Pushimet verore janë të nevojshme jo vetëm për të rriturit, për t’u shkëputur psikologjikisht nga ngarkesat ditore, por edhe për fëmijët. Pas një periudhe të gjatë dhe të ngarkuar me shkollën dhe mësimet, ato ndikojnë pozitivisht pasi është diçka ndryshe nga rutina e tyre e përditshme.
Përgjithësisht pushimet kanë ndikim tepër pozitiv në spektrin emocional të fëmijës dhe të prindërve, pasi jo vetëm fuqizohet marrëdhënia ndërmjet tyre, por edhe vëmendja e koha që u jepet fëmijëve, i bën të ndihen mirë emocionalisht. Diell, det dhe lojëra. Këto do të ishin pushimet ideale për fëmijët, të cilët prej vetëm disa javësh kanë mbyllur sezonin shkollor. Për të larguar stresin e përditshëm dhe ngarkesat e vitit, shumë prindër kanë nisur organizimin e pushimeve, prenotime si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Në disa raste, resortet e mëdha me oferta për familjarët janë ndër më të preferuarat, të tjera mundësi, disa ditë pushimi në mal.
Çfarë sugjerojnë psikologët, sa e këshillueshme është dhënia e hapësirës dhe lirisë për të bërë çfarë ata duan, duke mos iu nënshtruar asnjë lloj programimi, aktiviteti, sporti apo argëtimi në kohën e lirë?
Studime të shumta kanë arritur në përfundimin se pushimet jo vetëm ndikojnë pozitivisht në fushën emocionale, por rrisin edhe vetëvlerësimin e fëmijës. Mendoj se liria nuk nënkupton atë që fëmija duhet të bëjë apo çfarë dëshiron, por një prind duhet t’i tregojë limitet, duke përdorur teknika të disiplinimit pozitiv. Aktivitetet janë pjesë e rëndësishme e pushimeve. Sa më shumë lojëra, aq më e bukur është fëmijëria. Rëndësia e pushimeve verore tek fëmijët bart dhe ndikimin emocional. Ajo qetëson prindërit, të cilët në pamundësi për të bërë pushime verore në det apo mal, i kalojnë pushimet në shtëpi. Jo domosdoshmërish deti apo shpenzimet janë të vlefshme. Sa më shumë kohë të kaloni me fëmijët, është pushimi më i mirë që ju mund t’i rezervoni vetes dhe fëmijës tuaj. Kjo sjell një marrëdhënie cilësore me fëmijën dhe nxit edhe më shumë lidhjen e ngushtë prindërore si dhe afërsinë shpirtërore që gjatë vitit fëmijës i mungon për shkak të impenjimit të prindërve në punë. Me sy dhe intuitë, ata kuptojnë se si prindërit i bëjnë gatimet me atë kujdesin e pushimit apo ngrohtësinë që të sjell një ditë pushimi në shtëpi, ku e gjithë familja është e mbledhur në tryezë. Pushimet shumë herë ngjallin një besim tek fëmija dhe sërish një gjendje edhe më të shëndetshme shpirtërore.
Cilat janë aktivitetet e këshillueshme për ta?
• Shoqërimi me fëmijët e tjerë dhe krijimi hapësirave të nevojshme që fëmija të luajë.
• Lojërat e ndryshme me ta, duke u përfshirë edhe prindërit.
• Improvizimi i lojërave të ndryshme është tepër efikas në marrëdhënien me fëmijët. Sa më shumë prindi qëndron dhe e kalon kohën me fëmijën, aq më shumë favorizon gjendjen dhe zhvillimin intelektual të fëmijës. Normalisht prindërimi nuk ka nevojë për të pasur një axhendë më vete dhe që çdo prind është vetëorganizues e po aq harmonik me mundësitë që ka për të kënaqur fëmijët.
Si mund të kalohen pushimet verore në kushtet e shtëpisë?
Një zgjim i vonë i kënaq gjithnjë fëmijët, dhe për aq ditë pushimi, ata shijojnë pushimet dhe e harrojnë atë zgjimin korrekt për të shkuar në shkollë, kopsht apo çerdhe, atë zile zgjimi që shpesh i dembelos fëmijët duke i bërë qaramanë.
• Librat verorë të pushimeve janë sërish një argëtim për fëmijët, sepse shkëputen nga rregullat strikte të mësimeve dhe kohës që u duhet për t’iu përkushtuar shkollës.
• Lojërat me fëmijët fqinjë dhe organizimi i tyre në kushtet e shtëpisë, i nxit fëmijët. Sa më shumë shoqërim mes tyre i bën ata edhe më të pavarur, të zotë në ambientin rrethues.
• Organizimi i pasditeve të prindërve me fëmijët dhe planifikimi i orëve së bashku, i bën edhe me të bashkuar e të kënaqur në shoqërinë e njëri-tjetrit.
• Sporti në mënyrë të ndryshme në shtëpi dhe programe që fëmija i pëlqen.
Muajt e verës janë një sfidë e madhe. Prindërit në përgjithësi tregojnë se u duhet të mendojnë se çfarë do të bëjnë për fëmijën kur ata janë në punë. Nëse nuk i mban gjyshja, alternativat e tjera janë më të kushtueshme. Disa fëmijë e kanë argëtim të shkojnë me pushime tek të afërmit, por ka edhe nga ata që janë të vetëm e detyrohen të qëndrojnë në shtëpi. Është për të ardhur keq që brezi i fëmijëve të sotëm, ndryshe nga ai i para viteve ’90, nuk kanë fatin të shijojnë atë periudhë që shoqëria ishte unike, e plotë dhe argëtuese në çdo orë të ditës. Asnjëherë nuk ndiheshe vetëm, përkundrazi ishin si një familje e madhe. Qëndronim sa në shtëpinë e njërit e sa në të tjetrit, ndanin çdo gjë bashkë. Shumë fëmijë i duan pushimet sipas moshës së tyre dhe integrimit që familjet e tyre kanë. Një fëmijë 12 vjeç pushimet i do aktive, plot argëtim dhe sigurisht i mezi pret ato bashkë me kohën e prindërve që asnjëherë nuk dihet se kur do ta kenë apo ta marrin të plotë fizikisht. Fëmijët 1-4 vjeç ende i gëzohen kohës së lirë në krahët e nënës dhe babait për çdo lëvizje që ata bëjnë. Për shumë fëmijë, pushimet janë të ndryshme me mënyrat e kërkesat e tyre, por e bukura qëndron që bota e tyre është plot ëndrra, dëshira por dhe shumë përgjegjësi, vullnet, kurajë, ekonomi dhe shumë sakrificë prindërore, që secili ta argëtojë fëmijën në kushtet ku gjendet.
Botuar në revistën Psikologjia, nr.110
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.