Marrëdhënie

June 1, 2017 | 11:00

Si ndikojnë prindërit në personalitetin e fëmijës

Psikologe Hipnoterapiste Klinike Pedagoge pranë UET

Psikologe
Hipnoterapiste Klinike
Pedagoge pranë UET

Ekzistojnë disa lloje marrëdhëniesh midis prindërve dhe fëmijëve, të cilat mund t’i ndajmë në kategori të mëdha, por në këndvështrimin më të ngushtë çdo marrëdhënie është e veçantë dhe varet nga kushtet në të cilat krijohet e zhvillohet. Studimet e kohëve të fundit kanë gjetur të paktën katër kategori, ku përshkruhen sjelljet e fëmijëve dhe reagimet e prindërve ndaj këtyre sjelljeve. Mënyra se si i përgjigjet/ reagon një prind fëmijës, ndikon në mënyrën e lidhjes së fëmijës me prindin dhe ndikon se si ky fëmijë do të sillet ndaj të tjerëve kur prindërit nuk janë përreth.

Marrëdhënia e sigurt

Kjo është lidhja më e fortë, sepse fëmija e ndien se mund të varet te prindërit kur ka nevojë për mbështetje, pra e di çfarë të presë. Kjo marrëdhënie nis qëkurse je bebe dhe vazhdon përgjatë rritjes së individit. Prindi i jep mundësi lirie që fëmija t’i bëjë vetë gjërat e veta, por nga ana tjetër ky e ndien sigurinë se prindi nuk do ta lërë në baltë. Sa herë na ka ndodhur edhe ne, si të rritur që jemi, që kur marrim vendime të mëdha ndihemi të sigurt nëse e dimë reagimin e prindërve. Ti nuk ke frikë se do të shkosh në shtëpi dhe do të marrësh rrebeshin e kritikave që i ke dëgjuar që i vogël: Ti nuk di të bësh asgjë; Ti përherë gabon; Ti je i/e papërgjegjshme; Asnjë nga fëmijët e fisit nuk është i tillë; I ke ngjarë racës së nënës/babait tënd…e kështu me radhë, zinxhiri nuk ka fund. Përkundrazi, në këtë lidhje ke mbështetje pozitive: Po nuk e provove, nuk ke si ta dish që do ndodhte në këtë mënyrë; Ti mëson nga çdo situatë; Mëson më shumë nga sfidat se nga fitoret…

• Fëmijët e sigurt luajnë mirë me bashkëmoshatarët kur janë të vegjël, por edhe kur rriten kanë marrëdhënie të mira me shokët/shoqet

•Kur takon prindërit, është i lumtur

 

Si të rriturit mund të ndërtojnë një marrëdhënie të sigurt?

• Të rriturit janë të pranishëm ndaj nevojave të fëmijëve

• Kur fëmija qan, i rrituri reagon me dashuri

• Kur fëmija është i uritur, e ushqen shpejt

• Kur fëmija ka frikë, ai është aty për të treguar kujdes

• Kur fëmija është i lumtur, edhe i rrituri shpreh gëzim

 

Marrëdhënia shmangëse

Kjo kategori nuk është e sigurt. Ata kanë mësuar që të vegjël se nuk kanë çfarë të presin nga prindërit, prandaj duhet të varen te vetja dhe t’i zgjidhin gjërat vetë:

• Fëmijët që shmangen, janë shumë të pavarur

• Ata zakonisht nuk kërkojnë ndihmë, por frustrohen shumë shpejt, mund të kenë vështirësi për të lozur me moshatarët e tyre

• Kafshimi, gjuajtja, shtyrja janë pjesë e fëmijëve, por te fëmijët që shmangen, vihen re më shumë se tek të tjerët. Fëmijët që shmangen nuk krijojnë lidhje të ngushta me ata që u shërbejnë

• Nuk ankohen kur prindërit i lënë vetëm apo me dikë tjetër, por edhe nuk i përshëndesin kur ata rikthehen. Injorimi që u bëjnë prindërve është një mënyrë hakmarrjeje për sjelljen që ata bëjnë ndaj këtyre fëmijëve

• Ata përpiqen që të kujdesen për veten Cilat janë sjelljet që bën një i rritur, që çojnë në këtë lidhje?

• Prindërit reagojnë ndaj kërkesave të fëmijëve pasi ka kaluar pak kohë

• Kur fëmija është i uritur, ushqehet pasi ka pritur për njëfarë kohe

• Kur ky fëmijë është i frikësuar, lihet që të përballet vetë me frikën

• Kur fëmijët janë të lumtur për diçka, prindërit janë krejt indiferentë

• Fëmija mësohet që nuk do ta ndihmojë dikush, prandaj mëson se si të tregojë kujdes për veten. Ka arsye të ndryshme përse prindërit sillen në këtë mënyrë. Ata ose nuk e dinë kur bebi ka nevojë për diçka, ose prindër të tjerë mendojnë se në këtë mënyrë do t’i bëjnë fëmijët më të pavarur.

 

Marrëdhënia ambivalente

Ambivalenca (jo tërësisht e sigurt për diçka) është një mënyrë tjetër që i bën fëmijët të ndihen jo të sigurt. Fëmijët ambivalentë e dinë që disa herë nevojat e tyre do të plotësohen, ndërsa herë të tjera jo. Ata përpiqen të zbulojnë se cilat nga veprimet e tyre kanë tërhequr vëmendjen e prindërve në të shkuarën dhe i përdorin ato gjithmonë e më shumë. Ata janë gjithmonë në kërkim të ndjenjës së sigurisë:

• Fëmijët ambivalentë janë shumë të ngjitur

• Përpiqen të sillen si më të vegjël nga ç’janë dhe të jenë shumë më tepër emocionalë

• Fëmijët ambivalentë zakonisht qajnë, frustrohen lehtë dhe duan të jenë gjithmonë në qendër të vëmendjes, mërziten kur të tjerët nuk u kushtojnë vëmendje. Këta fëmijë u ngjiten të tjerëve për një periudhë të caktuar kohe. Ata e kanë të vështirë t’i lënë prindërit të largohen në fillim të ditës dhe qajnë për një periudhë të gjatë kohe.

Cilat sjellje të prindërve çojnë në këtë lloj kategorie të fëmijëve?

• Kur fëmija qan, disa herë i përgjigjen e herë të tjera jo

• Ushqehen kur ndoshta janë të uritur, por herë të tjera edhe kur nuk janë të uritur

• Kur janë të frikësuar, disa herë mbrohen e disa herë injorohen

• E njëjta gjë kur ata janë të lumtur rreth diçkaje, ose injorohen, ose prindërit reagojnë në një mënyrë që nuk u përshtatet Marrëdhënia e çorganizuar Fëmijët e çorganizuar nuk dinë se çfarë të presin nga prindërit e tyre. Fëmijët e kategorive të tjera kanë një lidhje të organizuar me prindërit, çka do të thotë se ata mësojnë se si ta marrin atë për të cilën kanë nevojë ndoshta edhe në mënyrën jo më të mirë

• Këta fëmijë mund të bëjnë sjellje që nuk kanë kuptim

• Shpesh mund të flasin aq shpejt, saqë ti nuk i kupton çfarë thonë

• Shumë prej tyre e kanë të vështirë të kuptojnë ndjenjat e të tjerëve

• Kur luajnë me lodra/kukulla, bëjnë skena të çuditshme dhe të frikshme. Këta fëmijë janë të vështirë për t’u kuptuar dhe mund të ndryshojnë nga një ditë në tjetrën Cilat janë sjelljet e prindërve?

• Shumë rrallë u përgjigjen nevojave të fëmijës

• Edhe nëse do t’u përgjigjen, sjellja nuk është e përshtatshme

• Fëmijët e çorganizuar vijnë nga familje ku janë neglizhuar ose janë keqtrajtuar

• Ka një mundësi që njëri nga prindërit të ketë vuajtur nga depresioni Nëse shohim këto kategori, kuptojmë shumë shpejt sjelljet e të rriturve, duke kuptuar edhe tonat. Nuk është e lehtë të jesh prind perfekt, por as e pamundur që të jesh pjesë e rritjes së fëmijës që do ndikojë në mirëqenien e tij emocionale më vonë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top