Marrëdhënie

May 13, 2019 | 8:20

Si të jesh partnere e mirë në momente të vështira

Jeta na bën të jemi në garë të vazhdueshme me veten e me të tjerët dhe shpesh sfidat e përditshmërisë bëhen edhe më të vështira. Ja se si ta ndihmoni partnerin në momentet e krizës.

Është e thjeshtë, madje fare e thjeshtë këto kohë, që të humbasim fillin përballë sfidave të ndryshme të jetës. Shumë njerëz janë të sfilitur e të lodhur për shkak të stresit, humbjes së punës, nga mbingarkesat dhe përgjegjësitë. Të gjitha këto kanë ndikim në pasionin në çift, por nëse e dashuroni partnerin tuaj, ndërkohë që atij i duhet të përballet me këto momente të vështira, roli juaj është që ta mbështesni e ta ndihmoni të gjejë një rrugëdalje.

Ta ngarkoni me mendime të tjera shqetësuese nuk do të bëjë gjë tjetër, veçse do t’ju çojë drejt një krize në çift. Ndaj mundohuni të bëni më të mirën për të rritur besimin e tij dhe për ta motivuar. Duhet të jeni të gatshëm të përballeni me momente nervozizmi, të ruani një lloj qëndrueshmërie emotive dhe të mos humbisni kontrollin. Është e vështirë, ndaj kemi marrë këshillat e psikologëve për të motivuar partnerin në një moment të sikletshëm të jetës së tij.

  1. Hapa të vegjël

Ndonjëherë, mënyra për të plotësuar ëndrrat mund të jetë e gjatë dhe e vështirë. Është e mundur që një person ta shohë objektivin e vet si të paarritshëm, sidomos kur është i zhytur në negativitet. Ka gjithmonë pengesa dhe gjëra të paparashikuara, por nuk duhet të humbisni asnjëherë kontrollin. Nëse partneri nuk di si të sillet, nga t’ia nisë, si të ecë përpara me projektet e tij, mundohuni t’i sugjeroni që të fillojë ndryshimet me hapa të vegjël. Ndani me të këndvështrimin për gjërat, por pa e gjykuar. Ndihmojeni në momentet më të errëta.

  1. Jepini prova për suksesin e tij

Nëse gjërat për partnerin nuk po ecin mirë, mundohuni t’i transmetoni sa më shumë kurajë dhe bëjini një bisedë që t’i tregojë se sa shumë vlen. Ju duhet të jeni njeriu që i kujton se sa i mrekullueshëm është dhe sa shumë talent ka. Mund t’i jepni shembuj, thjesht duke i kujtuar sukseset që ka korrur në të kaluarën. Bindeni për origjinalitetin e tij, që asnjëherë të mos heqë dorë nga ëndrrat. Përveç partnerit, kjo strategji do të ndihmojë dhe do të rrisë edhe vetëbesimin tuaj.

  1. Gjeni burimin e problemeve të tij

Të dy bashkë mundohuni të gjeni shkakun e problemeve të tij. Nëse është e mundur, përpiquni të krijoni një ambient të ngrohtë. Gjeni një moment të përshtatshëm dhe bisedoni me të për të kuptuar se çfarë e shqetëson. Një darkë romantike, një pije… kur të merrni vesh se çfarë e shqetëson dhe e trishton kaq shumë, mund edhe ta mbështesni më lehtësisht. Evitoni kritikat dhe mundohuni që të komentoni gjithmonë me pozitivitet.

  1. Mos u bëni e bezdisshme

Kur dëshironi të ndihmoni dikë, është e nevojshme të jeni të kujdesshëm dhe të mos krijoni shumë presion. Është e rëndësishme që ai ta ndjejë mbështetjen tuaj, por pa presion mendor. Partneri mund të ndihet edhe më shumë i stresuar dhe i bezdisur. Askujt nuk i pëlqejnë njerëzit e bezdisshëm, sidomos kur janë të përfshirë nga problemet.

  1. Mos e lëvdoni shumë

Nuk është produktive të lëvdoni më shumë seç duhet partnerin. Mos e ekzagjeroni, nëse nuk shihni se për të nuk ka të ardhme. Mos i nxirrni në pah vetitë e tij, kur në të vërtetë ai nuk i ka ato. Duhet të jeni e sinqertë dhe t’i jepni kurajë vetëm për objektivat e realizueshme. Herë pas here, vërjani në dukje gjërat pozitive të këtyre objektivave, dhe në fund jepini partnerit një shtysë për të qenë më i lumtur.

  1. Vlerësoni çdo përpjekje

Është gjithmonë e vështirë të bësh diçka të re dhe të panjohur, sidomos nëse partneri ndihet i shkurajuar dhe ka rënë në depresion. Kur partneri arrin disa rezultate të rëndësishme, është e nevojshme t’i shprehni lumturi dhe vlerësim. Shpërblimet e kënaqshme e bëjnë çdo njeri entuziast. Kur sforcot janë të dukshme, një shpërblim e bën më të lumtur dhe e mbush me energji. Motivimi do të bëhet gjithnjë e më i fortë. Mos ia hidhni fajin partnerin për çdo detaj të vogël të harruar dhe mbështeteni nëse shpesh mërzinë e tij e shkarkon te ju.

  1. Gjeni diçka pozitive në veprimet e tij

Nëse i keni dhënë disa këshilla partnerit, mos ia kujtoni ato, duke i theksuar se jeni aty për ta ndihmuar. I vetëm do të kuptojë se duhet të bëhet më i përgjegjshëm. Duke u lavdëruar për veten se e ndihmoni në çdo çast, se duhet t’jua dijë për nder, jep efektin e kundërt. Ndaj çdo ditë, gjeni gjithmonë momentin pozitiv dhe vlerësojeni atë… por pa ia përplasur në fytyrë sa herë që ju jepet mundësia.

 

 

 

Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 136

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top