Egli Tako, një nga banoret e formatit Big Brother VIP Albania 4, ka ndarë një histori të fuqishme dhe inspiruese për luftën e saj me depresionin dhe si arriti të rimarrë kontrollin mbi jetën e saj.
Egli kaloi një periudhë të vështirë gjatë vitit të fundit në universitet, ku depresioni kishte filluar t’i merrte pjesën më të madhe të jetës së saj. Egli rrëfeu për betejën me ataket e panikut: “Kisha prekur realisht fundin. Degradova, nuk më ndihmonte terapia”.
Por, ajo nuk e la veten të fundoset në errësirë. Përkundrazi, u bë shembulli i forcës dhe vullnetit për t’u ngritur dhe për të dalë nga ky hendek i thellë emocional.
Nga ana tjetër dhe Gëzim Allushi, i njohur me nofkën Xum, ndau një histori të ngjashme, duke thënë se ka provuar bullizimin e vazhdueshëm për shkak të peshës. “Jam bullizuar për shkak të deformimit tim fizik”.
Pas përvojave dhe vështirësive që kaluan, si Egli dhe Xumi vendosën të nisën një rrugë të re, atë të marrjes me aktivitet fizik. Madje rrëfyen edhe për trajnimin për Fitness Coach, vendime që u bënë pikë kthese për dy banorët. Trajnimi fizik dhe angazhimi në aktivitete sportive u bënë elementët që i ndihmuan ata të dalin nga kthetrat e depresionit. Me ndihmën dhe njohuritë e duhura, banorët pranuan se sporti i ndihmoi ata të forconin trupin dhe mendjen, duke e shndërruar pasionin për fitness në një mjet të fuqishëm për t’u shëruar.
Angazhimi në aktivitetet fizike dhe puna me trupin ndihmon në një ndjenjë të re të kontrollit mbi jetën. Rritja e energjisë, përmirësimi i vetëbesimit dhe përvoja e fituar në këtë fushë iu hapën gjithashtu mundësi të reja për të ndihmuar të tjerët. Me kalimin e kohës, si Egli dhe Xum rrëfyen se zhvilluan një pasion të thellë për të udhëhequr dhe inspiruar të tjerë, duke iu ofruar mundësinë të arrijnë qëllimet e tyre personale dhe fizike.
Për Egli Takon, kjo ka qenë një rrugë e gjatë dhe e vështirë, por gjithashtu e mbushur me arritje dhe transformime. Ajo ka treguar se, pavarësisht vështirësive, ka mundësi të vazhdojmë të luftojmë dhe të gjejmë forcën për të dalë më të fuqishëm se kurrë. Historitë si e Eglit dhe Xumit janë frymëzuese për ata që ndodhen në periudha të vështira, sepse tregojnë se shërimi është i mundur për ata që kanë guximin të nisin një rrugë të re.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.