Kur hedhim një sy në të shkuarën tonë mendojmë: “Nuk më besohet që arrita të bëj këtë” ose “do të doja të kisha bërë këtë”? Shpeshherë mendojmë se kemi gjithë jetën përpara për të bërë atë që dëshirojmë, por koha kalon me shpejtësi dhe vjen një çast kur shikojmë se kemi humbur shumë mundësi dhe nuk ndihemi po aq të lumtur sa do të donim dhe do të meritonim. Një infermiere na rrëfen se cilat janë pendesat më të shpeshta që kanë të moshuarit dhe ne do t’ju mësojmë si mund t’i shmangni ato. “S’e kam jetuar jetën sipas dëshirës sime, por si kanë dashur të tjerët”. Kjo është pendesa që haset më shpesh. Kur njerëzit analizojnë se jetës së tyre po i vjen fundi, kuptojnë sa shumë nga ëndrrat e tyre kanë mbetur të parealizuara për shkak të të tjerëve: prindër, vëllezër, miq, bashkëshort/e, shefat etj. Ndoshta keni ndjekur një fakultet, sepse kështu e kanë caktuar prindërit për ju, duke menduar se është më e përshtatshme në krahasim më atë që do të dëshironit ju. Tani, sa e përfunduat, duhet të punësoheni dhe të zbuloni se nuk i keni ato aftësi të kërkuara, kështu që vazhdoni të ecni në rrugën e zgjedhur nga prindërit. Nëse keni kaluar një përvojë të tillë, nuk duhet të mendoni se kështu ka qenë fati juaj dhe s’ka asnjë mundësi për të ndryshuar të kaluarën, sepse nuk do t’i afroheni aspak jetës që konsideroni se meritoni. Përkundrazi, filloni që tani të veproni për të ndryshuar të ardhmen tuaj! Jeni ende në kohë për të realizuar ëndrrat tuaja!
Do të doja të mos kisha punuar aq shumë!
Zakonisht, kjo është një nga pendesat më të njohura të meshkujve, sepse kanë qenë të detyruar të punojnë më shumë për të mbajtur familjen, por duhet të keni gjithashtu parasysh se këto janë pendesat e të moshuarve. Në ditët tona, femrat janë po aq të suksesshme në karrierën e tyre dhe punojmë po aq shumë si ata, kështu që pas disa vitesh do të ankohemi edhe ne për të njëjtën arsye. Nëse jeni prindër, mundohuni të rrini sa më shumë me familjen tuaj. Çfarë ju bën më të lumtur? Të keni sa më shumë para apo të kaloni sa më shumë kohë me njerëzit që doni? Mësoni Psikologji Marrëdhënie të ndani jetën profesionale nga ajo familjare, për të krijuar një ekuilibër dhe përqafoni një mënyrë jetese më të thjeshtë.
Do doja të kisha pasur guximin për të treguar atë që ndieja!
Shumë persona zgjedhin të mbysin ndjenjat e tyre për të pasur një marrëdhënie sa më të mirë me të tjerët, por pikërisht për këtë arsye nuk janë të kënaqur mjaftueshëm. Tregohuni më të sinqertë dhe pak më egoist/e; megjithëse mendoni për ata që ju rrethojnë, duhet të kujdeseni në radhë të parë për veten. Mësoni të thoni “jo”. Tregoni kur jeni të kënaqur, por edhe kur ndieni mërzitje ose frustrim. Mund të ndodhin veçse dy gjëra: ose marrëdhëniet tuaja të jenë më të mira, ose do të shpëtoni nga ata që nuk e meritojnë vëmendjen tuaj dhe të jenë pjesë në rrethin tuaj shoqëror.
Nuk kam mbajtur lidhje me shokët
Sa herë e keni pyetur veten çfarë është duke bërë Genta, shoqja juaj e ngushtë nga koha e fakultetit me të cilën, për arsye të ndryshme, keni humbur kontaktet? Mos e mendoni dy herë, merrni telefonin dhe ftojeni për një kafe. Për shkak të studimeve të ndryshme, në vendin e punës, të një marrëdhënieje ose krijimit të familjes, kemi tendencën për t’u fokusuar më shumë mbi veten tonë. Nuk është një gjë e keqe, sigurisht, por s’duhet të izolohemi duke harruar se kemi edhe shoqëri. “Mos lini për nesër çfarë mund të bëni sot”, aplikohet edhe në këtë rast. Nuk mund të dimë kur një shok/shoqe lëviz në një shtet tjetër ose bien viktima të një aksidenti tragjik. Do t’ju pëlqente të takonit dikë? Organizojeni sa më shpejt këtë takim!
S’kam pasur kurajë të rrezikoj
Zona e rehatisë është shumë tërheqëse. Të gjithë duam komfortin, kjo është natyra njerëzore. Megjithatë, të ndihesh gjithë kohën rehat nuk sjell përfitime. “Pamundësia për të dalë nga zona e komfortit do t’iu kushtëzojë shumë arritjet”, thoshte psikologu Jim McCormick.
Mendoni mirë çfarë doni me të vërtetë: një jetë të realizuar apo një mediokër, të mërzitshme?
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.