Cili është sekreti i jetëgjatësisë? Gjithmonë njerëzit kanë kërkuar përgjigjen e kësaj pyetjeje. Në vend të eliksirit apo trajtimeve magjike, duket se zgjidhja është më e thjeshtë nga sa mund të mendohet.
Një studim suedez, i botuar në “Scandinavian Cardiovascular Journal” dhe që e ka pikënisjen e tij në vitin 1963 jep sekretin e jetëgjatësisë. Studimi përgjatë 50 viteve të fundit ka analizuar shëndetin e 855 njerëzve në Göteborg, të lindur në vitin 1913. 232 persona, pjesëmarrës të këtij kanë arritur në moshën 80 vjeç, 111 kanë arritur në moshën 90 vjeç dhe 10 prej tyre kanë fikur mbi tortën e tyre qiririn me numrin 100.
Përgjatë këtyre viteve, studiuesit e Universitetit të Göteborg-ut kanë pasur mundësinë të krijojnë identikitin e atyre njerëzve që aspirojnë të shkojnë 100 vjeç si dhe kanë dalë në përfundimin se stili i jetesës është faktor thelbësor për të pasur jetë të gjatë. Studiuesit sugjerojnë: “Eliminoni duhanin, ruani nivele të shëndetshme të kolesterolit në gjak, mos pini më shumë se katër filxhanë kafe në ditë dhe ruani një formë të mirë fizike”.
Faktorë të tjerë që ndikojnë pozitivisht janë jetëgjatësia e nënës dhe statusi social. 100-vjeçarët që i janë nënshtruar këtij studimi janë të shëndetshëm nga këndvështrimi klinik, fizikisht në formë. “Nëse falë zhvillimit mjeko-shkencor, do të jetë më e lehtë të jetoni mbi 100 vjet, është e rëndësishme edhe që të plakeni mirë dhe përveç gjeneve, një ndihmë të madhe jep edhe stili i jetës”, shpjegojnë shkencëtarët e këtij studimi suedez.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.