10 mendime të Maria Montessori-t për të edukuar fëmijët me shumë dashuri dhe vetëdije
Maria Montessori ishte edukatore, pedagoge, filozofe, mjeke dhe shkencëtare italiane. Ishte e para femër që u diplomua në universitetin e Romës. Pasuria e mendimit dhe e botës së saj të edukimit, përfaqësojnë ende dhe sot një model të rëndësishëm për t’u ndjekur. Mesazhet që kishin mësimet e saj janë të thjeshta, por të fuqishme. Po ju propozojmë dhjetë pika, për të reflektuar dhe që do të jenë padyshim të nevojshme.
1. “Edukimi është një proces natyral që merret nga fëmija, nuk është përfitohet nga dëgjimi i fjalëve, por nëpërmjet përvojave të fëmijës në ambient. Ambienti duhet të jetë i pasur me motive interesante që përmbajnë aktivitet brenda dhe që e ftojnë fëmijën të bëjë përvojat e veta”.
Fjalët mund të harrohen, ose edhe të mos dëgjohen. Ajo që mëson më së shumti është shembulli praktik, një ambient ku të bëhen përvoja konkrete.
2. “Kur dora përsoset në një punë të zgjedhur spontanisht, dhe lind vullneti për t’ia dalë mbanë, për të kaluar një pengesë, dija pasurohet me diçka krejt ndryshe nga një njohuri e thjeshtë: është vetëdija për vlerat personale”.
Kjo gjë e lejon një fëmijë të eksperimentojë, të provojë, të gabojë e t’ia nisë sërish nga e para, do të thotë që ai do të bëhet i vetëdijshëm për aftësitë e veta, do t’i mësojë këmbënguljen, të mos dorëzohet.
3. “Është e nevojshme që të rriturit të përpiqen të fitojnë një inteligjencë ndaj nevojave fëmijërore dhe të dijë të frenojë krenarinë”.
Është e nevojshme që ta respektojmë fëmijën, duke e lënë të shprehë natyrën dhe prirjet e veta. Nuk duhet të jetë pasqyrim i dëshirave tona, por i lirë në atë që ai është.
4. “Heshtja mpreh ndjeshmëritë tona. Duke ndenjur në heshtje, jo vetëm mund të dëgjojmë me më shumë vëmendje fjalët e tjetrit, por ia dalim të kuptojmë thellësisht realitetin që na rrethon. Është e rëndësishme që ta lejojmë fëmijën ta jetojë edhe këtë dimension, duke ruajtur gjithmonë kundrejt tij një marrëdhënie dashamirëse dhe mbështetëse. Favorizimi i heshtjes, megjithatë, nuk do të thotë ta imponojmë atë, duke i mbyllur gojën fëmijës, por duke i krijuar kushtet deri sa ky tipar të manifestohet spontanisht: duke i ofruar fëmijës një ambient jo të zhurmshëm, duke mos e ndërprerë verbalisht kur kryen me interes një aktivitet, duke e lejuar të vëzhgojë një insekt që i tërheq vëmendjen apo një gur në tokë, pa i dhënë një shpjegim tonin mendimeve të tij”.
Lërini fëmijët që të zbulojnë, bukurinë, ëmbëlsinë e heshtjes. Mos e impononi, mos e mbushni me fjalë e tinguj të kotë.
5. “Nëse për njerëzimin ekziston një shpresë shpëtimi dhe ndihme, kjo ndihmë vjen veçse nga fëmija, sepse tek ai ndërtohet njeriu. Duhet të kuptojmë që fëmija është një punëtor dhe qëllimi i punës së tij është të prodhojë NJERIUN”.
Të vëzhgoni një fëmijë ju mëson, i jep përgjigje shumë pyetjeve që i bëni vetes sot. Vëzhgojini fëmijët me vëmendje.
6. “Premisa e parë për zhvillimin e fëmijës është përqendrimi. Fëmija që përqendrohet është pafundësisht i lumtur”.
Kur shihni që fëmijët tuaj janë të përqendruar në ndonjë aktivitet, mos i ndërprisni. Lejoni që përqendrimi i tij të shprehet duke e bërë të lumtur.
7. “Asnjëherë mos e ndihmoni një fëmijë, ndërkohë që po bën një detyrë, për të cilën ndjen se mund të ketë sukses”.
Shfaqni besim në aftësitë e tij. Kjo gjë e bën të sigurt, i rrit vetëbesimin, rrit nevojën e tij për të vepruar dhe për t’u përmirësuar.
8. “Një provë e korrektësisë së veprimeve tona edukative, është lumturia e fëmijës”.
Buzëqeshja e fëmijëve tuaj tregon se jeni shumë të zotë në rolin tuaj si prindër.
9. “Thonë se duhet t’u mësojmë fëmijëve të duan mamin, babin, mësuesen; duhet t’u mësoni atyre të doni të gjithë e gjithçka. Po kush është ky zot i dashurisë, që dëshiron t’u mësojë fëmijëve të duan? Ai që i gjykon si teka të gjitha veprimet e fëmijëve dhe që mendon se si të mbrohet prej tyre? Një njeri i rritur nuk mund të bëhet zot i dashurisë pa një ushtrim të veçantë dhe pa u hapur sytë e vetëdijes. Duhet të jemi të edukuar, nëse dëshirojmë të edukojmë.”
Si mund të mësojmë dashurinë, nëse nuk dimë si të dashurojmë? Keqardhjen nëse nuk ndjejmë keqardhje? Duhet të bëhemi vetë nxënës, para se të mund të mësojmë fëmijët.
10. “Më shumë se sa eletriciteti, që bën dritë në errësirë, më shumë se sa ajri që e çon zërin tonë në hapësirë, më shumë se çdo energji tjetër që njeriu ka zbuluar e shfrytëzuar, ka rëndësi dashuria: ndër të gjitha gjërat, ajo është më e rëndësishme. Fëmija është burim dashurie; kur e prek, prek dashurinë.”
Kur prekni një fëmijë prekni dashurinë. Të ardhmen. Jetën!
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 139
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.