Këshilla & Arsye

January 17, 2017 | 9:37

Si të largoni stresin në punë!

Tensioni, shqetësimi, ankthi, janë vetëm disa nga ndjesitë e pakëndshme që mund të manifestohen në jetën e përditshme të një punonjësi. Ndonjëherë mendohet se këto shqetësime fshehin një problem fizik, por në disa raste përgjegjës është thjesht stresi. Afate që duhen përmbushur, vonesa, tensione nga shefat, debate me kolegët, në fakt mund të sjellin atë që quhet stres nga puna. Le të shohim së bashku se për çfarë bëhet fjalë. Cilat janë simptomat dhe zgjidhjet e mundshme për t’u përballur me to dhe për t’i kaluar.

pune-pa-stres

Çfarë është?

Stresi i punës shfaqet tek ata njerëz që i konsiderojnë kërkesat e punës si më të mëdha nga aftësitë e tyre dhe e kanë të pamundur të përballen me pasojat në fushën psikofizike dhe sociale. Por, problemi më i madh janë njerëzit që vuajnë nga ky lloj stresi dhe ndihen keq si në nivel fizik ashtu dhe në atë psikik. Shumë shpesh preferojnë ta mohojnë këtë të vërtetë apo të marrin ilaçe vetëm e vetëm të mos e pranojnë se problemi që ata kanë duhet përballur dhe zgjidhur. Një studim në Universitetin Bocconi në Milano ka treguar se për femrat ka dhe një problem tjetër të madh: në pothuajse 50% të rasteve stresi provokohet nga vështirësia për të ndërlidhur ngarkesën profesionale me jetën familjare. Më pas shtohet edhe mungesa e plotësimit të objektivave profesionalë, dialogu i pakët me eprorët, paaftësia organizative dhe rrugëtimi që kanë bërë në karrierë, i cili shpeshherë është jo stimulues.

Cilat janë simptomat?

Për të vlerësuar sa më mirë shenjat e stresit të punës duhet të përqendrohemi në tri aspekte: Puna: mungesa, sëmundje, probleme me disiplinën, konflikte, vështirësi në marrëdhënien me të tjerët, performancë e ulët në punë, pavendosmëri, mungesë sigurie, padurim, izolim, shtim i konsumit të alkoolit, cigareve apo kafes, impulsivitet. Psikologjike: mungesë përqendrimi apo vëmendjeje, lodhje kronike, ndjesi boshe, ankth, gjendje depresive, kriza të qarash, pesimizëm, humor i keq, ndjenjë viktimizimi, atake paniku. Psikomatike (fizike): mënyra e të ushqyerit, probleme me stomakun, kardiovaskulare, me frymëmarrjen, probleme seksuale, dermatologjike apo mungesë gjumi. Çdo njeri që vuan nga stresi i punës, me siguri do të ketë përjetuar disa nga këto simptoma. Por duhet të bëni kujdes nëse këto shenja vijnë nga kushtet e papërshtatshme të punës dhe shfrytëzimi që ju bëjnë. Njerëzit nën stres arrijnë deri aty sa të mendojnë se janë të gabuarit dhe të papërshtatshëm dhe se duhet të largohen nga puna si të paaftë. Duke lexuar këto rreshta, me siguri, e keni kuptuar se nuk është kështu.

Si të përballemi me stresin e punës?

Kush beson se ka shqetësime psikofizike që lidhen me atë çka përjeton në vendin e punës duhet të reflektojë në pikat e mëposhtme:

  1. A është me të vërtetë vendi i punës që ju bën nervoze? A po shkarkoj në punë tensionin që grumbulloj në jetën private? Nëse është kështu, problemi nuk lidhet me punën, por me problematikat personale.
  2. Cilët janë elementët që më bëjnë nervozë? Çfarë më shqetëson? Kush apo çfarë më jep ankth? Reflektimi i këtyre pikave ju lejon ta fokusoni problemin dhe ndoshta ju jep forcën e duhur për të biseduar me eprorin, me koleget mikesha që mund t’ju ndihmojnë ta kaloni këtë vështirësi.
  3. Kur dal nga zyra jam e aftë t’i lë aty problemet? Shpesh, kur punohet në kushte të vështira, aty ku ka shumë tension, t’i lësh jashtë derës së shtëpisë këto ndjesi negative shndërrohet në një kompleks. Një këshillë mund të jetë: merrni frymë thellë para se të kaloni pragun e shtëpisë, në mënyrë që t’i largoni të gjitha ndjenjat me të cilat jeni mbingarkuar gjatë ditës. Ky ritual duhet të shndërrohet në një stërvitje të përditshme mendore dhe, si çdo ushtrim, duhet përsëritur sa më shpesh që të funksionojë.
  4. Në rast se puna juaj është burim i madh stresi, ju këshillojmë të flisni me një psikolog, në mënyrë që të përballeni me peshën emotive tejet të rëndë. Në rastet më të koklavitura punonjësit arrijnë të përjetojnë atake të mirëfillta paniku, qoftë edhe vetëm nga një mendim. Nëse vuani nga stresi i punës duhet të filloni të mendoni se nuk jeni të papërshtatshëm, por që situata e vështirë mund të gjejë zgjidhje. Duhet vetëm të mësoni dhe të mos keni frikë të kërkoni ndihmë.

 

Përgatiti Manjola Ereqi

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top