Në fokus

November 24, 2018 | 9:26

“Shqiptarët për shqiptarët” / Bëhen me shtëpi, motrat të cilat pas 50 vitesh jetesë në mes të Tiranës, u nxorën jashtë banesës (Video)

“Shqiptarët për shqiptarët” trajtuan këtë të premte historinë e dy motrave Florës dhe Miranda Demit. Jeta e tyre i ngjan jetës beduinë. Valixhet nuk u ndahen. Duken se në çdo moment janë duke udhëtuar edhe pse nuk kanë ku të shkojnë. Jetojnë në rrugën “Abdulla Keta” në Tiranë. Motrat jetojnë në një kasolle të sajuar me plastmasë dhe dërrasa pas shkollës 9 vjeçare “Servete Maçi” në mes të Tiranës.

Dy motrat Demi dikur kishin një shtëpi ku jetonin, por krejt papritur ato ngelën pa çati në kokë. “Kur mendoj se duhet të kthehem në këtë ven, pasi mbaroj punën, rrugën e lajm me lot, se them dikur kisha një ngrohtësi. Ishte dera ime, shtëpia ime, çelësi im. Dikur gjeja nënën, babain, tani gjej shkrumb e hi. Asgjë. Gjej këto leckat përjashta. Nuk më bën zemra të kthehem në lagjen time ku jam rritur”, -thotë njëra nga motrat.

Për shkak të problemeve të koklavitura të pronave, ato kanë mbetur pa shtëpi pasi dikush u ka blerë banesën ku ato jetonin prej 50 vitesh. Këtu do të ndërtohet një pallat, Miranda dhe Flora nuk kanë marrë asnjë kompensim. “Një ditë me vjen komshiu im, atë djalë e kam rritur vetë, edhe më thotë, Flora unë të kam blerë shtëpinë”, -rrëfen Flora e indinjuar.


Që prej 31 korrikut 2018, motrat jetojnë në këtë kasolle, në skamje totale. Kushtet për të jetuar janë të vështira. “Mendojeni njëherë, unë këtu jam rritur në këtë vend, më thanë që nuk do jetoj më në shtëpinë time. Nuk durova dot, më ra ta të fikët përtokë. Kur u ktheva nga urgjenca, gjeta plaçkat e shtëpisë jashtë” thotë Miranda. Dy motrat mbështeten tek komshinjtë të cilët u hapin derën për të mbajtur higjienën personale. Por nata për motrat është një makth. “Kam patur shumë frikë, se mos na vinin zjarrin, se mos përplas dikush makinën kastile”, -thotë e trembur Flora. “Jemi kaq të stresuara, nuk kam dëshirë për të jetuar. Na ka vajtur mendja dhe për të vrarë veten”, thotë Miranda duke lotuar.

Një vizitë e papritur nga njeriu i zemrave, Elvis Naçi i ka lënë pa fjalë motrat Demi. Duke lotuar Flora dhe Miranda panë të hyjë brenda kasolles me plastmasë Elvisi. Një surprizë e bukur kjo që shoqërohet me fjalë zemre dhe përqafime të gjata “Faleminderit shumë për respektin” thonë të emocionuara njëzëri. Ishte një vizitë aq e papritur sa Miranda mezi po i përmbante emocionet. Ato e dinë tashmë, se Elvis Naçi troket vetëm për të dhënë lajme të mira.

“Turp më të madh nuk ka, të jesh në shtëpinë tënde e të përfundosh në këto kushte është e tmerrshme. Nuk kam fjalë për situatën, ju nuk do rrini kurrë këtu”, -thotë Elvisi.

Jashtë Fatma Naçi, bashkëshortja e Elvisit u dhuroi lule duke u sjellë buzëqeshjen. Së bashku shkojnë në një godinë, “Ja këtu do qëndroni, do ta mobilojmë shpejt që të sistemoheni. Do jetoni me dinjitet tani e tutje jo më në atë kasolle”, -u thotë Elvisi Mirandës dhe Florës.

 

Burimi / BalkanWeb

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top