– “Në Shqipëri ka një përplasje midis së resë dhe së vjetrës: Tirana po bëhet një qytet i hijshëm europian, por politika e vendit mbetet po aq e pisët e tradicionale, sa ç’ka qenë gjithmonë.” – The Economist
Gazeta prestigjioze angleze e përfundon kështu shkrimin e saj, duke dhënë një tablo telegrafike lidhur me atë çfarë realisht po ngjet në Tiranë, dhe nëse do ta shihnim nën një sy panoramik më të gjerë, është ajo çfarë në të vërtetë po ndodh në Shqipëri.
Vendi po shkon drejt një kalendari të vështirë elektoral, ndërsa pret ndoshta të përballet seriozisht edhe me një kaos të paparashikuar në këta muaj të fundit parazgjedhorë. Shqipëria po kalon disa probleme serioze, herë të mefshta prej politikës e herë dorëjashtë prejsaj. Vendi duket i kapur nën një ngërç të hekurt dhe kërcënimet për funde fatale të njërës apo tjetrës palë janë të papranueshme. Divergjencat mes një morie presionesh që çuan në ndërrimin e kabinetit “Rama” nuk i kish parashikuar askush veç disa ‘mendimeve’ që ishin lëshuar në formën e sugjerimeve në ndonjë tryezë prej miqve ndërkombëtarë. Orët që prej Berlinit kur Rama u kthye dhe riformatoi kabinetin e ri, nuk i numëroi njeri se sa ndikueshëm mund të kenë qenë, e po aq edhe vizita e fundit e ish-ministrit të Brendshëm në kryeqytetin gjerman.
Është e vështirë të përshtasësh pushtete në Shqipëri, dhe më keq akoma kur këto hasin mes tyre probleme të vetëvendosjes legjislative të brendshme ndërsa institucionet europiane vazhdojnë të monitorojnë me shumë kujdes lëvizjet e njëpasnjëshme të çdo emri në politikë. Shqipëria ndodhet në një çast vendimtar tranzicioni dhe shpresat që ajo të ndahet nga e kaluara e një bote të vjetër, si u dëgjua të thuhej në një studio televizive dy mbrëmje më parë, në fund të kësaj investiture mbeten plotësisht të justifikueshme. Legjislacioni shqiptar dhe ai europian, janë shumë të ndjeshëm ndaj pavarësisë së pushteteve dhe sidomos ndaj zbatimit të një procesi të pastër dhe refrektar vetingu. Por megjithatë, parimi nuk duhet fetishizuar deri në atë shkallë që të pengohet transparenca brenda vetë pushtetit të akuzës dhe cilitdo pushteti tjetër, nëse është e nevojshme. Duhet të shihen ndaras e drejta e prokurorisë për pavarësi dhe e drejta e kontrollit shtetëror për të penguar korrupsionin brenda vetë pushtetit të së drejtës. Mirëqeverisja dhe transparenca në Shqipëri mbeten probleme të diskutueshme dhe asnjë faktor nuk është ende i përjashtuar nga përgjegjësia dhe detyrimi për të dhënë ndihmesën e vet që këto cilësi vendimtare për një demokraci autentike të arrihen dhe të piqen.
Nëse u referohemi edhe njëherë rreshtave të fundit të The Economist, duket sikur koha ka mbetur aty. Ishte fundviti i 2006-ës dhe fillimi i 2007-ës, kur partitë politike kishin ndezur motorët e një fushate të ashpër elektorale në një betejë që tingëllonte e frikshme për të dyja palët. Atëherë kur Kryeministri i sotëm i Shqipërisë kish vendosur të garonte për herë të tretë në betejën për Tiranën, ndërsa në një nga fjalimet e tij pasionante për atë çfarë e priste u lëshua një slogan që u dëgjua të ishte profetik dhe iluminist për nga përmbajtja; këtu ndahen dy botë, një e re dhe një tjetër e vjetër.
Çfarë duket se nuk ka ndryshuar në këtë artikulim të dytë, si një kumt ulëritës prej të huajve dashamirës kësaj here, nuk është as më pak e as më shumë fakti që betejat mes këtyre dy “botëve” edhe sot pas dhjetë vitesh vazhdojnë. E jo vetëm aq, por ato janë edhe të pista. Kaq hapur këtë epitet me ngjyrim më se negativ s’e kishim dëgjuar ndonjëherë prej të huajve, veç treguesve që ata na kishin treguar në raportet e tyre lidhur me shkallën e lirisë së medias po aq dhe të dhënave të raporteve të tjera.
Shqipëria është një vend që nuk po rresht të gjejë atë që kërkon prej një shekulli: mendësinë europiane, që në thelbin e vet ka ndërrimin e përsëritshëm të elitave politike, promovimin e vijueshëm të brezave të rinj me zotësi qeverisëse; në fund të fundit shmangien e republikave pa një sistem të vërtetë drejtësie me sundimtarë që qeverisin për të zgjatur jetën e tyre duke i shkaktuar popullit vuajtje, shtypje dhe dhunë.
Po cili mund të jetë shkaku i robërisë së njeriut prej një klase sunduesish kaq të panginjur?
‘Balkans’, më pat shprehur dikush dikur, duke i futur të gjithë në një thes mbeturinash në këtë cep të Europës. Unë do të shkoja më larg. Në fakt përgjigjet nuk kanë munguar në kohëra; sipas filozofëve pragmatistë, shkak i robërisë njerëzore janë forcat e pasioneve të errëta. Pasione të cilat bashkojnë një grup njerëzish që nuk janë bashkë vetëm për hir të disa vuajtjeve të përbashkëta, zilive apo urrejtjeve për të njëjtët njerëz, por dhe faktit që lakmojnë të njëjtat gjëra e që kanë të njëjtat ambicie. Kjo është pse të huajt dashamirësisht e quajnë këtë klasë politike me këta njerëz, kaq të pisët. Sepse sipas tyre këto të dhëna nuk tregojnë që ky lloj grupimi/klasë politike dëshiron harmoninë dhe gëzimin e përbashkët të njerëzve, por përkundrazi, në këtë mënyrë si ajo është ndërtuar nxit urrejtjen dhe dëmtimin e ndërsjellë. Të përkosh me njëri-tjetrin në jetën e përditshme dhe problemet e tij, do të thotë të përkosh në fuqi jetësore dhe jo në mohim apo në pasione të errëta pushtetesh. Ky është dallimi filozofik mes gjithë atyre ideologjive të modernitetit të cilat synojnë bashkimin politik të njerëzve nisur nga vuajtje dhe urrejtje të përbashkëta, sikundër e kemi parë në këtë arenë politike tonën. Ka vetëm një rast kur njerëzit përkojnë mes tyre domosdoshmërisht në ideale të mëdha: kur ata jetojnë e punojnë nën drejtimin e arsyes, shpirtit dhe mendjes. Sepse për njerëzit që jetojnë nën drejtimin e arsyes, d.m.th për ndjekësit e virtytit, e mira supreme është e përbashkët për të gjithë dhe i kënaq po të gjithë njësoj.
E shihni? Ka diferencë Shqipëria e sotme politike nisur nga sa thamë më lart. Një Shqipëri ku i vetmi pushtet që del me votë të drejtpërdrejtë nga populli është parlamenti. Dhe ku, për fat të keq, edhe parlamenti është thjesht një çështje sasie, çështje numrash; jo cilësore. Të gjitha pushtetet e tjera dalin me votë indirekte: qeveria doemos, presidenti prej ndryshimeve të fundme kushtetuese, krerët e agjencive kryesore kombëtare, diplomacia. Për të mos thënë se edhe pushteti gjyqësor sot kontrollohet prej votës indirekte.
Ka edhe vende të tjera në botë ku qytetarët nxjerrin me votë vetëm pushtetin parlamentar. Por këta qytetarë kanë një tjetër të drejtë magjike në dorë: referendumin, që qëndron mbi të gjitha pushtetet, mbi të gjitha institucionet, madje edhe mbi Kushtetutën, dhe verifikon e qorton gabimet e qeverisjes, sikundër ndodhi me Renzin në Itali. Por këtë kulturë shteti shqiptar ende nuk e njeh. Ka shumë e më shumë gjasa të mendojmë se sot shteti shqiptar është gjithnjë e më i kontrolluar jo prej kushteve dhe tutelës, por prejstandardeve europiane. Ndaj më kot mundohemi të gjejmë arsyet e vërteta të ngjarjeve të marsit në kabinetin qeveritar, i cili nuk rezultoi dhe aq i mërzitshëm si muaj i parë i një pranvere që duket se do na sjellë shumë surpriza.
Ato janë ca të vërteta prej të cilave objektivisht Shqipëria nuk mund të mbetet peng. Është kaq e thjeshtë; e ardhmja nuk u takon elitave të vjetra, sepse ato po e hanë vetveten, në mos po e kanë ngrënë atë.
Burimi: gsh.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.