Simptomat e para janë përfolja sistematike nga mediat e vlerave vulgare të asaj pjese të popullsisë që është parazite dhe ushqehet historikisht nga taksat e të gjithëve. Gjithnjë e më shumë gazetat dhe televizionet ndalojnë në rastet e mjerimit të përzgjedhura nga ata vetë. Grupe njerëzish që nuk kanë kryer kurrë asnjë detyrim karshi vetes, siç është arsimimi, qoftë dhe ai i ulët, pastërtia, rregulli, etika sociale, keqpërdoruesit e çdo shansi për punësim që i jep shteti, në mënyrë që të rrojnë me personalitet në shoqëri. Këta nuk bëhen rastësiht qendra e vëmendjes mediatike. Propagandimi i një mjerimi gjithmonë ekzistues, bëhet nga ata që duan pushtet o sot o kurrë. A thua se erdhi fundi i botës që kjo shtresë parazite e shoqërise po vuan. Edhe kur sistemi politik ka qenë barbarisht i barabartë për të gjithë, se dihet që jo të gjithë kemi aftësi të njëjta dhe jo të gjithë i shërbejnë të mirës masive në një shoqëri si mjeku, avokati, noteri, inxhinjeri, artisti, sportisti, etj., ata po janë ankuar e zvarritur. Është e turpshme të shikosh impenjimin e kandidatëve politikë në fushata elektorale që përpiqen të krijojnë imazh ndjesor publik me familje, që si të vijë ai në pushtet si jo, ata e kanë “kulturë” këtë lloj jetese.
Këshilltarët e sotshëm si juridikë dhe ata aparencialë të poltikanëve janë tmerrësisht larg realitetit dhe më pa nivel nga ata që ka njohur koha. Synojnë në krijimin e një figure politike që garanton angazhimin me mjerimin dhe fare me ecurinë e kombit. As që u propozojnë takime me shtresa fisnike të kombit si teknokratët, por vetëm me biznesmenë, të cilët dihet që shfrytëzojnë pasuritë kombëtare për interes personal, duke paguar minimumin e shfrytëzimit të tyre në shtet, ndërkohë që konsumatori i thjeshtë paguan qimet e kokës për më të natyrshmem e civilizimit: korent, ujë, rrugë komunikacioni. Pra mospërqendrimi i qëllimshëm te shtresa e mesme, që është inteligjenca e kombit paralajmëron! Dëshpërimi i shtresës që tërheq lokomotivën e ekonomisë, por ka në dorë çelësat e kashtës se shteti ia blen shërbimet e shtrenjta shumë lirë dhe e mban peng elektoral, ështe rreziku real i përmbysjes së një shoqërie. Njerëz të dëshpëruar me logjikë dhe ide, të cilët shkarazi dhe me qëllim në këto situata ulin nivelin e cilësisë së shërbimeve, që ofrojnë si në shtet ashtu edhe në privat. Atëherë ky zemërim si domino ndjehet menjëherë në shtresat e varfra. Ankesat fillojnë breshër. Sharje, fyerje, ofendime për pushtetin dhe pushtetarët. Kur fillon kjo situatë asgjë nuk e shmang më daljen e trenit nga shinat. Shoqëritë nuk kanë vetëm njerëz që duan të hanë dhe të vegjetojnë, por kryesisht kanë njerëz që aspirojnë të mirëpërdorin këtë dhuratë të shtrenjtë që quhet Jetë. Pra, arrijmë në konkluzionin se një nga arsyet bazë të emigrimit, të këtij fenomeni fatal kombëtar nuk janë aq arsyet biologjike si uria dhe varfëria. Arsyeja kryesore është gjunjëzimi psikologjik dhe shpirtëror i pjesës ndjesore të popullit, mëkëmbja e vlerave të arta të tij. Shoqëritë nuk duhet të harrojnë kurrë të respektojnë duarartët e kombit, atë të thjeshtin profesor, doktor, mësuesen e shkollës, muzikantin, infermieren e lagjes, farmacistin e qetë, rrobaqepësen që arnon varfëritë krenare, pra teknikun e shtetit dhe artizanatët e vyer. Këto janë dy kategori njerëzish me vlera të pallogaritshme për ekzistencën e kombit. Nëse ju lini në harresë totale këto dy kategori, mërgimi i tyre nga dëshpërimi është i pashmangshëm dhe populli do katandiset të ketë tri kategori mbikëqyrësish: të eturit për pushtet, ata që marrin vetë ligjin në dorë dhe kategorinë klasike neveritëse të prostitutave, që pushtojnë komandimin publik nga organet mediatike. Po patë shumë lakuriqosje, shumë tanga dhe përçmim publik të figurës femërore, që është pasqyra e një shoqërie, po dëgjuat dhimbshëm fjalor rruge publikisht, koha është të plotësoni aplikacione emigrimi se e Mira vuan dhe do që të fitojë kërcënimin e shfarosjes duke sjellë tronditje shoqërore. Emigrimi nuk është një fenomen kaq historik dhe politik siç e përshkruajnë, sepse pas hemoragjisë kombëtare fillon pazari i jetës së këtyre bashkëkombasve mes qeverive. Mallkimi i ikjes nga atdheu, emigrantin e ndjek deri në varr dhe le të ketë lënë pas mrekullira profesionale. Nga jeta, emigrantët ikin si të panjohurit e mëdhenj. Pas stabilizimit individual të emigrantit, që mos o Zot të vëmë në dyshim edhe këtë vlerë të tyren, fillojnë kompromiset ndërshtetërore, të cilat ndërkercënojnë me interesa politike dhe ekonomike në emër të këtyre njerëzve heronj, të cilët patën guximin të thyejnë ëndrra dhe dëshira në atdhe, të ikin nga sytë këmbët dhe mos ngrenë kurrë më kokën nga puna e përditshme. Shteti i tyre mburret me këtë ekzistencë njerëzore në shtetin e huaj, ndonëse e masakroi vetë me uri e shpërfillje këtë pjesë të popullit dhe ushtron presione diplomatike po në emër të tyre. Nëse raportet me shtetin pritës dhe adheun e emigrantit janë jo të mira, mjerë emigrantët çfarë haraçi jete do paguajë sërish! Kjo është një temë e gjerë, e thellë dhe e dhimbshme, që nuk analizohet me dy fjalë. Si reziston dhe zhvillohet në Dhé të huaj një homogjeni juaj që lindi plot ëndrra e dëshira si ju, duke shkuar ashtu me syçka të palara dikur në të njëjtin kopsht me ju?! Do jua tregoja me gjithë shpirt unë Nila, por nuk figuroj edhe pas 25-së vjetëve emigrim në asnjë defter regjistrues të shtetit tim, të atdheut tim, të popullit tim dhe kam frikë mos akuzohem për mosnjohje situatash. Çudi, por realitet. Ju që më lexuat jeni populli apo shteti im?! Mrekullia vetë, kushdo qofshi. Kush mund të më qerasë mua një ditë, në gjithë këtë jetën time tashmë të ngrysur si bashkëatdhetare me ju, vetëm një “gotë naftë” nga pasuritë e atdheut tim?! Unë do shuaj etjen e ekzistencës time të luhatur dhe do t’i fal veten time të shkruar si dhe të drejtën të mburret me emigrimin tim pas vdekjes time.
“Pyeta Zotin a ka shpresë? Çelën lulebajamet”.(Nikos Kazantzakis)
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.