Nëse kërkoni një pozicion më të lartë në punë apo ngritje page, nuk do t’ia dilni nëse përfshiheni nga nervozizmi dhe turpi. Më poshtë do të gjeni 7 këshilla, që çdo kërkesë për eprorin ta bëni në mënyrën e duhur…
Kini arsyet dhe idetë e qarta
Rritjen e rrogës apo ngritjen në detyrë e përfitojnë vetëm ata që e meritojnë. Ndaj, para se të përballeni me një “jo” të hidhur, është e nevojshme të përcaktoni me kujdes pikat tuaja më të forta, rezultatet që keni arritur dhe problemet që keni zgjidhur. Do të ishte mirë që këto të ishin konkrete dhe të dokumentuara, në mënyrë që t’u tregoni eprorëve të dhëna të sakta e reale, në bazë të të cilave më pas të hapni një diskutim serioz dhe profesional. Përveç kësaj, të shfletoni edhe njëherë me mendje sukseset e arritura, pasi mund të shndërrohet në një ushtrim shumë të mirë për të rritur besimin te vetja para mbledhjes me eprorin.
Studioni tregun që të përcaktoni sa do kërkoni
Të gjithë ata që mendojnë të kërkojnë një takim për të diskutuar mbi pozicionin e tyre duhet të jenë në dijeni të pagave për të njëjtin pozicion në vende të tjera. Me të bërë këtë gjë është i pashmangshëm përcaktimi me kujdes i një përqindjeje shtesë, e cila varion nga 3-5 për qind. Shtesa page më të larta se 10 për qind janë të rralla, vetëm nëse bëhet fjalë për ndryshim pozicioni, rritje në detyrë, ndërrim vendi pune etj. Gjithsesi, gjatë mbledhjes me shefin, është e këshillueshme të mundoheni ta mbani veten dhe të mos ju përfshijnë ndjenjat. Mos kaloni në pozita mbrojtjeje, por përgjigjuni me ton të qetë pyetjeve, duke u fokusuar te faktet, shifrat dhe rezultatet e arritura. Një sjellje pozitive në këto raste është shpërblyese.
Mundohuni të jeni konstruktivë
Është fakt që disa situata në punë janë thellësisht frustruese, por kjo nuk përbën një justifikim të vlefshëm për ta shndërruar mbledhjen në një seri ankesash të padobishme. Në fakt, është më inteligjente të synoni një bashkëbisedim konstruktiv ku, për shembull, t’u bëni një listë të përgjegjësive tuaja në ndërmarrje dhe rolin që luani në skuadër, duke i treguar kështu hapat para që keni bërë krahasuar me fillimin e punës, hapa të cilat meritojnë të vlerësohen.
Dhënia e një rritjeje page nuk është çështje korrektese nga ana e punëdhënësit: më shumë bëhet fjalë për një vendim të ndërmarrjes si të gjitha vendimet e tjera dhe çdo epror do të dojë të dijë se çfarë do marrë në këmbim të këtij investimi shtesë.
Përgatisni një plan rezervë
Ndonjëherë ekzistojnë arsye të vlefshme për të cilat nuk është e mundur të fitoni një ngritje në detyrë apo shtesë page si, për shembull, kushtet financiare të sektorit. Fakti që u është mohuar një rritje page nuk do të thotë se s’mund të kërkoni si alternativë një sërë avantazhesh të natyrës jo financiare. Për shembull, kërkesa për një kurs për kualifikim për të përmirësuar kompetencat hyn në llojin e shpenzimeve që ndërmarrjet janë më të prira të mbështesin, duke konsideruar që – në fund të fundit – punonjësit janë pasuria më me vlerë e një ndërmarrjeje.
Mos nënvlerësoni mundësinë e një mbledhjeje pune
Edhe pse ndoshta nuk jeni në kërkim të një pune të re, mund t’ju motivojë fakti që në tregun e punës aftësitë tuaja kërkohen shumë dhe jo vetëm: nëse një ndërmarrje e re është e interesuar t’ju bëjë një ofertë, të cilën duhet ta vlerësoni, është e mundur të flisni me eprorin tuaj aktual, për të kuptuar nëse ekziston hapësira për një ngritje të mundshme rroge, në mënyrë që puna të mos humbë një punonjës si ju, por edhe ju të merrni rritjen e dëshiruar të pagës.
Në fund, mos shkatërroni çdo gjë
Nëse pavarësisht të gjithë mundit tuaj nuk do t’ia dilni të merrni rritjen e dëshiruar, reagimi më normal – dhe tej mase i justifikueshëm – është të ndiheni të nënvlerësuar nga eprorët. Kjo nuk heq asnjë presje nga fakti se duhet të gëlltisni krenarinë dhe t’i lini vetes mundësinë ta diskutoni sërish këtë gjë disa muaj më vonë. Edhe nëse vendosni të kërkoni një punë të re, nuk është e rekomandueshme të bëni një sjellje hakmarrëse.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.