Shumë prindër dëshirojnë të dinë se si të menaxhojnë inatin e fëmijëve të tyre. Shpesh, fëmijët e tyre kanë shpërthime inati dhe mund të jenë të papërmbajtur dhe duket sikur prindërit janë të humbur në dhënien e ndihmës te fëmija për të kontrolluar ato ndjenja. Jo vetëm që mërzitesh t’i shikosh, por gjithashtu ndikojnë të tërë familjen. Më poshtë do të gjeni disa këshilla se si mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj të jenë të suksesshëm në menaxhimin e këtyre gjendjeve emocionale.
Zhvillimi i një fjalori ndjenjash
Shumë fëmijë e shfaqin agresionin me goditje, ulërima, përplasje, kafshime, thjesht sepse nuk dinë si t’i shprehin frustrimet në mënyrë tjetër. Atyre u duhet një fjalor emocional për të shprehur si ndihen dhe në mund ta ndihmojmë fëmijën të zhvillojnë një fjalor të tillë. Këto janë disa fjalë me të cilat mund të fillohet janë: i/e nevrikosur, i/e mërzitur, i/e zemëruar, i irrituar, nervoz/e, ankthioz/e etj. Në momentin që i mësoni fëmijës fjalë për emocionet, inkurajojeni atë të flasë për inatin e tij.
Përdorimi i të folurit të vetes
T’i mësojmë mesazhe të thjeshta dhe pozitive që mund t’i thotë vetes në situata stresuese. Për shembull: “Ndalo dhe qetësohu”, “Ruaj kontrollin”, “Mund ta përballoj këtë”.
Të shkojë në një vend qetësues
Kërkojini fëmijës që t’ju ndihmojë të caktoni një vend ku ai mund të shkojë dhe të fitojë kontrollin. Ofrojini disa qetësues, gjëra si: libra, muzikë, lapsa dhe letra dhe pastaj inkurajojeni fëmijën ta përdorë atë vend që të qetësohet.
Ndajeni inatin në copëza të vogla
Thojini fëmijëve të vizatojnë ose shkruajnë në një fletë se çfarë i shqetëson. Pastaj griseni letrën në copëza të vogla dhe “hidheni inatin tutje”. Ai gjithashtu mund ta përdorë konceptin, duke imagjinuar inatin që largohet nga ai në pjesë të vogla. Sigurohuni të përdorni një letër që kërcet.
Mësojini “Ndalo dhe merr frymë”
Tregojini fëmijës të marrë frymë ngadalë duke numëruar deri në pesë, të bëjë një pushim dhe pastaj ta nxjerrë frymën në të njëjtën mënyrë, duke numëruar përsëri në të njëjtën mënyrë.
Teknika 1+3+10
Shpjegojini formulën “Në momentin që trupi juaj po ju dërgon një shenjë që po humbni kontrollin, bëj tri gjëra. Së pari ndalo dhe thuaj “qetësohu”, kjo është 1. Tani bëj tri frymëmarrje të thella ngadalë, ky është 3-shi. Së fundmi numëroni ngadalë deri në 10 në kokën tuaj, kjo është 10-a. Kombinimi i këtyre tri numrave ndihmon të qetësohesh dhe fitosh kontrollin.
Imagjinimi i një vendi të qetë
Për shembull: plazhi, krevati i tij, oborri i gjyshërve, një shtëpi në pemë etj. Në momentin që shikoni se fëmija po shfaq shenja inati, thojini të mbyllë sytë dhe të imagjinojë atë vend, duke marrë frymë ngadalë. Të keni një fotografi të “vendit qetësues” ose ta vizatoni atë dhe ta vendosni te krevati i fëmijës, mund të bëhet një kujtesë vizuale e mirë.
Identifiko mendimet nxitëse
Është e rëndësishme t’i ndihmoni fëmijët të kuptojnë së çfarë po ndodhte dhe çfarë po mendonte që nxitën inatin e tij.
Mësojini t’i kushtojë rëndësi shenjave paralajmëruese
Duhet t’i shpjegojmë fëmijës që ka disa shenja që na paralajmërojnë kur po inatosemi. Duhet t’i kushtojnë rëndësi atyre sepse mund t’i ndihmojnë të qëndrojnë larg telasheve. Pastaj duhet t’i ndihmojmë fëmijët të njohin shenjat specifike që mund të kenë, të cilat i tregojnë se po fillon të inatoset. Për shembull: “flas me zë të lartë”, “më rreh zemra fort”, “më thahet goja”, “e bëj dorën grusht”, “marr frymë shpejt”. Sa më shumë t’i njohin shenjat fillestare kur inati i tyre po nxitet, aq më të lehtë do e kenë të fitojnë kontrollin. Sepse inati zhvillohet shumë shpejt dhe, nëse e lëmë fëmijën deri sa inati ta ketë “pushtuar”, do e kemi të vështirë ta bëjmë të fitojë kontrollin.
Modelo qetësinë
Duhet thënë që mënyra më e mirë për t’i mësuar fëmijët të përballen me ankthin në mënyrë konstruktive, është duke e treguar përmes shembullit tënd. Ne nuk mësojmë se si ta menaxhojmë inatin duke lexuar për këtë, por duke parë dikë tjetër se si ia del. Kështu që përdorini përvojat tuaja frustruese si mësime për t’i ndihmuar fëmijët si të qetësohen.
Për shembull: supozojmë se merrni një telefonatë nga servisi i makinës dhe ju thonë se vlera që duhet të paguani për makinën është dyfishuar, ju jeni shumë e inatosur dhe po qëndroni përballë fëmijës tuaj që po ju vështron me kujdes. Ruani qetësinë dhe përdoreni si një mësim për fëmijën tuaj. “Jam shumë e inatosur tani”, thojini fëmijës me qetësi. “Servisi e dyfishoi çmimin për rregullimin e makinës time”. Pastaj ofrojini një mënyrë qetësimi: “Po dal për vrap që të qetësohem”. Shembulli juaj është ai që do kopjojë fëmija.
Referenca:
http://www.parents.com/toddlers-preschoolers/discipline/anger-management/helping-kids-handle-anger/
http://micheleborba.com/7-sure-fire-solutions-to-help-kids-control-their-anger/
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.