Djersë të ftohta, stomak i bllokuar, belbëzime, humbje kontrolli… për disa është një torturë e vërtetë. Nga lind ky ankth?
Shefi iu ka caktuar të paraqisni para të gjithëve projektin mbi të cilin po punoni prej muajsh, e qysh në çastin kur ua ka komunikuar, iu është kthyer në një idengulitje? Frika e të qenit në sytë e të gjithëve dhe e marrjes së fjalës në publik është një nga më të shpeshtat. Bëhet fjalë në një farë mënyre për drojën e pohimit të vetvetes, e demonstrimit të asaj çfarë jemi. Këta njerëz mendojnë se duhet të thonë gjithnjë gjëra interesante dhe besojnë se hiperemotiviteti i tyre është vizualisht i dukshëm. Si t’ia bëjnë? Fillimisht vlejnë disa pyetje për veten: “Pse nuk jam tip garues?”, “Pse jam i sigurt që do të më kritikojnë?”, “Nëse miqtë e mi do të belbëzonin në të njëjtat rrethana a do t`i gjykoja si të paaftë?”. Dhe pas kësaj ushtrohuni:
Duhet ta dini: “Gjendja e acarimit manifestohet para rrezikut dhe tretet gjatë veprimit”.
Ushtrimi i parë
Shënoni gjithçka
Mbani një fletore me vete. Çdo herë që ndodheni në vështirësi shkruajini emocionet tuaja, mendimet automatike që ju vijnë ndërmend duke i shoqëruar me analizat e detajeve sipas interpretimit tuaj. Vetëvëzhgimi lejon marrjen e distancës, që është hapi i parë për t`u shkëputur nga të ndjerit keq.
Ushtrimi i dytë
Përballuni në vend që t’ia mbathni
Nevojitet kurajë për të folur në publik, por përballja është e vetmja mënyrë për të minimizuar problemin. Është e vlefshme të bisedoni me njerëz të panjohur, të përfshiheni në debat, të thelloni njohjet e reja. Ushtrohuni duke u përfshirë në diskutime mes miqve dhe njerëzve të afërm.
Ushtrimi i tretë
Filmoni veten
Për të kuptuar më mirë pikat tuaja të dobëta mund edhe ta filmoni veten. Pastaj shikoni filmin duke u përqëndruar në elementët e mëposhtëm: Zëri – Zëri është instrumenti bazë për të shprehur qartë atë që mendoni. Duhet të keni një ritëm të rregullt të frymëmarrjes, të flisni me zë të qartë dhe të plotë dhe.. ngadalë… Sa më ngadalë të flisni, aq më të qetë do të jeni dhe aq më shumë do të zvogëlohet ankthi. Shmangini pikat e vdekura. Sa më shumë të hezitoni aq më shumë rrezikoni. Kontakti me s y – Kontakti viziv, me ata që iu dëgjojnë, është i rëndësishëm. Mbani shikimin lart dhe jo duke fiksuar këpucët tuaja. Zgjidhni që të rrini përballë dikujt që iu bën të ndiheni mirë. Skaleta – Shmangni leximin e një teksti të parapërgatitur. Zgjidhni më mirë të bëni një skaletë në të cilën do të keni shënuar pikat themelore të diskutimit.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.