Drejtori i North College, John Tapene, në Zelandën e Re, gjeti një mënyrë të drejtpërdrejtë të komunikonte me të rinjtë e vendit të tij, teksa iu drejtua atyre që të hiqnin dorë nga argëtimet pa kuptim, nga kërkesa pa fund ndaj prindërve dhe të tjerëve, dhe t’i kthejnë sytë nga guximi i hapave të tyre për të ecur vetë në jetë, nëse duan një jetë apo një shoqëri më të mirë.
Një thirrje e tij sjell në vëmendje një çështje madhore për të gjitha shoqëritë, teksa gjendemi përballë një shkërmoqjeje marrëdhëniesh mes brezash.
Por, në fakt, a i inkurajojmë ne sot të rinjtë që të guxojnë në jetë të gjejnë vetë rrugën e tyre drejt një të ardhmeje të moralshme dhe me virtyte? A jemi të shqetësuar se me çfarë merren ata? A jemi sot në gjendje të flasim hapur për atë çka i shqetëson dhe për mënyrën se si duhet ta shohin jetën?
A jemi sot në gjendje të mbajmë marrëdhëniet e lidhura mes brezave? Po të shohim lajmet, po të ndjekim shqetësimet e mësuesve, kuptojmë shpejt se thuajse të gjithë duket se jemi dorëzuar nga pak nga kërkesat e pafundme nga ana e fëmijëve për veshje, për pajisje elektronike, për udhëtime, për teka pa fund, pra për gjithçka materiale. Në nxitim të përditshmërisë sonë, shumë pak u flasim atyre për jetën tonë të mëparshme. U kërkojmë shumë pak të komunikojnë me gjyshërit, e aq më pak edhe me fqinjët. “Shko në shtëpi, laj dritaret, mëso të gatuash, ndërto diçka, gjej një punë, vizito një të sëmurë, bëj detyrat e shkollës dhe pasi t’i kesh mbaruar, lexo një libër.Vendi yt nuk detyrohet të të sigurojë ambiente çlodhëse dhe as prindërit nuk e kanë për detyrë vetëm të të argëtojnë. Bota nuk të detyrohet asgjë, duhet ta fitosh vetë jetën. Ti i detyrohesh botës diçka”, shprehej Tapene, duke ngritur disa nga çështjet që tashmë janë të përbotshme.
Por kjo çështje e ngritur nga neozelandezi Tapene, si njeriu që kontakton çdo ditë me nxënësit, prej kohësh është ngritur edhe nga psikologë dhe filozofë. Kështu, neuropsikologu i famshëm grek, Nikos Sideris, në librin e tij lidhur me komunikimin me fëmijët, vë në plan të parë komunikimin që duhet të bëjnë prindërit dhe jo psikologët.
Sipas Sideris, janë prindërit ata që duhet t’u tregojnë fëmijëve atë që mundet dhe atë që nuk mundet apo që nuk duhet ta kenë, si dhe të jenë gjykues ndaj asaj që shfaqin fëmijët në përditshmërinë e tyre.
“Është e dëmshme për vetë fëmijën, nëse imagjinata e tyre do të diktojë qëndrimin e prindërve”, shprehet Sideris, duke kërkuar nga prindërit që bashkëbisedimin me fëmijët e tyre ta shikojnë edhe si një bashkëbisedim me veten, si një rritje tjetër. Sideris vë re në librin e tij, duke iu referuar përvojës si psikolog, se shumë prindër nuk janë të qartë kur u thonë fëmijëve “Mos!”, ose “Jo!”, duke inkurajuar dyzimin. Ndërkaq, filozofi spanjoll Fernando Savater sugjeron që t’u mësojmë fëmijëve se pasojat që vijnë nga liria për të vepruar nuk mund të mohohen apo zhduken sipas qejfit. Sipas Savater, Liria nuk është për të pasur çdo gjë, por për të pranuar pasojat në të mirë apo në të keq, në varësi të asaj që na ka ndodhur apo që nuk arritëm të bënim. Ky moskomunikim ka bërë që prindërit dhe fëmijët e sotëm të mos diskutojnë asgjë, madje as ato gjëra, të cilat i prekin çdo ditë apo do t’i prekin në të ardhmen, sidomos kur të jenë në pleqërinë e tyre.
Ishin të paktë ata që reaguan teksa në një emision disa ditë më parë në “News 24”, në emisionin “Me zemër të hapur”, një person bënte thirrje që dikush t’i merrte përsipër për të mbajtur vjehrrën, pasi tre djemtë e saj nuk pranonin më ta mbanin në emër të varfërisë që i kishte pllakosur. Madje, në mes të emisionit u fut në linjë edhe një nga mbesat, që ishte nxënëse shkolle, duke pohuar se pas pesë vitesh që e kishin mbajtur, prindërit e saj nuk mund të përballonin shpenzimet për gjyshen e saj. Një rast i tillë duhej të ishte një alarm për të gjithë. Jo për faktin se kjo braktisje ndodh për herë të parë dhe jo se këto gjëra nuk ndodhin edhe në botë.
As për faktin se duke marrë atë nënë përsipër mund të përfundojnë të gjitha hallet e saj apo të fëmijëve të saj. Por gjithkush duhej të ishte ndierë më i varfër atë ditë, pasi bashkë me atë nënë, ka mbetur pa zemrën e fëmijëve edhe një pjesë e jona. Natyrisht, ajo grua sot mund të jetë duke ngrenë nga mirëbërës të tjerë. Por, në fakt, zemra e saj ka vdekur nga mosprania e fëmijëve, nga pafuqia e tyre për të përballur jetën me zemrën e nënës pranë. Një rast i tillë është i domosdoshëm të debatohet, të jetë pjesë e temave në shkolla, duke marrë përsipër gjykimin e rreptë që të mos u lëmë fëmijëve t’i mendojnë si normale situata të tilla.
Të paktën, ne kemi detyrë t’i inkurajojmë fëmijët që të guxojnë të gjejnë rrugën e tyre, duke marrë përsipër detyrimet e tyre për një jetë dinjitoze. T’u mësojmë se të gabosh është njerëzore, por që të kërkosh falje është edhe më njerëzore. T’u mësojmë se udhëkryqet në jetë merren kur ke një dorë pranë, kur mundesh që të shohësh tjetrin në sy, dhe kur e kupton që je pjesë e një shoqërie ku ke detyrimet e tua për ta bërë më të mirë. E sidomos t’u themi se, jeta pa dorën drejt tjetrit rrezikon të ketë pasojë vetëm vetminë dhe zhgënjimin.
Burimi:http://www.panorama.com.al
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.