Për shumë shqiptarë shurupi i trëndafilit zgjon ndjesinë e nostalgjisë për kohët e dikurshme, kur ishte një ndër pijet më të veçanta që zonjat e shtëpisë përgatisnin kur trëndafilat çelnin nëpër oborret e shtëpisë, por edhe në natyrë.
Që nga shekulli X e deri në ditët e sotme shurupi i trëndafilit konsiderohet si një ndër tonikët më fantastik jo vetëm për shijen delikate, por edhe për efektet mirëbërëse që petalet e trëndafilit kanë për organizmin dhe bukurinë e jashtme. Nëse e përdorni trëndafilin për aromën e tij, duhet të dini që kjo lule ka efekt qetësues dhe zbutës për trurin.
Petalet e trëndafilit janë përdorur kryesisht në mjekësinë popullore për të detoksifikuar dhe qetësuar gjithë organizmin. Shurupi i trëndafilit ofron qetësi shpirtërore dhe mendore duke luftuar stresin.
Për përgatitjen e shurupit të trëndafilit nevojiten: Petalet e 10 trëndafilave, 250 gr sheqer, 1 litër ujë, lëngu i një gjysmë kokrre limoni.
Përzieni në një tenxhere ujin me petalet e trëndafilave dhe lërini me kapak të mbyllur për 24 orë. Më pas vendosni tenxheren në zjarr, shtoni aty sheqerin dhe pasi sheqeri të jetë tretur plotësisht shtoni lëngun e limonit. Lëreni të ziejë edhe për 5 minuta e më pas lëreni të ftohet dhe ruajeni në kavanoza në frigorifer. Kullojeni para se ta konsumoni.
Vlerat dhe përfitimet që merr shëndeti nga petalet e trëndafilit
Petalet e trëndafilit luftojnë bakteret në mënyrë natyrale duke ndihmuar mirëqenien e lëkurës. Sipas të dhënave, trëndafili përmban sasi të mëdha të vitaminës C, që në vetvete është një antioksidant i fuqishëm. Kjo vitaminë e rëndësishme ju ndihmon të kuroni dëmet e shkaktuara te qelizat e lëkurës, si për shembull nga ekspozimi për një kohë të gjatë në diell. Merrni dy grushte me petale dhe zhytini në 100 ml me ujë. Pas 2 ose 3 orësh, shtypini petalet në ujë, filtrojeni dhe e keni gati për përdorim. Disa studime kanë treguar që uji i trëndafilit ndihmon në parandalimin e djegies nga dielli.
Burimi / gsh.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.