Pas përfundimit të një cikli 3-mujor trajnimesh me ekspertë vendas e të huaj, Mccain Insitute Arizona State University ka finalizuar me sukses edicionin e tretë të programit “Lidershipi i udhëhequr nga karakteri”.
Dael Dervishi, nga McCain Institute, duke referuar para studentëve
Në fund të tij, studentë nga universitete të ndryshme të vendit, përfshirë edhe universitetin “Luarasi”, kanë marrë certifikata për pjesëmarrjen aktive në program.
I udhëhequr nga Instituti Mccain, një grup të rinjsh plot me energji pozitive, gjatë trajnimeve “Lidershipi i udhëhequr nga karakteri”, në “Luarasi” sollën ide interesante me synim përqasjen ndaj një fryme të re për Shqipërinë. Në përfundim të ciklit të trajnimeve, anëtari i Institutit Mccain, Dael Dervishi, e vlerësoi bashkëpunimin dhe mbështetjen nga “Luarasi” si esenciale për suksesin e programit. “Ishte një eksperiencë fantastike. Mësova shumë gjëra nga ju. Shpresoj që edhe ju të keni mësuar nga ky program. Falënderoj shumë universitetin ‘Luarasi’ dhe rektorin që na ka mbështetur. Ka qenë një partner shumë i domosdoshëm për suksesin e këtij programi”.
Të pranishëm në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave ishin edhe rektori i “Luarasit”, prof. dr. Ethem Ruka; kryetari i Bordit të Administrimit, Dashnor Dervishi, si dhe administratori i universitetit, Kino Buxheli. Ruka e vlerësoi programin si një iniciativë të mrekullueshme dhe uroi që studentët që përfituan ta kthejnë në një përvojë jetësore.
“‘Lidershipi i udhëhequr nga karakteri’ është një iniciativë amerikane që Daeli e bëri të mundur edhe në Shqipëri, njësoj si në vende të tjera të botës. Uroj që kjo përvojë të mos mbetet thjesht një certifikatë, por të kthehet në një aktivitet praktik sepse secili prej nesh është i zoti të bëjë një gjë të vogël. Dhe gjërat e vogla duke u bërë bashkë bëjnë gjëra të mëdha të domosdoshme për komunitetin, për lidershipin. Dhe ne kemi shumë nevojë, veçanërisht në këtë klimë që po kalon vendi e veçanërisht në gjeneratat e reja që shpesh nuk e gjejnë veten. Por ja që dhe këtu ekzistojnë mundësi dhe ju duhet të bëheni promotorë të këtij ndryshimi”. Studentët e vlerësojnë këtë cikël trajnimesh në Mccain si një ndër eksperiencat më të mira që i ka lidhur më shumë me komunitetin ku jetojnë dhe i ka mësuar vlerat mbi lidershipin.
“Ishte një eksperiencë vitale të njihja gjithë këta të rinj këtu me një vizion mbi lidershipin dhe të ardhmen e shoqërisë shqiptare. U transmetua një nga vlerat më të mira amerikane: si të jesh një lider i mirë”, shprehet njëri prej të rinjve që përfitoi nga ky program. Ndërsa të tjerë vlerësojnë së tepërmi mënyrën e trajtimit të tematikave që u sollën në “Luarasi”. “Në këtë trajnim kam njohur njerëz të shkëlqyer si në jetë, por dhe në mënyrën sesi komunikojnë. Kam mësuar gjëra shumë speciale. Janë tema që thuhen çdo ditë, por rrallëherë trajtohen në mënyrë esenciale”. Programi ka për qëllim krijimin e një kulturë të re në përgatitjen e liderëve të brezave të ardhshëm, të cilët identifikohen nga karakteri i tyre, angazhimi për të shërbyer në një kauzë më të madhe se vetja, aty ku ka më shumë nevojë shoqëria.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.