Faqja Elbasani im ka publikuar një video që dëshmon se tempulli i 14 Marsit, festa e Ditës së Verës, ka qenë dhe mbetet qyteti i Elbasanit.
Zanafillën, “Dita e Verës” e ka në faltoren Zana e Çermenikës, e ndërtuar në rrethinat e qytetit të Elbasanit, e cila ishte perëndesha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës. Sipas gojëdhënës, kjo zanë dilte nga faltorja e vet ditën e 14 marsit. E trashëguar brez pas brezi, kjo festë popullore është një ditë, e cila sot identifikon edhe vetë qytetin e Elbasanit, i njohur në Shqipëri për tradita të veçanta kulturore. Por festa e verës, që kremtohet në qytetin e njohur ndryshe “qyteti në kërthizë të Shqipërisë”, nuk është vetëm për elbasanasit. Shumë miq vijnë nga të gjitha zonat e vendit për të festuar ardhjen e verës, por edhe për të shijuar gatimet karakteristike të kësaj zone, si ballokumet dhe revaninë, të cilat në këtë ditë, sipas vendasve, “goditen” ndryshe nga herët e tjera, gjelin e detit, arrat apo palat e fikut, të cilat tradicionalisht iu dhurohen fëmijëve të vegjël, të cilët janë të parët që bëjnë vizita mbarësie nëpër shtëpitë e të afërmve dhe të fqinjëve.
Të parët tregojnë se një natë para Ditës së Verës, njerëzit mblidheshin më shpejt në shtëpitë e tyre, për të festuar së bashku me të afërmit epilogun e kësaj feste. Zgjimi bëhej në të gdhirë dhe të moshuarit, herët në mëngjes, hapnin derën e shtëpisë për bujari, merrnin shtamën për ta mbushur me ujë të freskët dhe sillnin në shtëpi një plis bari të gjelbëruar, ndërkohë që të rinjtë plehronin portokallet dhe ullinjtë. Dreka e kësaj dite ishte një rit plot humor dhe shijim për të gjithë elbasanasit, të cilët, zakonisht, e kalonin këtë drekë në natyrë, ku organizoheshin lojëra popullore. Në Elbasan festohet edhe nata e verës, nata para ardhjes së saj, me mish, raki, gjel deti, ballokume, ëmbëlsira. Në këtë ditë, elbasanllinjtë urojnë njëri-tjetrin për një jetë sa më të gjatë dhe të lumtur.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.