Jetojmë në një shoqëri ku numri i sëmundjeve nga stresi dhe ankthi sa vjen e rritet. Sigurisht, nuk na pëlqen të ndihemi të stresuar. Në fakt, shqetësimet fiziologjike që shoqërojnë stresin janë mjaft të pakëndshme, por është e rëndësishme të kujtoni që, sipas këndvështrimit të psikologjisë, një dozë e matur dhe e ekuilibruar e stresit është e shëndetshme, sepse na kujton që edhe ndjenjat nuk duhen lënë pas dore.
Edhe pse zakonisht kemi prirjen të mendojmë se stresi është i lidhur me pasojat e dëmshme për shëndetin, në të vërtetë ky kushtëzim ka një anë pozitive, nëse dimë ta menaxhojmë dhe ta përdorim për përfitim fizik, por edhe mendor. Psikologjia pozitive, shndërrohet kështu në një nga armët më të mira për të hedhur pas krahëve stresin: bëhet fjalë për një disiplinë të psikologjisë që nënvizon se shëndeti emotiv mund të stërvitet dhe të ushtrohet përtej pranisë apo mungesës së një sëmundjeje. Sot do t’ju tregojmë 3 këshilla të bazuara nga psikologjia pozitive, për ta bërë më të thjeshtë jetën dhe për të kaluar me sukses momentet e stresit. Duke vënë në praktikë këto këshilla, do të mund të përfitoni nga situatat stresuese për të marrë rezultate pozitive ditë pas dite.
Mirëqenia dhe shëndeti janë një detyrë, përndryshe nuk do të jemi në gjendje të ruajmë të fortë dhe të kthjellët mendjen tonë. Buddha
Stresi dhe gëzimi, ndjenja paralele
Sipas studimeve të ndryshme shkencore, shenjat fiziologjike të stresit janë shumë të ngjashme me shumicën e shenjave të gëzimit. Kur jemi të përfshirë nga stresi, mezi marrim frymë, rrahjet e zemrës shtohen dhe këto shenja janë shumë të ngjashme kur jemi të lumtur dhe të gëzuar.
Duke u nisur nga ky këndvështrim, një këshillë e efektshme është ajo që t’i shihni situatat e stresit si një sfidë pozitive, të cilën nëse e hidhni pas krahëve, do t’ju lejojë të ecni përpara në çdo fushë. Të qenit në gjendje të kontrolloni situatat emotive dhe t’ia dilni të përmbushni objektivat, ju sjell vetëm gëzim e lumturi. Mbajeni mend këtë dhuratë sa herë që do të ndiheni të stresuar apo sa herë që humbisni kontrollin për shkak të nervozizmit.
Të ndiheni të sigurt që në çastin e parë
Siguria që keni për veten është një vetëperceptim, i cili ka nevojë të forcohet sa më shpesh të jetë e mundur. Shumë herë kjo gjë nuk ndodh dhe dobësohet për shkak të stresit apo të mungesës së gjykimit, të cilat ju shtyjnë të përqendroheni te gjërat negative duke i grumbulluar në memorien tuaj dhe duke mos i lënë vend gjërave të mira që keni bërë.
Nga ana tjetër, duhet të kuptoni se perceptimi i sigurisë që të tjerët kanë për ju, ka treguar se njerëzit që bëjnë pjesë në ambientin tuaj, kanë prirjen të gabojnë kur bëjnë hipoteza mbi nivelin tuaj të sigurisë apo kur bëhet fjalë për rrugën që keni vendosur të ndërmerrni.
Gjuha joverbale, si themel i marrëdhënieve personale
Është një gjë që e dini tashmë, por që duam gjithsesi t’jua kujtojmë: rëndësia e gjuhës joverbale në ndërtimin e marrëdhënieve të shëndetshme dhe të ekuilibruara. Janë të shumta testet dhe materialet në dispozicionin tuaj, që të punoni mbi gjuhën joverbale, por ka disa këshilla të thjeshta që mund t’i vini në praktikë që tani.
Për shembull, kontakti vizual shton mundësinë që të keni njëfarë kimie kur njihni dikë, përveç se zbut efektet e kominikimit negativ. Në njëfarë mënyre, kontakti vizual mbron kanalin e komunikimit dhe është një sinjal për të cilin personi tjetër kupton nëse jeni të dedikuar gjatë ndërveprimit me të. Nëse nuk e shihni natyrshëm në sy bashkëbiseduesin tuaj, sepse ndoshta jeni të ndrojtur, mund të praktikoni në mënyrë të vetëdijshme me dikë që i besoni dhe që keni njëfarë bashkëpunimi.
Gjatë takimeve të punës apo takimeve që kërkojnë një stërmundim të madh emotiv, është e rëndësishme të kujtoni se duhet të ruani qetësinë. Për të ruajtur qetësinë përballë kolegëve dhe/apo bashkëbiseduesve, imagjinoni sikur ata janë miq të vjetër. Në këtë mënyrë, do të ndiheni më të çlirët, do të shqetësoheni më pak dhe për rrjedhojë do të silleni në mënyrë më të natyrshme.
Shihni gjithmonë çdo gjë, sikur po e jetoni për herë të parë ose të fundit. Atëherë koha juaj në tokë do të jetë e mbushur me lavdi. Betty Smith
Përgatiti: Manjola Ereqi
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.