Shumë pajisje moderne u menduan se do të na ndihmonin të përfundonim punën më shpejt dhe në këtë mënyrë ne do të kishim më shumë kohë të lirë. Por duket se ndodhi e kundërta – punonjësit punojnë po aq orë – por prodhojnë më shumë – ka edhe nga ata që e marrin punën me vete dhe e mbyllin në shtëpi.
Email-i, kompjuterët dhe smartphone-t i vënë disi nën presion punonjësit para punëdhënësve dhe nuk është çudi që shumë të ndihen të paaftë që të “shkëpusin prizën” dhe t’i shpëtojnë stresit të punës.
Të ndash punën nga jeta personale mund të duket një sfidë, por është e nevojshme për të ripërtërirë energjitë.
Më poshtë janë tri këshilla se si t’ia dilni mbanë…
1.Bëni një listë të punëve që keni për të bërë nesër para se të largoheni
Para se të largoheni nga puna, bëni një listë se çfarë keni për të bërë mëngjesin tjetër kur të mbërrini në punë. Nënvijëzoni gjithçka ju duhet të merrni në konsideratë ose të mbani mend. Listën e punëve që duhet të përmbushni lëreni në tryezën tuaj të punës apo në ndonjë vend tjetër të përshtatshëm.
Mund të largoheni në këtë pikë nga puna dhe ta fshini listën nga mendja juaj. Në këtë mënyrë, ju do të jeni gati për të filluar ditën nesër dhe të shijoni mbrëmjen tuaj.
2.Kontrollojeni email-in e punës në punë – dhe vetëm në punë
Disa mund të zgjedhin të mos e hapin adresën e email-it të punës nga celulari. Në fillim mund të duket e vështirë të hiqni dorë nga zakoni i kontrollimit të email-it të punës ndërkohë që kontrolloni për mesazhet që ju kanë nisur miqtë, por duhet të dini që ia vlen barra qiranë. Përdoreni kohën tuaj për të biseduar me miqtë dhe kohën e punës për të lexuar dhe për t’iu përgjigjur email-eve të punës.
3.Vini “kujdesin ndaj vetes” në axhendën tuaj
“Kujdesi ndaj vetes” u referohet atyre gjërave që ju bëni për veten, që ju bëjnë të ndiheni mirë, të shëndetshëm dhe që çojnë drejt një jete të balancuar.
Kjo do të thotë, për shembull që të lini ndonjë vizitë tek mjeku apo dentisti.
Ruani kufijtë personalë duke shënuar takime personale në kalendarin tuaj të punës. Nuk është e nevojshme të shkruani të gjithë të dhënat, por është e domosdoshme që ju të keni kohë të lirë për jetën tuaj personale.
Ju do të ndiheni më pak të stresuar nëse ju i përkushtoheni atyre gjëra që ju bëjnë të ndiheni mirë apo duke takuar miqtë e të afërmit. Në fund të fundit, njerëzit kanë nevojë për t’u çlodhur.
Nëse ju mendoni për punën, planifikimin e punës ose shqetësoheni për të ndërkohë që jeni në shtëpi – në të vërtetë ju jeni ende në punë. Ju nuk jeni duke iu gëzuar kohës suaj të lirë. Ne të gjithë kemi nevojë për kohë të lirë – pra punoni kur jeni në punë dhe lëreni punën fizikisht dhe mendërisht në fund të ditës suaj të punës.
*Beth Taylor
Burimi: CNBC/Monitor
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.