Marrëdhënie

July 7, 2017 | 10:18

Si ndikon sjellja autoritare tek fëmijët

Këto janë përfundimet e një studimi amerikan, sipas të cilit një kontroll i tepruar dhe autoritarizëm në edukimin e fëmijëve, i nxit këta të fundit të mos kenë besim te prindërit dhe rregullat e tyre, kështu nxiten drejt sjelljeve të pahijshme.

Cork, Ireland

Nuk ekzistojnë as patenta dhe as manuale për t’u bërë prind, është një “profesion” që mësohet duke e ushtruar çdo ditë. Por kush ka fëmijë shpesh e pyet veten: “A po bëj gjënë e duhur?”. Një studim i bërë nga një grup psikologësh dhe sociologësh amerikanë të Universitetit “New Hampshire” (UNH) ka provuar t’i përgjigjet pyetjes së mësipërme. Studimi i publikuar në “Journal of Adolescence” është fokusuar kryesisht te ndikimi që stile të ndryshme edukuese kanë mbi probabilitetin që një fëmijë të shndërrohet në një adoleshent mistrec, deri në kriminel. Studiuesit e udhëhequr nga Rick Trinkner, kanë përdorur të dhënat e një studimi te 600 studentë të shkollës së mesme dhe të lartë, “New Hampshire Youth Study”, të mbledhura për 18 muaj, duke nisur që nga fundi i 2007-s. Ai studim fokusohej te faktorët psikologjikë, socialë dhe ligjorë që ndikojnë te kriminaliteti i të miturve.

Studiuesit e UNH kanë analizuar tri stile të ndryshme edukuese: autoritar, të egër dhe të butë për të kuptuar se ç’rol luajnë këto stile mbi vetëvlerësimin e fëmijëve, besimin që ata ushqejnë karshi prindërve dhe ndaj rregullave të vendosura prej këtyre të fundit. Një pyetësor i përgatitur posaçërisht për të rinjtë kishte si qëllim zbulimin e stileve që përdorej nga secili prind. Një pyetësor tjetër verifikonte sa dhe cila prej 25 sjelljeve ishin përdorur nga fëmijët gjashtë muajt e fundit (nga vjedhjet nëpër dyqane, te zënkat mes të rinjve, përdorimi i alkoolit ose drogave).

Prindërit autoritarë kërkojnë dhe ushtrojnë kontroll të fortë mbi fëmijët. Zakonisht vendosin rregulla që nuk diskutohen, por respektohen. Ata nuk kanë pse t’ua shpjegojnë dhe aq më pak të negociojnë me fëmijët. Nuk u kushtojnë rëndësi kërkesave të fëmijëve, por presin vetëm që këta të fundit të binden duke vënë kështu një lloj komunikimi të njëanshëm.

Kjo është mënyra edukuese më e keqe e mundshme, madje nxit rrezikun që fëmija të zhvillojë një pakënaqësi që e çon në izolim dhe më kryesorja që fëmija të mos ketë besim te prindi. Pasojat e mundshme janë: kur fëmija të rritet, do të bëhet një adoleshent problematik, rebel dhe në fund do të priret pas sjelljeve të pahijshme.

Në anën e kundërt të spektrit janë prindërit e butë, gjithnjë gati për t’i dëgjuar fëmijët e tyre dhe për t’i kuptuar kërkesat që kanë. Kjo kategori prindërish vendosin pak rregulla dhe nuk shqetësohen shumë që fëmijët t’i respektojnë. Prindër të tillë “prodhojnë” fëmijë më pak të sigurt në vetvete, që mjaftohen me atë çfarë kanë dhe që kanë më pak vetëkontroll. Pra edhe kjo mënyrë ndryshon nga dy llojet e tjera të edukimit. Fëmijët nuk i konsiderojnë prindërit figura me ndikim të madh, megjithatë nuk janë të prirur për sjellje të këqija.

Në mes qëndrojnë prindërit autoritarë, ata që të gjithë do të donim të ishim. Të kujdesshëm dhe kërkues, dinë të jenë të dashur dhe të hapur ndaj nevojave të fëmijëve. U vënë atyre një sërë rregullash duke u shpjeguar kuptimin dhe duke i diskutuar së bashku me to. Nëse keni bërë një punë të mirë si prind autoritar duhet të keni fëmijë që kënaqen me gjërat që kanë, me një vetëkontroll të mirë dhe tërësi të kënaqur. Fëmijët do dinë ta njohin autoritetin tuaj dhe do të sillen mirë, edhe atëherë kur ju nuk do të jeni aty për t’i kontrolluar, sepse kanë besim se rregullat e vendosura prej jush janë të duhurat.

“Stili që prindërit kanë përdorur për të rritur fëmijët e tyre ka një ndikim të drejtpërdrejtë mbi gjasat që fëmijët i perceptojnë si figura me shumë autoritet”, shpjegon Trinkner. “Adoleshentët që i shohin kështu prindërit e tyre janë më pak të prirur të përfshihen në sjellje të këqija”.

Sipas studiuesit, çelësi i suksesit qëndron te mënyra që adoleshentët të jenë të gatshëm të pranojnë përpjekjet e prindërve të tyre për t’i përgatitur ata për jetën shoqërore dhe si rrjedhojë të ndjekin rregullat që u vendosen. Pra, me fjalë të tjera, fëmijët nuk duhen detyruar, por bindur. Për këtë arsye, ka gjasa që fëmijët e prindërve autoritarë të bëjnë rezistencë dhe t’i përballojnë me dhimbje (dhe respekt) rregullat e vendosura./Kid’s time

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top