Studim

June 10, 2020 | 8:04

Si ndikojnë zhanret muzikore tek ndjenjat, emocionet dhe lëvizjet tona?

Përgatiti: Qamil Gjyrezi, lektor i psikologjisë aplikative dhe terapisë së artit

Zhanri paraqet nënndarje të gjinisë artistike, i cili përfshin vepra që dallohen nga disa veçori të caktuara të brendisë e të formës. Një zhanër në muzikë është një grup i stileve të muzikës që ka një traditë të përbashkët ose të vlerave të përbashkëta themelore. Ky është kategorizimi i zhanreve kryesore të muzikës: muzika klasike, muzika elektronike, Avant-garde muzika, Blues, Country, Hip-Hop, Rap, Jazz, Muzika latine, New Age, Rhythm & Blues, Rock, Pop, Muzika tradicionale (Folk muzika) etj.

2Muzika ka aftësinë të ndikojë pozitivisht dhe negativisht tek mendja dhe shpirti jonë. Këta janë disa përfundime, se si zhanret dhe rrymat muzikore ndikojnë te psikika, lëvizjet tona dhe kreativiteti jonë.

Këngët Gregoriane (Korali Gregorian) krijojnë një gjendje relaksuese dhe ndikojnë në uljen e stresit. Kjo muzikë është e përshtatshme për studime të qeta dhe meditime.

Muzika e ngadalshme e periudhës së Barokut, (Bach, Handel, Vivaldi, Corelli) krijon një ndjenjë rregulli, stabiliteti dhe ngrohtësie, duke stimuluar psikikën gjatë ambientit të punës dhe të studimit.

Muzika klasike (Moxart, Haydn) përshkohet nga qartësia, eleganca dhe pastërtia. Kjo lloj muzike mund të përmirësojë përqendrimin, kujtesën dhe perceptimin hapësinor.

Muzika romantike (Schubert, Schuman, Cajkovskij, Chopin, Liszt) karakterizohet nga shprehje dhe ndjenja ku shpesh temat paraqesin individualizëm, nacionalizëm dhe misticizëm. Kjo lloj muzike mund të përdoret mjaft mirë për të ngjallur simpati dhe dashuri.

Muzika impresioniste (Debussy, Faure, Ravel) pasqyron dritë atmosferike të gërshetuar me tablo ëndërrimtare. Dëgjimi i kësaj muzike mund të sjellë impulse kreative dhe të krijojë lidhje me të panjohurën.

Muzika Jazz, Blues, Soul, e forma të tjera muzikore të kërcyeshme, të cilat kanë prejardhjen nga trashëgimia afrikane, mund të çojnë drejt frymëzimit, të sjellë gëzim dhe trishtim, mendim të zgjuar dhe ironi duke përforcuar njerëzishmërinë tonë të zakonshme.

Salsa, Rumba, Maranga, Macarena dhe forma të tjera të muzikës amerikano-latine, karakterizohen nga një ritëm i gjallë duke shkaktuar si reagim lëvizjen e gjithë trupit.

Muzika Pop, Country dhe Western mund të na inspiroj në lëvizje të lehta dhe të sjellë ndjenja pozitive.

1

Muzika Rock me përfaqësues Elvis Presley, Rolling Stones ose Michael Jackson mund të zgjoj pasione, të stimuloj lëvizje aktive, të ulë dhimbjen e padëshirueshme nga ambienti rrethues, por nga ana tjetër nëse ne nuk jemi në “humor” për të dëgjuar këtë lloj muzike që çliron kaq shumë energji mund të kemi si rezultat shtrëngime, disharmoni, stres dhe dhimbje në trup.

Muzika vokale dhe ajo “New Age” pa një ritëm dominues zhvillojnë perceptimet tona në kohë dhe hapësirë dhe mund të sjellin një vëmendshmëri më të lartë të gërshetuar me relaksim.

Muzika Heavy Metal, Punk, Rap, dhe Hip-Hop mund të eksitoj sistemin nervor dhe të ndikojë në një sjellje aktive dinamike.

Muzika me karakter religjoz, si Gospel, Psalmet, dhe Spiritualet mund të sjellin ndjenja të thella paqësore shpirtërore. Kjo lloj muzike mund të ndihmoj ndër të tjera dhe për të harruar dhimbjet.

Terapistët muzikorë duke pyetur në një seancë pacientin për preferencat muzikore për një çrregullim të caktuar, mund të përdorin ndikimin e këtyre zhanreve dhe stileve muzikore për përmirësimin e çrregullimeve. Këta zhanre dhe rryma mund të përdoren edhe në vetë-terapi nga individë që kanë një çrregullim psikik dhe fizik.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top