Lajmi për zbulimin historik në lidhje me kancerin e gjirit na gëzon edhe më shumë kur mësojmë se pjesë e tij ka qenë edhe një shkencëtare me origjinë shqiptare. Iris Pauporté ka qenë pjesë e ekipit ndërkombëtar që arritën të zbulojnë një panoramë thuajse perfekte të zhvillimeve gjenetike që shkaktojnë kancer të gjirit. Irisi punon si menaxhere projektesh në Institutin Kombëtar të Kancerit dhe si pedagoge e jashtme në Fakultetin e Mjekësisë, Paris, Diderot. Pas studimeve universitare në UPT – dega biologji (ku meritoi medaljen e artë në vitin 1992), ka vazhduar studimet shkencore në Universitetin e Montpellier (Francë). Ajo mbrojti doktoratën në 1997. Që prej asaj date, ka punuar në menaxhimin e projekteve shkencore në fusha të ndryshme, duke përfshirë kancerologjinë-hematologjinë. Në një intervistë të dhënë për të përditshmen franceze i24news.tv, Iris tregon mbi zbulimin e ri, i cili siç duket premton të ndryshojë fatin e mijëra femrave nëpër botë. Iris ka dhënë një kontribut të madh edhe për mjekësinë në vendin tonë, ku në bashkëpunim me mjekun hematolog Arben Ivanaj, i kanë dhuruar literaturës mjekësore librin me titull: Neoplazitë limfoide.
Burimi: zemrashqiptarit.com
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.