tregoi anketa e SDSHSH, përkatësisht 1.6 fëmijë për grua. Në vitin 2015, ky indeks vazhdon të mbetet nën 2.1 fëmijë për grua edhe gjatë viteve në vazhdim. Megjithatë, sipas OBSH (shih tabelën 2), përqindja e fertilitetit nga viti 2010 në vitin 2015, te gratë e moshës 15-49 vjeç, në Shqipëri ka rritje. Në raportimin e OBSH-së për vitin 2015, vihet re me gëzim që kemi rritje të GDPsë për frymë popullsie, rritje të investimeve në shëndetësi, rritje të cilësisë së shërbimit dhe kushteve më të mira për mjekët, vihet re ulja e vdekshmërisë amtare dhe ulja e vdekshmërisë foshnjore përreth Në Konferencën Woman Deliver, në vitin 2010, Melinda Gates do të shprehej: “Çdo vit miliona nenonatë vdesin pak ditë ose javë pas lindjes dhe qindra, mijëra gra vdesin gjatë sjelljes së tyre në jetë. Numri i vdekjeve është shumë i madh dhe duke vazhduar për një kohë kaq të gjatë, është e lehtë të mendosh se jemi të pafuqishëm për të bërë diçka për këtë. E vërteta është se mund t’i parandalojmë shumicën e këtyre vdekjeve, me një kosto shumë të ulët, NËSE VEPROJMË TANI”.
Çfarë duhet bërë në mënyrë që ky trend optimist të vazhdojë, në mënyrë që vdekshmëria amtare dhe ajo foshnjore të vazhdojnë të ulen?
Cilësia e dhënies së shërbimit shëndetësor për nënën dhe fëmijët në Shqipëri, janë më mirë sot, se çdo herë tjetër më parë. Ne duhet ta vazhdojmë këtë rend progresiv duke pasur parasysh që investimet në shëndetin dhe mirëqenien e të gjitha grave para, gjatë dhe pas shtatzënisë është një investim për të ardhmen e gjithë shoqërisë. Theksoj që përshpejtimi i kërkuar në reduktimin e vdekshmërisë amtare nuk do të jetë i mundur pa ndërhyrjet klinike dhe jo-klinike, si dhe ndërhyrjet politike. Vazhdimi i politikave të drejta shëndetësore si deri tani, vazhdimi dhe rritja e investimeve shëndetësore, mbulimi mjekësor universal, hartimi i protokolleve të qarta mjekësore për patologjitë e shtatzënisë, edukimi në vazhdim për personelin mjekësor në të gjitha rrethet e Shqipërisë, investime më të shumta në reanimacionin neonatal, do të na ndihmojnë në përmbushjen e qëllimit tonë. Cilësi, barazi dhe dinjitet për shëndetin e grave dhe të fëmijëve është një kërkesë e ligjshme dhe e mundshme nëse ne të gjithë si punonjës shëndetësorë përpiqemi ta arrijmë atë, gjithashtu ndihmohemi nga politika, biznesi dhe shoqëria. Nënat dhe fëmijët tanë e meritojnë.
Burimi: Gazeta Panorama
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.