“Të nderuar vëllezër dhe motra. Së bashku po bëjmë vepra shumë të mira, lotët e trishtimit po i kthejmë në lot gëzimi, ëndrrat e njerëzve po i kthejmë në realitet!” Është ky mesazhi falënderues për një mision kaq të veçantë, siç është bamirësia. E në këtë kontekst, njëri nga ideatorët e emisionit “Shqiptarët për shqiptarët”, teologu i njohur Elvis Naçi, thotë se ka përmbushur një nga detyrat e shenjta të njeriut në Tokë, të qenit i dobishëm para Zotit. “Kur jemi të gjithë bashkë kemi mundësi të bëjmë mrekulli dhe mirësi të shumta! T’i mëshirojmë ata që janë në Tokë, të na mëshirojë Ai që është në Qiell”.
Falë bashkëorganizimit me këngëtarin Sidrit Bejleri dhe gazetaren Ola Bruko, ky trinom ka bërë për vete në këtë rrugëtim televiziv mijëra teleshikues anembanë globit, duke përcjellë mesazhe pa fund, por duke krijuar njëherësh një grup të madh njerëzish që u janë përgjigjur vullnetarisht, fizikisht e materialisht shumë familjeve në nevojë, shumë personave me probleme nga më të ndryshmet. Sipari i 19 janarit tregoi për histori dhe drama njerëzore, të cilat do të zgjidheshin në emisionet e radhës.
Një emision i kësaj natyre zbuloi dhe anën tjetër të solistit të TKOB, Sidrit Bejlerit. Ai na dha më shumë se kurrë dimensionin e tij human dhe një anë që pakkush e njeh. “Ftesa e mikut tim, më bëri të kthehem në ekran dhe së bashku me Elvisin do bëjmë vepra të mira. Doja të tregoja si mund të përballohet dhimbja. S’ishte e thjeshtë për t’u kaluar, por me njerëz e kalova. Me mbështetjen e Elvisit kalova atë ngjarje të rëndë”, u shpreh i përlotur këngëtari Bejleri, pas humbjes së bijës së tij Sofia, 19-muajshe”.
Ola Bruko…
Gazetare me përvojë, njëherësh një prej sfidueseve të profesionit të saj në fushën sociale. Është Ola Bruko, e cila përveç gazetarisë dhe moderimit të lajmeve, ka marrë përsipër një tjetër emision që ka në fokus pikërisht njerëzit në nevojë. Dhe këtë herë, edhe ajo ndihet më e plotësuar, duke bërë vërtetë gjënë që ndjen më shumë, të ndihmojë të tjerët.
Formati i ri, ka gjithashtu njerëz në fokus, ashtu sikurse emisioni juaj më parë. Çfarë ju bën të lidheni kaq fort pas kauzave sociale?
Besoj se është familja dhe formimi im akademik që më bëjnë të jem e lidhur kaq shumë me kauzat sociale. Gjyshja ime, e cila më ka rritur, me sa duket më ka injektuar thellë në shpirt dëshirën për t’i ardhur në ndihmë tjetrit. Shembulli im ka qenë ajo, më pas mami. Tek ato kam parë gjithmonë të përpiqeshin për të ndihmuar dikë që kishte nevojë qoftë edhe për t’i ofruar një vakt të ngrohtë. Që e vogël kujtoj ndërkohë, se si përpiqesha me mënyrën time të ndihmoja njerëz dhe se sa shumë trishtohesha kur nuk ia dilja, e kështu mbyllesha në dhomë e qaja. Me kalimin e kohës, kjo ndjenjë u forcua, veçanërisht pas përfundimit të studimeve për shkenca sociale. Veç gazetares jam edhe një punonjëse sociale.
Sa e vështirë është të përballesh me realitete të cilat nuk tregojnë anën e shëndoshë të shoqërisë?
Shoqëri e shëndoshë? Nuk mendoj se jemi e tillë, sepse problemet e mëdha sociale dhe ekonomike e dobësojnë boshtin e shoqërisë. Çdonjëri nga ne e ka një problem, e ka një histori, e ka një brengë. Është e vështirë të përballesh vazhdimisht me histori të tilla. Puna e përditshme na bën të dëgjojmë e të shohim thuajse çdo ditë njerëz me probleme e të dëshpëruar, që kërkojnë ndihmë. Emisioni i ri e ka rritur intensitetin e historive të trishta që shoh e dëgjoj. Jemi gazetarë, por jemi edhe njerëz, e nuk mund t’i shpëtojmë përjetimit dhe nëse mund të quhet e tillë, do thoja se përjetimi është vështirësia ime më e madhe. Historitë që ne trajtojmë në emision, kthehen edhe në biseda të përditshme në familjen time dhe në rrethin e ngushtë shoqëror. Shpesh më lënë pa gjumë ose janë pjesë e ëndrrave të mia!
Cili ka qenë rasti që ju ka përkulur më shumë, ju ka emocionuar?
Rastet janë të shumta, News24 publikon pa fund të tilla, çdo ditë. Ai që më ka mbetur edhe sot në mendje është Kristi Maze që nuk ia doli të jetojë, megjithëse ne u përfshimë duke u përpjekur maksimalisht ta ndihmonim të shpëtonte. Rasti Leos gjithashtu më ka emocionuar shumë. Ndërsa ai që do më mbetet në kujtesë përgjithmonë është baba Hasani nga Gramshi. Lufta e tij e përditshme për t’u kujdesur për dy vajzat e sëmura Sidorela e Aisha i kalon kufijtë e imagjinatës njerëzore. Lum ato vajza që kanë një baba të tillë! Ka njerëz që e kanë babanë gjallë, por s’e kanë pranë, ndaj mendoj që ato vajza janë me fat për babanë e tyre. Ai kishte harruar veten për to.
Sa e lidhur jeni në jetën e përditshme me bamirësinë?
Jam shumë e lidhur me bamirësinë. Unë ndjehem mirë kur të tjerët gëzojnë nga një bamirësi sado e vogël. Jam shumë e lumtur që janë shtuar njerëzit që bëjnë Bamirësi.
Si është të bashkëpunosh me dy figura siç janë Elvis Naçi dhe Sidrit Bejleri?
Gjatë gjithë jetës time kam qenë gjithmonë pranë njerëzve që në një mënyrë ose tjetrën i kanë dhënë një dorë atij që ka pasur nevojë, por të bashkëpunosh me dy figura aq shumë të dashura për publikun siç është Elvis Naçi e Sidrit Bejleri për mua është jo vetëm kënaqësi, por nder. Elvis Naçi ka një zemër të madhe, ajo që shikoni ju në emisionin “Shqiptarët për shqiptarët” është shumë pak në krahasim me numrin e njerëzve që Elvisi ndihmon çdo ditë dhe kjo më ka befasuar. Elvis Naçi është një figurë shumë e dashur për shqiptarët kudo ku ata jetojnë. Sidrit Bejleri pastaj është njeriu që na bën të qeshim pasi kemi qarë. Ka një zemër të madhe gjithashtu dhe humor fantastik. Jam e lumtur shumë që jam krah tyre në këtë mision fisnik që kemi ndërmarrë së bashku.
Sa përkrahje keni gjetur në këtë iniciativë dhe sa ndihmon ajo për të nxitur shoqërinë të fuqizojë rolin e saj kundrejt humanizmit?
Ne jemi vetëm në fillim të misionit tonë fisnik, por më besoni kur ju them se ka një reagim të jashtëzakonshëm nga shumë njerëz me profesione nga më të ndryshmet, të pasur, por edhe të varfër që na kanë përkrahur. Ka nga ata që kanë treguar gatishmëri të dhurojnë edhe një organ të tyre, siç ishte rasti i dy grave shqiptare që u ofruan të dhurojnë veshkën për një shqiptare të Maqedonisë. Kjo tregon shumë. Me gjithë problemet e shumta që kanë shqiptarët kanë treguar se sa humanë janë dhe ky emisionin po e vërteton edhe një herë këtë.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 129
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.