Do t’ju pëlqente të ishit në gjendje të përballeshit me ulje-ngritjet e jetës me forcë e hijeshi? Të jeni mendërisht dhe emotivisht të fortë nuk ndodh në një ditë… Nëse ia dilni të deshifroni çdo goditje të shëmtuar të jetës si një mundësi praktike për t’u bërë më të fortë, do të mund të fitoni urtësi e qartësi për t’i vënë në punë atëherë kur gjërat do të bëhen me të vërtetë të vështira. Në rast se dëshironi të mësoni sesi ta forconi mendjen dhe të menaxhoni vështirësitë me lehtësi, lexoni më poshtë…
Hiqni dorë nga pasiguria
Kur keni sigurinë se nuk do të stërmundoheni nga një ditë veçanërisht e lodhshme filloni të ndiheni emotivisht dhe mendërisht të fortë. Nëse nuk keni besimin e mjaftueshëm, mund të ndiheni të anuluar kur dikush ju bën një koment negativ, apo të humbni interesin për një punë kur ajo fillon e vështirësohet. Ndërtoni forcën tuaj psikologjike duke punuar me vetëvlerësimin dhe shpejt do të kuptoni se keni fuqinë për të përballuar çfarëdolloj gjëje që ju pengon përgjatë rrugëtimit tuaj
Filloni të keni besim te vetja
Jepuni besim ndjenjave që dalin në sipërfaqe falë një situate të caktuar dhe veproni duke u bazuar tek ato.
Mos u krahasoni me të tjerët
Duke u përballur me të panjohurën, si Liza në botën e çudirave, s’do të bëni gjë tjetër veçse do t’i hapni udhë mungesës së vetëbesimit. Vetëm se dikush mendon ndryshe, nuk do të thotë se duhet të mendoni edhe ju kështu. Jini më të fortë dhe jo një version më i brishtë se dikush tjetër.
Mësojuni të tjerëve ato që dini
Nisuni nga njohuritë tuaja dhe transmetojani dikujt tjetër, qoftë edhe diçka të thjeshtë. Kjo gjë do t’ju ndihmojë të kuptoni se sa shumë keni për të ofruar.
Çlirohuni nga zakonet e këqija që dëmtojnë vetëbesimin
Nëse keni zakonin të pini shumë alkool, të kaloni shumë kohë në internet apo ndonjë zakon tjetër që ndikon në besimin tuaj, atëherë veproni për të marrë sërish frerët e jetës në dorë.
Jini të qetë
Kur një situatë fillon që të degjenerojë, mund të ndjeni se emocionet tuaja po shpërthejnë, përmbahuni. Bëni atë që nevojitet për të qëndruar të qetë, në vend që të inatoseni apo të largoheni sepse nuk i dilni dot për zot. Kur arrini të përmbaheni pak, në vend që të silleni me impulsivitet dhe të reagoni, keni më shumë kohë për të peshuar edhe një herë zgjedhjet e mundshme dhe të kuptoni udhën e duhur që duhet të ndiqni.
Të merrni kohë e të mendoni deri në 10 duket si një klishe, por funksionon me të vërtetë. Para se të keni një reagim emotiv ndaj diçkaje, ndalni, merrni frymë thellë dhe mendohuni mirë. Të shkruani mendimet në një ditar, ju lejon që të vini rregull në gjërat tuaja dhe të ruani qetësinë. Nëse duhet të merrni një vendim të rëndësishëm apo ndiheni të mbingarkuar nga diçka, kanalizojini ndjenjat tuaja drejt të shkruarit, pastaj lexoni çka keni shkruar dhe reflektoni.
Hidhini pas krahëve gjërat e vogla
Nëse jeni të ndjeshëm nga bezditë e vogla, nga ironitë me të cilat përballeni përditë, këto mblidhen dhe ju bëjnë më të brishtë mendërisht. Vishni një koracë, në mënyrë që të mos e shpenzoni kot energjinë tuaj, duke u ndalur te gjërat pa rëndësi të madhe. Është e nevojshme që kjo energji të mos shkojë dëm dhe ta përdorni atëherë kur të hasni me sfidat e mëdha të jetës.
Mos u shqetësoni nga gjykimet meskine dhe komentet negative të të tjerëve. Një njeri që ka besim te vetja i hedh pas krahëve këto kotësi. Askush nuk e di se çfarë ndodh në jetën e tjetrit. Nëse dikush është i paedukuar me ju apo mundohet t’ju bëjë që të ndiheni keq, mund vetëm të supozoni se duhet të ketë një arsye të vlefshme se përse është me humor jo të mirë.
Mësoni të mos shqetësoheni për trafikun, kafen e derdhur, radhët e gjata dhe ngjarje të tilla që nuk kanë shumë peshë, edhe pse janë të bezdisshme. Jeta është me të vërtetë shumë e shkurtër që të lejoni që banalitetet t’ju përthithin gjithë energjinë mendore.
Caktoni objektiva dhe mundohuni t’i përmbushni
Mund të bëni ushtrimin e ndërtimit të forcës mendore duke vendosur objektiva kuptimplotë dhe punuar për t’i realizuar ato hap pas hapi. Të kaloni në një nivel më të lartë kërkon përkushtim, duhet që të punoni vazhdimisht mes mërzisë apo dhimbjes dhe duhet të duroni derisa t’ia dilni mbanë. Nuk është një punë e thjeshtë dhe, sa më shumë të ushtroheni, aq më mirë do t’i arrini objektivat tuaja.
Nëse synoni gjëra të mëdha që duken të paarritshme, ndajini ato në hapa të vegjël e të përballueshëm. Për shembull, në rast se objektivi juaj është që të humbisni 20 kilogramë, ndajini në hapa të vegjël nga java në javë. Synoni të humbisni 2 kilogramë në javë, duke limituar kaloritë dhe planifikuar vaktet.
Mundohuni të keni një sjellje të tipit “duhet t’u përmbahem me përpikëri objektivave”. Duhet të vendosni që, edhe nëse nuk do ndiheni mirë, do vazhdoni të këmbëngulni, nëse objektivi që i keni caktuar vetes është të ruani vendin e punës, të përfundoni një projekt, të menaxhoni financat dhe kështu me radhë. Mos lejoni që dështimet t’ju mposhtin. T’ia dilni mbanë një dështimi kërkon urtësi e forcë, emocionale dhe psikologjike.
Ruani prospektivën
Nëse keni tendencën që zhyteni në problemet tuaja, gjeni mënyra për të ruajtur një prospektivë të ndryshme mbi jetën tuaj dhe të gjitha mundësitë e saj. Të gjithë në jetë ndërmarrim rrugë qorre herë pas herë; ata që kanë forcën emotive dhe psikologjike janë në gjendje të arrijnë aty ku duan të shkojnë. Nëse keni probleme të dilni nga skemat tuaja mendore, provoni këto teknika:
Lexoni më shumë. Lexoni lajmet apo një roman që ju lejon të hyni në botë të tjera, duke i ofruar vetes një promemorie të mirë: bota është një vend i madh dhe problemet tuaja nuk janë tjetër veçse një pikë uji në oqean.
Bëni punë vullnetare. Ndërveproni me ata që kanë nevojë për ndihmën tuaj.
Dëgjoni një mik. Tregoni kujdes ndaj dikujt që ka realisht nevojë për këshillën tuaj. Vihuni në vendin e tij dhe jepni këshillën tuaj më të mirë e të mençur.
Udhëtoni. Të dilni nga zona e rehatisë mund t’ju ndihmojë me të vërtetë që të keni një këndvështrim tjetër mbi situatën ku ndodheni. Shkoni në ndonjë vend të re, edhe pse mund të jetë një qytet dy orë larg vendbanimit tuaj.
Mundohuni të keni sjellje pozitive
Njerëzit e fortë emotivisht e mendërisht kanë tendencën të mos ankohen shumë. Kanë shumë probleme, njësoj si të tjerët, por i përballojnë me qetësi dhe e shohin panoramën komplekse në të gjithë tërësinë e saj. Të keni një sjellje pozitive mbi atë çka shkon mirë në jetën tuaj dhe mbi mundësitë që rezervon e ardhmja, është një ndihmë e madhe kur situatat të vështirësohen më pas.
Fokusohuni tek e tashmja në momentet e lumturisë. Mundohuni të shijoni sa më shumë të jetë e mundur familjen, miqtë, kafshët shtëpiake dhe kështu me radhë. Kërkoni pozitiven edhe në situatat e vështira. Ka gjithmonë diçka për të mësuar.
Mos iu fshihni së vërtetës
Të jeni në gjendje të përballeni me realitetin mund të jetë shenja më e madhe e forcës emotive e mendore të një njeriu. Nëse keni ndër mend të kaloni një pengesë, duhet të jeni në gjendje të përballeni me të. Të gënjeni veten mbi atë çka po ndodh, i bëni vetëm dëm vetes.
Nëse keni tendenca të shmangieje, si të shihni televizor për të evituar problemet, pranojini zakonet tuaja të këqija dhe futjuni punës për t’i kaluar ato.
Jini i ndershëm me veten dhe me defektet që keni.
Përgatiti: Manjola Ereqi
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.