Para se të njihemi me problemet e ereksionit, është e rëndësishme të flasim për fiziologjinë. Ereksioni mashkullor është një ngjarje komplekse neuro-vaskulare, e drejtuar nga faktorë psikologjikë dhe hormonalë. Në radhë të parë, mashkullit i nevojitet INTEGRITETI ANATOMIK, pra, nuk duhet të shfaqë probleme në rrugët nervore, në aparatin kardiovaskular dhe në kavernosa. Terminologjia e çrregullimit erektiv përdoret për mosaftësinë e përsëritur për të arritur dhe mbajtur një ereksion të mjaftueshëm për të kryer një raport seksual.
Statistikat tregojnë se 52% e meshkujve nga mosha 40 deri 70 vjeç shfaqin vështirësi minimale, të pjesshme dhe totale të mbajtjes së ereksionit gjatë një raporti. Anamneza mjekësore e D.E fillon nga fiziologjia si: mënyra e jetesës, sjellja seksuale rutinë; patologjitë si: diabeti, dizendokrinitë, sëmundjet neurologjike, hipertensioni, kardiopatitë, ndërhyrjet kirurgjikale në zonën gjenitale-pelvike; farmakologjia si: anti-depresivët, ansiolitikët, anti-androgjenët; specifika si: zgjatja e disfunksionit, prania e ereksioneve në mëngjes, mungesë mbajtjeje të ereksionit. Shkaqet e disfunksionit janë: ndryshimet anatomike, sëmundjet sistemike, problematikat vaskulare, marrja e ilaçeve, problemet hormonale, problemet neurologjike dhe problemet psikologjike. Ndër faktorët psikologjikë që ndikojnë drejtpëdrejtë në ekuilibrin erektiv mund të renditim tre më të rëndësishmit: ankthi, stresi kronik dhe depresioni. Këta janë quajtur si armiqtë e ereksionit. Pra, përtej aspekteve biologjike, shumë meshkuj vuajnë nga një çrregullim që e ka bazën në psikogjene, disa faktorë ndërpersonalë dhe relaksionalë, të cilët ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë.
• Depresioni ndikon tek ereksioni, duke ulur dëshirën seksuale dhe pulsionin erotik. Ai ndikon te ritmet e fjetjes, ndryshon sjelljet personale dhe ndërpersonale.
• Ankthi ndikon gjithashtu, duke e bërë të vështirë përkujdesjen ndaj ndjesive eksituese te mashkulli, sepse është bërë një spektator ose gjykatës i performancës seksuale që ai po kryen. Në vend që të shijojë marrëdhënien, mashkulli përjeton ankthin e kritikës. Kjo vështirësi nuk lejon mbajtjen e ereksionit, sepse mashkulli nuk është në kontakt me ndjenjën erotike dhe përkeqëson kështu përpjekjet në marrëdhëniet e ardhshme. Kjo situatë psikologjike ndikon në lëshimin e adrenalinës, e cila çliron shumë gjak dhe paralizon ereksionin.
• Puna e rëndomtë, sporti i tepërt, dietat e gjata, sëmundjet kronike, zënkat në çift krijojnë stres kronik. Statusi konstant i stresit ul nivelin e dëshirës, sepse individi është gjatë gjithë kohës në ndjesi hiperkontrolli, duke shkaktuar ulje të testosteronit dhe gjithashtu problematika të ereksionit. Pra, shkaqet janë të shumta dhe zgjidhja nuk mund të jetë përshkrimi i vetëm i ilaçeve vasoaktive si: Viagra, Cialis apo Levitra, edhe sepse ato ndihmojnë nga 56% deri në 83% kur shkaku është biologjik, por jo kur arsyet janë psikologjike. Ndërhyrjet përmes terapive seksologjike (të bëra nga psikoseksologët) përmbajnë: TEKNIKA ÇLODHJEJE si: trajtim autogjen, yoga, ndihmojnë për kontrollin emocional dhe ndikojnë në përmirësimin e ndjesive fizike të eksitimit.
TERAPITË REHABILITUESESJELLORE: për të ndryshur perceptimin e skemës trupore, uljen e hipertonit dhe ngurtësisë muskulare, për të mbajtur në kujdesje zonën gjenitale dhe për të rritur ndjesinë e muskujve pelvikë. Terapia përmban ushtrime sensoriale specifike (në zonën gjenitale, riedukim i rifleksit orgazmik, masazhe, ushtrime me partneren).
TERAPIA KONJITIVE: për të ndryshuar kuptimin e përvojës negative, të ndihmojë mashkullin për të ndryshuar faktorët e vulnerabilitetit. Çrregullimi erektiv është një problematikë e pranishme edhe te meshkujt e moshës 20-30 vjeç dhe në të shumtën e rasteve, arsyet janë të lidhura me përvojat e para seksuale. Nëse mashkulli nuk ndihmohet të kuptojë rëndësinë e vetëkontrollit erektiv, situata mund të përkeqësohet dhe të kthehet në patologji. Aktualisht në Shqipëri konsumi i viagrës prek në përqindje marramendase, sepse nuk ekzistojnë specialistë të terapisë seksuale. Rruga më e thjeshtë është diagnoza biologjike. Në këtë mënyrë rrezikohet të mos ndihmohen qindra e qindra meshkuj, duke lënë çifte të tëra të mos kënaqen seksualisht apo të kenë konflikte të stërzgjatura. D.E është një problematikë, e cila ndikon në intimitetin e çiftit dhe krijon kriza, sidomos në periudhën që përkon me menopauzën te femrat. Shumë çifte të moshës 50-55 vjeçe më kërkojnë ndihmë për çrregullimet erektive. Terapia seksuale është e vetmja alternativë në gjendje të ndihmojë çiftin edhe për uljen e konfliktit dhe mosmarrëveshjet në marrëdhënien në çift.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.