Nga Anisa Xhani (Daci)
Mjekimi mund të kurojë, por fjalët frymëzuese të mjekut të mirë mund të japin forcën për të luftuar. Me urtësinë pogradecare dhe bujarinë dibrane, mjeku Mario Ademaj po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet. Një i ri që ka kuptuar se, përgjegjësia është më e mirë sesa privilegjet.
Deri më tani ka organizuar 3 klinika falas në Shqipëri, 2 në Pogradec dhe 1 në Shkodër, si dhe disa klinika falas për shqiptarët në SHBA.
Filantrop dhe shpresëplotë, Mario Ademaj thekson ndër të tjera, se “NUK KA ILAÇ MË TË FORTË SE KUR E TRAJTON TJETRIN ME RESPEKTIN DHE KUJDESIN QË MERITON SI HUMAN”.
Kush është Mario Ademaj
Në profesion, Mario Ademaj është një mjek shqiptaro-amerikan, që ka si qëllim më të rëndësishëm, rikthimin në Shqipëri për të ndihmuar njerëzit në nevojë. Në jetë, Mario Ademaj është thjesht një njeri që Zoti i ka dhënë fatin të ketë një familje të jashtëzakonshme dhe një komunitet që e ka mbështetur në çdo ëndërr të tij.
INTERVISTA
Përse zgjodhët të studionit mjekësi?
Në fakt, zgjodha mjekësinë pas një fatkeqësie në familje. Babai im luftoi 7 vite kundër kancerit të pankreasit në SHBA. Ne po jetonim “ëndrrën amerikane”, kur babi mori lajmin se do të ndryshonte jetën e të gjithëve. Kjo ndodhi kur kishim vetëm pak vite qëndrimi në Amerikë dhe prindërit ende nuk dinin të flisnin anglishten, ndërsa unë së bashku më motrën e kishim mësuar në shkollë. Si rrjedhojë, familja u ndesh me një situatë të vështirë dhe u desh që unë së bashku me motrën të kontribuonim për familjen, duke studiuan për sistemin mjekësor në Amerikë. Fillova të kontaktoja mjekë në spitale, të lexoja studime shkencore për kimioterapi dhe trajtime të ndryshme dhe shoqëroja babin në çdo vizitë mjekësore. U gjendëm të vetëm në SHBA, pa mbështetje dhe njohuri. Kjo më ekspozoi me degën e mjekësisë. Vura re në sytë e babait adhurimin që kishte ndaj doktorit në çdo vizitë që bënte. Babi pati fatin të kishte një mjek të shkëlqyer në mënyrën se si komunikonte dhe bashkëvepronte me pacientët, dy virtyte që duhet të ketë një person në një degë delikate siç është mjekësia. Të dyja këto virtyte që gëzonte ai mjek, u bënë shumë të rëndësishme për mua për të kuptuar se, çfarë s’duhet dhe duhet të bëjë një mjek me pacientët. Në një situatë me aq dhimbje dhe frikë, siç ishte familja ime, ato doktorë spektakolarë ishin optimistë, na dhanë shpresën që na duhej, duke na ndihmuar që të vijonim një jetë normale. Në fillim babit i thanë se i kishin mbetur vetëm gjashtë muaj jetë, por nga shpresa, optimizmi dhe energjia pozitive, ai vazhdoi të jetonte edhe për 7 vite të tjera, duke thyer “rregullat” e spitalit. Kjo përvojë më bëri që të dashurohesha me mjekësinë, dhe prej atij momenti unë dua që të jem i pranishëm te njerëzit që përjetojnë momente të vështira të jetës, pasi i kam përjetuar vetë. Është e lehtë të kesh njerëz afër në periudha festimi, por rezulton ndryshe kur je në vështirësi.
Prej kaq vitesh në Amerikë ku jetoni dhe punoni, pse jeni me kokën pas në atdhe?
Unë kam mbi 15 vjet në Amerikë, jam rritur në shtetin Wisconsin në Amerikë (afër Chicago), dhe tani kam filluar karrierën në Los Angeles, California. Këto 3 vitet e fundit ua kam dedikuar energjinë dhe pasionin tim shqiptarëve kudo ku gjenden në botë, që nga Amerika, Shqipëria, Maqedoni, Mal të Zi, Kosovë, etj. Babai ma la si amanet të jem pranë njerëzve në nevojë si mjek, dhe atë po bëj dhe do vazhdoj të bëj gjatë jetës gjersa shqiptarët të kenë një opsion në jetë për shëndetin e tyre. Unë jam 100% i bindur që Shqipëria dhe shqiptarët do të kenë një të ardhme të ndritur dhe besoj në potencialin e popullsisë sonë. Shqiptarët meritojnë të kenë shëndetin, që të kenë shansin dhe ata të ndjekin ëndrrat e tyre, ashtu siç unë kam ndjekur pasionin tim për mjekësinë. Shqipëria ka nevoja gjigante, por s’duhet të ndihemi pesimistë. Duhet të fillojmë të ndihmojmë njerëzit tanë. Është detyra e shqiptarit të ndihmojë shqiptarin. Gabimi ynë është se presim nga shtete dhe organizata të tjera për të na ndihmuar, si Europa për shembull, por realiteti është se, çdo njeri tjetër ka interesin e tij, prandaj ka ardhur koha që ne si shqiptarë të ngrihemi në këmbë dhe të ndihmojmë veten!
Prej disa vitesh ju u vini në ndihmë qytetarëve të Shqipërisë me një klinikë falas. A mund thoni çfarë ju ka motivuar dhe nëse e gjeni atë të vështirë në nivel personal?
Motivimi im për organizmin e klinikës falas për shqiptarët, është thjeshtë ajo që shikoj kur kthehem vit pas viti në Shqipëri. Shoh njerëz pa shërbime mjekësore, shoh ilaçe të skaduara, shoh humbje të jetës për arsye që lehtë mund të ndalohen, shoh mungesë të infrastrukturës në sistemin e mjekësisë në Shqipëri. Një sistem që funksionon me korrupsion, pa qenë në faj as mjeku as pacienti, por thjesht një sistem me shumë mungesa dhe jo efikas. Shikoj mesazhet që më vijnë nga shqiptarët në Ballkan dhe situatat e tyre që s’gjejnë dot zgjidhje. Më vjen shumë keq, më vret në zemër, sepse një popull i vuajtur si shqiptarët nuk e meritojnë këtë. Ne të paktën si njerëz meritojmë kujdesin ndaj shëndetit, ose të paktën opsione kur sëmuremi. Nga studimet që kemi publikuar nga informacionet që kemi mbledhur, shqiptarët vuajnë nga tensioni i lartë, diabeti, probleme zemre dhe mushkërive në përqindje jashtëzakonisht të lartë në krahasim me fqinjët tanë në Europë.
Ne jemi një shtet Europian dhe dua që Shqipëria dhe tokat shqiptare në Ballkan të jenë jo vetëm të barabartë me standardin e shëndetësisë evropiane, por të jemi si shembull për këto shtete se si mundet të funksionojë departamenti i shëndetësisë dhe ne, një shtet si Shqipëria me burime të limituara.
Cili është synimi juaj?
Synimi i organizatës “Albanian International Medical Team” është thjesht që t’ju japim shqiptarëve atë që meritojnë si humanë, shëndetin. Qëllimi im është që ta ndihmoj Shqipërinë të rikrijojë sistemin e shëndetësisë në çdo nivel të shtetit, nga qeveria, shëndetësia e publikut, edukimi shëndetësor, deri te spitalet dhe klinikat. Unë imagjinoj një Shqipëri me shërbimet mjekësore në dispozicion për çdo njeri, pavarësisht të ardhurave financiare, ilaçe të paskaduara, mjetet e fundit të teknologjisë mjekësore, mjekë dhe profesionistë të trajnuar me standardin si në çdo shtet të avancuar të botës. Qëllimi është që në çdo zonë të Shqipërisë të ketë një klinikë falas, për t’ju shërbyer njerëzve në nevojë. Thjesht, unë imagjinoj një Shqipëri të shëndetshme. Kur një vend ka një popullsi të shëndetshme, atëherë natyralisht do të vijë edhe suksesi, gëzimi, ekonomia, etj.
Më përshkruani një përvojë të vështirë me një pacient dhe si e keni trajtuar atë?
Një përvojë që më ka mbetur në mendje qëlloi këtë vit te klinika falas e fundit që organizuam në Shkodër. Po punoja brenda klinikës me mjekët e tjerë kur dëgjova një nga vullnetarët duke thirrur emrin tim. Duhej t’i vija në ndihmë një burri të moshuar, që kishte ardhur nga nja fshat i Shkodrës, dhe i kishte rënë të fikët 100 metra larg klinikës sonë. Me mjetet me vete, vrapova dhe fillova testet. Ishte me diabet, por nuk e kishte ndjekur sëmundjen. Veç diabetit kishte edhe tension të lartë. Asnjë ilaç, asnjë check-up me doktorin gjithë këto vite dhe asnjë mundësi financiare për të menaxhuar sëmundjen e tij. Ai rrezikonte atak në zemër, mpiksje të gjakut në tru, dhe ky burrë është vetëm një shembull për një popullsi të tërë. Ne trajtojmë me mijëra njerëz çdo vit falas dhe si ky burrë takojmë me qindra.
Cila është pjesa më e rëndësishme e këshillimit të pacientëve?
Pjesa më e rëndësishme për mua si mjek për pacientet është që ta kuptojnë sa i rëndësishëm është NDALIMI i sëmundjes ne krahasim me trajtimin. Për mua, qëllimi im si mjek është të ndaloj sëmundjen. Prej kësaj, unë shpenzoj të shumtën e konsultimit me pacientin, duke e edukuar për shkaqet e sëmundjeve, si rakia, duhani, stresi, kolesteroli, ushqimi, aktivitetet, ambienti, etj. Shumica e shqiptarëve vdesin nga probleme me zemrën, mushkëritë, veshkat, mëlçia, por këto sëmundjet vijnë nga gjërat që ne mundet të ndryshojmë në jetë para se të na ndodhë sëmundja.
Çfarë të bën të jesh kaq humanist?
Unë, të them të drejtën, çuditem kur njerëzit më shohin si të jashtëzakonshëm ose më krahasojnë me “Nënë Terezën” për punën që po bëj për shqiptarët. Çuditem se unë nuk po bëj diçka ndryshe jashtë detyrës për popullin tonë. Të gjithë kemi qenë midis momenteve të vështira të jetës dhe ajo na bën të kuptojmë, sesa e rëndësishme është të jemi pranë njerëzve kur ata gjenden në këto situata. Unë jam thjesht një mjek që po përdor degën dhe pasionin tim në jetë për të ndihmuar njerëzit e vendit që më ka dhënë mua çdo gjë, që më krenon në jetë. Prindërit më kanë rritur me këtë koncept në jetë “TË JAP NDIHMËN DHË DASHURINË ATY KU KA NEVOJË”. Për mua ndihma më e madhe dhe e rëndësishme që u japim shqiptarëve në klinikat falas nuk janë ilaçet, por është respekti. NUK KA ILAÇ MË TË FORTË Se KUR E TRAJTON TJETRIN ME RESPEKTIN DHE KUJDESIN QË MERITON SI HUMAN.
Një mesazh për shqiptarët?
Thjesht dua që çdo shqiptar brenda ose jashtë Shqipërisë të vazhdojë të jete optimist për të ardhmen! Jemi një shtet me shumë potencial, një komb me shumë krenari, një popullsi me shumë histori, dhe me të bukurën të historisë sonë e kemi përpara! Unë do vazhdoj të bëj atë që kam mundësi në degën time për njerëzit në nevojë, por një njeri s’mundet të ndryshojë botën. Duhet të ngrihemi të gjithë të japim kontributet tona në çdo degë. Unë Shqipërisë i premtoj një të ardhme më të shëndetshme, dhe juve duhet t’i premtoni vetvetes një të ardhme energjike dhe optimiste. Shqiptari është ai që duhet ta ndihmojë shqiptarin.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.