Posta

September 26, 2019 | 8:15

Posta nga Denata Toçe / Si ta kaloj vetminë?

Jam e papunë. Kam ndryshuar vendbanim edhe pse kundër vullnetit tim. Ka tre muaj që kam ardhur në një qytet ku kam kaluar fëmijërinë. Jam rikthyer në vendlindje pas 11 vitesh jetesë. Atje kam mbaruar provimet e masterit. Në profesion jam juriste. Jam 26 vjeçe, por pa punë dhe pa vullnet. Këtu në qytetin ku jam rikthyer, bëra dy aplikime dhe as në intervistë nuk u ftova. Më duket se nuk e gjej dot veten dhe vetmia më ka mbyllur sytë. Më ndihmoni si ta kaloj këtë? E.

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Përgjigjje: Arritja e qëllimeve finale që ne i vendosim vetvetes janë shumë të rëndësishme për të operacionalizuar motivacionin tonë. Hapat që ndërmarrim për të arritur qëllimin në fjalë, janë kyçi i realizimit të tij. Shpeshherë ne gjykohemi ose më mirë, vetëgjykohemi për qëllimet që i vendosim vetes dhe për hapat që ndërmarrim, pa patur një shpjegim të “ndershëm” mbi atë se çfarë funksionon dhe çfarë NUK funksionon. Me gjithë këtë dua të them se në situatën tuaj, që i ngjason situatave ku shumë prej nesh ndjehen të dështuar dhe të vetmuar nga dështimet, së pari, do të duhet të vlerësojmë situatën aktuale që kemi.

Do të duhet që të mirëmendojmë, edhe pse në mënyrë gati skematike, çfarë ka ndodhur me veprimet që kemi ndërmarrë, ndërsa kemi qenë në përpjekje për të realizuar qëllimin final. Nëse do të dëshironit të jeni një notar i suksesshëm, hapat që do të duhet të ndërmerrni do duhet të jenë të lidhura ngushtë me disiplinën që ofron ky sport, praktika dhe pjesëmarrja nëpër aktivitete kompetitive.

Së dyti, do të duhet të vlerësoni qëllimin tuaj se sa realist është ai në lidhje me rrethanat. Gjithashtu, kjo gjë është e lidhur ngushtë edhe me objektivat. Nëse doni të bëheni notar i suksesshëm, por fiziku juaj nuk i përmbush kushtet, atëherë qëllimi juaj final është në rrisk. Me këtë dua të them se është e rëndësishme të rishqyrtoni së pari, qëllimin tuaj final dhe objektivitetin ndaj tij.

Së treti, përcaktimi i hapave konkretë të jenë në funksion të këtij qëllimi. Nëse jeni e interesuar për të arritur të punësoheni si juriste në qytetin tuaj, vlerësoni pritshmëritë sipas terrenit. Çfarë mundësish ka që ju të punësoheni menjëherë si juriste dhe në çfarë profili? Cilat janë hapat që mund të çojnë në realizimin e këtij qëllimi? Mos ndoshta duhet të krijoni disa hapa gradualë dhe më objektivë? Edhe pse ju keni mbaruar masterin, dhe jam e sigurt që ia keni dalë mjaft mirë, vlerësoni tregun dhe rrugëtimin drejt këtij qëllimi, eksperiencën që do të duhet të përfitoni paraprakisht.

Gjithashtu, motivimin dhe vullneti juaj do të mund të ridimensionohet kur të vendosni objektiva (hapa) të vegjël dhe të realizueshëm dhe jo hapa që janë më të mëdhenj se ç’mund të “vrapohet”, pasi do të rrëzoheni shpejt dhe kësisoj të dekurajoheni shpejt.tristeza2

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top