Mirëqenie

February 11, 2020 | 8:03

Shtatzënia, ditari i dy jetëve brenda një trupi

Kur ngjyra apo shenja e testit të shtatzanisë tregon rezultatin, jeta juaj tashmë e ka marrë kthesën. Fëmija kaq shumë i dëshiruar, i papritur (herë-herë ndoshta dhe i padëshiruar), ju dërgon përshëndetjen e parë dhe ju bën me dije se ka ndodhur mrekullia më e madhe e botës: lindja e një jete brenda jetës suaj. Po çfarë ndodh me ju dhe beben tuaj në 40 javët e ardhshme?

1Java 1-4

Periudha e përplasjes së fortë të ndjesive të kundërta: lumturia dhe ëndrrat e bukura ia lënë shpejt vendin pasigurisë për të ardhmen. Guximi dhe optimizmi frenohen sërish nga ankthi dhe dyshimet nëse do të jeni në gjendje të përballoni gjithçka… E gjithë kjo është më se normale. Madje disa herë këto ndjesi janë të domosdoshme për t’u mësuar hap pas hapi dhe për të reflektuar mbi situatën e re.

Java 5-8

Një zemër e vogël fillon të rrahë brenda trupit. Embrioni rritet shpejt dhe gjithçka që ju konsumoni (këtu futen edhe alkooli, duhani apo medikamentet) përfundon brenda një ore në trupin e embrionit. Një sasi e madhe alkooli dhe duhani e konsumuar në këtë periudhë i nënshtrohet principit: “Gjithçka ose asgjë”. Kjo do të thotë se nëse embrioni ka dëmtime të konsiderueshme, atëherë trupi juaj e largon atë duke dështuar. Nëse dëmtimet nga alkooli dhe duhani nuk janë shumë të mëdha, atëherë embrioni zhvillohet më tej. Gjithsesi, nëse nuk ka ndodhur më parë, tani keni arsyen më të fortë për të hequr dorë prej tyre.

Java 9-12

Bebja juaj rritet dhe zhvillohet…, por ndërkohë juve ju kanë pushtuar kërkesa nga më të çuditshmet: papritur pjatat e gatuara me shije nuk janë asgjë përpara kastravecëve turshi apo supave gjysmë të gatshme. Është koha për të ngrënë së pari atë që ju shijon, por edhe për ta hedhur vështrimin te tezgat me fruta dhe perime të freskëta.

Java 13-16

Tani bebja ka filluar të rrotullohet e të bëjë kapërdimje në barkun tuaj, edhe pse më së shumti ju nuk arrini të “kuptoni” asgjë. Por ajo që shihet qartë është rritja e shpejtë e barkut dhe rrumbullakimi i trupit tuaj. Nevojat energjetike rriten (rreth 200-300 kalori në ditë, që do të thotë gati një copë buke) të shoqëruara me një shtim mesatar peshe 1.5 kg deri në 2 kg në muaj.

Java 17-20

Bebja arrin të dëgjojë gjithçka rreth e rrotull. Shpesh mund ta shikoni në eko duke thithur gishtin në gojë… Meqë shqetësimet e muajve të parë janë larguar si me dorë dhe barku nuk ju pengon të lëvizni lirshëm, është koha më e mirë për të bërë një pushim më të gjatë, larg të përditshmes.

2

Java 21-24

Bebja ka filluar tashmë “të kuptojë” se sa bukur është të luash me kordonin umbilikal apo të shtrëngosh grushtet. Ka ardhur momenti i trajnimt të shqisës së të prekurit dhe lidhjeve me trurin. Ndërsa për ju dhe familjen tuaj është koha më e mirë për të ulur pak tempin dhe për të nisur thurjen e planeve për të ardhmen… Por edhe për t’i kushtuar kujdes ndjenjave të fëmijëve ekzistues, për t´i treguar dhe shpjeguar me durim se ç’do të thotë ardhja në jetë e një pjesëtari të ri të familjes dhe për t´u larguar atyre ndjenjat e pasigurisë apo të xhelozisë që i turbullojnë jo pak.

Java 25-28

Tashmë sinjalet që vijnë nga barku janë të dukshme. Ndonjëherë mbi sipërfaqen e barkut tuaj mund të duket edhe gjurma e këmbës apo e dorës së vogël. Por edhe syçkat e vogla kanë filluar të hapen dhe fytyra ka marrë trajtën e plotë. Kontaktet me beben janë tashmë shumë më të fuqishme, duke përfaqësuar hapat e parë të një lidhjeje të gjatë… … Por ka edhe një lloj çorientimi dhe një mungesë e theksuar kujtese është në këtë periudhë një dukuri krejt normale.

Java 29-32

Brenda vetëm 4 javëve bebja mund të dyfishojë peshën e saj. Tashmë të gjitha organet janë pjekur, përveç mushkërive. Për të trajnuar këto të fundit, bebja bën ushtrime frymëmarrjeje duke pasur lemzë të shpeshtë, një sinjal që ju e ndjeni në formën e një regëtime. Ritmet ditore kanë ndryshuar: sapo kërkoni të gjeni pak qetësi e të pushoni, bebja ia nis “shkelmave”. Dhe sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo, një lloj ankthi dhe pasigurie pushton herë pas here mendjen tuaj lidhur me ndryshimet e mëdha që do të vijnë shumë shpejt.

Java 33-36

Bebja rritet shpejt brenda trupit (shton rreth 200 gramë çdo javë) dhe trajnon aparatin tretës, veshkat dhe fshikëzën e urinës duke pirë e duke nxjerrë sërish nga trupi rreth 2 litra lëng amniotik në ditë. Dalëngadalë bebja bëhet gati për “ditën e madhe” duke u rrëshqitur me kokën poshtë më thellë, drejt fundit të barkut tuaj (95 % e rasteve). Ndërsa ju e gjeni shpesh veten të pushtuar nga mendimet se ç’do të ndodhë pas lindjes, për momentin e mrekullueshëm të marrjes në dorë të bebes aq të shumëpritur. Pa e kuptuar, filloni të ecni duke u lëkundur sa majtas-djathtas dhe keni një lloj lehtësie në frymëmarrje…

Java 37-40

Është koha kur më shumë se kurrë e furnizoni beben me antitrupa të rëndësishëm, që do ta ndihmojnë atë në mbrojtjen ndaj infeksioneve. Megjithëse nuk ka shumë vend për të lëvizur, bebja vazhdon të lëpijë me ëndje gishtat, të trajnojë frymë- marrjen apo të kthehet sa majtas-djathtas. Ndërsa juve tashmë ju duket se mund të lëvizni vetëm me shpejtësinë e kërmillit dhe numëroni ditët, orët…

Dhe pikërisht atëherë kur gjithçka është gati, më shumë se kurrë një pyetje ju rreh si çekan në kokë: “A do mundem ta përballoj vërtet lindjen?”. Për këtë të keni besim të plotë! Jo më kot uterusi është muskuli më i fortë në trupin tuaj, madje edhe më i fortë se bicepsi i një boksieri të trajnuar më së miri. Dhe me forcën tuaj të brendshme, dashurinë dhe shpresën, padyshim që do t´i jepni bebes suaj shtysën dhe ndihmesën e duhur për të parë e shëndetshme dritën e diellit të kësaj bote.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top