Mirëqenie

March 28, 2016 | 10:37

Shtatzënia & femra shqiptare

 1DY VIJA ROZË… Nuk u besoj syve. Zbres me vrap shkallët e shtëpisë e drejtohem përsëri te farmacia. Këtë herë marr 3 teste shtatzënie të markave të ndryshme. Blu, blu, + blu. Lot gëzimi rrodhën nëpër faqe. Isha shtatzënë! “Në zemrën time do të rrahë edhe një zemër tjetër”. Kështu e nis tregimin Era, vajza 30-vjeçare, që së shpejti do të bëhet nënë për herë të parë. Era me Andin e kishin planifikuar këtë shtatzëni. Në ditët e sotme, në krahasim me të kaluarën, riprodhimi shpesh është i planifikuar. Kjo tashmë është kthyer në një zgjedhje të vetëdijshme të çifteve. Planifikimi i shtatzënisë bën që çiftet të jenë të informuar. Ata shpenzojnë orë e kohë te specialisti, mbi njohuri të reja që publikojnë revistat, librat studimorë e jo vetëm, faqe elektronike në internet për shtatzëninë. “Kam shfletuar e lexuar me qindra faqe”, thotë Era. Pra, prindërit e ardhshëm, janë të karikuar për pritjen e ëmbël dhe me përgjegjësitë që sjell ajo. Ata kanë krijuar një realitet imagjinar perfekt për këtë sfidë të madhe, kanë programuar edhe sjelljet e tyre. Por…?

Shtatzënia është një ndryshim fizik Duhet të flini? Jo, ju vetëm duhet të bëni një sy gjumë! Duhet të ecni në rrugë me hap të shkujdesur, tërë vetëbesim? Jo. Këmbët e tua nuk kanë asgjë të keqe. Ato janë veç të fryra! (Rruga 10-minutëshe nga shtëpia në qendër të duket një orë). Duhet të veshësh fustanin tënd të preferuar? Jo. Gardëroba jote të thotë s’jam e jotja. Ti ke filluar t’i ngjash një tullumbaceje! Flokët, honjtë, fytyra… 30 min? Jo, veç 10 minuta përpara pasqyrës mjaftojnë! Shpina të dhemb, tensioni i gjakut i ulët, muskujt e barkut të tendosur, nxehtësi, kurse truri yt… Truri yt është kthyer në një arenë “lufte”, një furtunë mendimesh, dyshimesh, frikërash të llojeve të ndryshme. Shtatzënia është një ndryshim i fortë emocional P.sh: Nëna: A do të jem e aftë për rolin e nënës? A do të jem e pëlqyeshme nga partneri? A do të ndryshojë marrëdhënia në çift nga ardhja e fëmijës? A mund të jem nënë dhe grua? A do të jetë e dhimbshme lindja? A do të ketë deformime fizike fëmija? A do të ketë probleme gjenetike? A ka rrezik të abortoj? A do të më pengojë fëmija të bëj punën që bëja? Kjo gjendje ndryshimi fizik dhe emocional përjetohet jo vetëm përgjatë nëntë muajve të shtatzënisë, por edhe në javët e para të lindjes së fëmijës. Ajo njihet në psikologji me emrin “preokupimi kryesor i nënës”. Ajo e lejon nënën të kujdeset për fëmijën duke i ofruar atij krejt natyrshëm përmbajtjen fizike dhe emocionale. Duke u përkujdesur për foshnjën që mbartni në bark, me ose pa qëllim, gruaja arrin një transformim personal. Ky transformim kërkon një rikonfigurim të gruas, që përfshin tërë personalitetin e saj, kërkon ndërtimin e një identiteti të ri. Gruaja duhet të kalojë nga roli i vajzës në atë të nënës. Gruaja rritet, maturohet. Për femrat e viteve më parë, shtatzënia ishte një periudhë e rrezikshme për jetën, si të nënës edhe të fëmijës. Mirëpo ky proces transformimi i tyre ishte më i thjeshtë. Ato ishin veç bashkëshorte dhe nëna. Ato duhej të përkujdeseshin vetëm për ndryshimin e brendisë së tyre, kurse te gruaja e sotme, ky proces është më kompleks. Gruaja esotme, në ndryshim nga femrat e mijëvjeçarit të shkuar, është një grua me status socio-ekonomik. Ajo është rritur në një epokë moderne ku shoqëria dhe burrat e tyre presin që ajo të studiojë, të punojë, të jetë e pavarur, të mbetet në formë të mirë fizike, të jetë e bukur… të jenë mike, të jetë “gruaja multitasting”, të jetë gjithçka! Gruaja e sotme këtë rikonfigurim pritet ta bëjë duke mos cenuar asnjë nga detyrat e mëparshme. Ajo duhet të jetë tani e tutje nënë (të ndryshojë jo vetëm brendinë e saj, siç bënin dhe gratë e viteve më parë), por edhe të ruajë jetën e mëparshme (gruaja që punon, e përkushtuar për veten dhe e angazhuar në shoqëri). Në përpjekje për të realizuar këtë gjë, të qenit nënë, grua, punëtore dhe shtëpiake, jeta e saj bëhet tepër frenetike, një jetë plot sfida dhe sakrifica, ku gjithmonë do të mbetet diçka e pabërë mirë. Tregu i punës gjithashtu nuk e ndihmon gruan shtatzënë. Shumë kompani e shohin shtatzëninë si “rrezik” për shkak të kostos financiare. Frika, ankthi rriten. Në këtë periudhë, nëna dhe foshnja janë më afër se në çdo periudhë tjetër të jetës. Fëmija nuk merr vetëm ushqim nga nëna, por edhe emocionet që ajo jeton. Krijohet lidhja nënë-fëmijë (një marrëdhënie dashurie që vendoset në barkun e nënës që zgjat tërë jetën) dëmtohet nëse gjatë kësaj periudhe ajo “përmbytet” nga ndjenjat negative. Si duhet vepruar? Nuk ka zgjidhje magjike, nuk ka një zgjidhje, që t‘ju tregojë sesi t’i bëni të gjitha për të mos humbur asgjë. Veç mund t’ju them që, të jeni grua edhe nënë, duhet të keni parasysh që secila grua të njohë dhe të pranojë veten (limitet e saj) dhe ta bëjë këtë rikonfigurim në përshtatje me limitet dhe ambientin që e rrethon. Kërko, prano dhe shfrytëzo mbështetjen emocionale dhe fizike që të ofrojnë. Sistemi shëndetësor dhe teknologjia Kujdesi cilësor para lindjes, ka kontribuar në shmangien e vdekshmërisë së nënës ose të fëmijës. Femrat marrin kujdes gjatë periudhës së barrës nga një personel i kualifikuar (mjek, infermierë, mami), teknologjia e përdorur është ajo më e përparuar, legjislacioni i ofron gruas një mbështetje më të madhe se sa vite më parë. Bashkëshorti (nëse familja juaj është e vogël) Roli i babait është shumë i rëndësishëm. Ai mund të jetë një mbështetje e madhe emocionale, por edhe fizike. Babai i sotëm nuk është më figura autoritare e një kohe më parë, i cili shqetësohej vetëm për paratë në shtëpi, ai përfshihet në këtë periudhë. Atë mund ta shohësh tek shoqëron gruan në vizita gjinekologjike, të informohet rreth shtatzënisë, të marrë pjesë gjatë lindjes, të ndërrojë pelenat, të ecë nëpër qytet me karrocë etj. Edhe ligji tashmë është në ndihmë, ku edhe burrat marrin leje lindjeje katër muaj, për t’u përkujdesur për nevojat e fëmijës brenda gjashtë viteve. Nëse je një grua e vetme ose që nuk ke përkrahje nga partneri, atëherë pajto një mami ose një grua të informuar rreth kësaj periudhe, e cila do t’ju ndihmojë si në aktivitetet fizike ashtu edhe me këshilla e informacione të nevojshme sesi ta përballosh këtë periudhë. Familjarët Mbështetja fizike e emocionale nga ana e nënës, vjehrrës, motrës ose ndonjë familjari tjetër, do të jetë një ndihmë mjaft e madhe dhe do të zvogëlojë frikërat apo ankthet.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top