Stresi dhe jeta e tensionuar mund të shërbejnë si një element ushqyes në një terren të favorshëm për lindjen dhe zhvillimin e kësaj sëmundjeje, por nuk mund të themi që do të mjaftonin për t’i dhënë udhë depresionit në jetën e secilit prej nesh.
Ngjarjet e perceptuara të hidhura, shpeshherë mund të jenë faktor shpërthyes i një depresioni të trashëguar, por shpesh ato janë rastësi të pamundura për t’i shmangur. Sigurisht, kjo nuk duhet ta ndalë qenien njerëzore të vetëmotivohet vazhdimisht, të përndjekë kënaqësinë, duke kërkuar e gjetur strategjitë e duhura për të bërë bashkë ndjesinë me mendimin, të përpiqet të shtojë nivelet e kënaqësisë personale, duke krijuar e ruajtur për perceptimin e e vet një imazh të mirë, të kultivojë marrëdhënie dhe situata që e bëjnë të ndihet mirë, të gjejë mënyrën e tij individuale për t’u përshtatur nëse mundet. Gjithashtu, duhet patjetër të identifikojë te vetja tolerancën.
Nëse individi arrin të gjejë mënyra për t’i shtuar vetes interesa në çdo sferë të jetës, duke besuar e vepruar përkundrejt një rritjeje në progres të vetes e botës rreth tij; nëse arrin t’i falë vetes kritikën e ashpër, është në rrugën e duhur për të ruajtur shëndetin e tij mendor, ndonëse gjithnjë, jashtë shakave të këqija që mund të bëjë fati.
Burimi: TikTak.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.