Ndiheni të stresuar në punë? Gjithkujt prej nesh i ka ndodhur të jetë i stresuar në punë. Faktorët për një gjendje të tillë mund të jenë të shumtë, një klient shumë kërkues, vonesat në mbylljen e një projekti, përfundimi i një projekti në një afat të shkurtër dhe mbi të gjitha të punuarit nën presion, etj.
Për disa të tjerë, stresi krijohet nga mbingarkesa në punë dhe pamundësia për ta përfunduar atë në afatet e përcaktuara.
Sipas disa studimeve të fundit të kryera në Britani, personat të cilët kanë probleme të ndryshme shëndetësore janë njëkohësisht edhe personat të cilët janë më të predispozuar për të qenë të stresuar. Kjo gjë vjen sepse për shkak të problemeve të ndryshme shëndetësore që ata kanë, i duhet që të mungojnë dhe të mos jenë prezent në punë, gjë kjo që i bën ata që të mos kenë kontroll të plotë në punën e tyre, duke i shkaktuar edhe më shumë stres.
Ekzistojnë edhe raste kur stresi ndikon pozitivisht tek ne. Në situata të caktuara, ai ndikon tek ne, duke na rritur profesionalisht dhe duke na bërë të ndihemi më aktivë. Kjo gjen vërtetësi edhe në periudhat e kaluara historike, si p.sh. në mesjetë, ku ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm. Kur paraardhësit tanë ndiheshin të kërcënuar, trupi i tyre përgatitej dhe vihej menjëherë në mbrojtje. Hormone të tilla si adrenalina dhe glukotridi prodhoheshin me shumicë duke rritur rrahjet e zemrës dhe duke dërguar gjakun në duar dhe në këmbë dhe mbi të gjitha, duke rritur nivelin e energjisë.
Edhe pse në kohët moderne, mundësitë për të jetuar sa më mirë dhe me kushte shumë komode nuk kanë të krahasuar me periudhat e mëparshme, ne gjithsesi përjetojmë stres, dhe madje disa persona janë të stresuar gjatë gjithë kohës. Nëse në mesjetë njerëzit stresoheshin sepse duhet të gjenin ushqim për të jetuar, në ditët e sotme ne stresohemi për faktorë të tillë si: pagesa e faturave të ndryshme, politikat e ndjekura në punë, etj. Por diferenca me të kaluarën është sepse strese të tilla duket sikur nuk kanë të mbaruar dhe zgjasin pafundësisht.
Më poshtë do të gjeni disa këshilla si të ndiheni më pak të stresuar në punë:
- Luani: Gjeni mënyra për të qenë sa më pak të stresuar. Bëni ushtrime të ndryshme dhe mbi të gjitha meditoni. Sillni ndër mend ato gjëra që ju bëjnë të ndiheni mirë dhe nuk ju shkaktojnë stres. Edhe pse mund të jetë herët, ju mund të mendoni për pushimet tuaja verore apo për organizimin e ndonjë feste familjare.
- Ndiqni ëndrrat tuaja: Është vërtetuar shkencërisht që stresi që mund të keni në punë të jetë rezultat i atij të akumuluar edhe gjatë kohës kur ju nuk jeni duke punuar. Prandaj këshillohet që ju të ndiqni ëndrrat dhe pas pune të merreni me ato gjëra që ju bëjnë të ndiheni sa më mirë. Do ta shikoni që ditën tjetër do të jeni më energjikë dhe do t’i shikoni gjërat më me pozitivitet.
- Përcaktoni faktorët që ju stresojnë: Edhe mënyra sesi ne e perceptojmë dhe mendojmë në lidhje me stresin ka shumë rëndësi, sepse jo në të gjitha rastet stresi është i keq. Sipas disa të dhënave të fundit, nëse ne e shikojmë stresin si një faktor i cili do të ndikojë në përgatitjen tonë për të qenë më të suksesshëm dhe për t’i bërë ballë sfidave të ndryshme, atëherë ne shmangim edhe shumë pasoja negative që mund të kishte stresi në shëndetin tonë.
- Socializimi: Një prej faktorëve kryesorë që ndikon në rritjen e nivelit të stresit në punë, janë marrëdhëniet jo të mira me kolegët e punës. Prandaj këshillohet që ju të krijoni marrëdhënie sa më të mira dhe mbi të gjitha t’i njihni kolegët tuaj edhe jashtë ambienteve të punës. Aktivitetet sociale të tilla si: një lojë tenisi apo një kafe pas pune do t’ju ndihmonin për t’i njohur ata edhe në një këndvështrim tjetër./Monitor
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.