Në fokus

January 27, 2018 | 9:00

Si të motivoni fëmijët që të mësojnë

 

Shumë prej prindërve që kanë fëmijët në shkollë janë përballur, të paktën një herë, me mungesën e dëshirës së fëmijëve për të mësuar. Siç është e vërtetë që shumë fëmijë janë të shkëlqyer në mësime, është po aq e vërtetë që ka fëmijë që shtrohen për të mësuar vetëm gjysmë ore në ditë e ka po të tjerë fëmijë që mjaftohen vetëm me bërjen e detyrave të shtëpisë, pa prekur as edhe një faqe libri me dorë. E kjo gjë, jo pak herë, shndërrohet në shqetësim për prindërit. Mund të ndodhë që fëmijët të mos kenë dëshirë për të mësuar, sidomos kur ata janë të vegjël. Me siguri edhe ju e mbani mend veten – nxënës – se sa të vështirë mund ta keni pasur për t’u përqendruar mbi libra. Me kalimin e kohës keni kuptuar më shumë mbi rëndësinë e studimit dhe do të donit që edhe fëmija juaj të japë maksimumin për të mos bërë të njëjtat gabime.

Shumica e prindërve e përjetojnë suksesin e fëmijës në shkollë si prova e një prindërimi të mirë. Në njëfarë mënyre kjo është e vërtetë, sepse është detyrë e të rriturve të edukojnë fëmijët e tyre, por me kujdesin e duhur. Është kundërproduktive ta detyrosh një adoleshent apo fëmijë që të marrë stilolapsin në dorë, të lexojë një libër apo të bëjë një projekt shkollor, pa e ndihmuar të kuptojë mbi arsyen se përse duhet ta bëjë atë gjë. T’i ulërisni që të ulet e të mësojë është edhe më keq, pasi tek ai do të fiksoni të kundërtën, do të ketë gjithmonë një mendim negativ për mësimet.

Po si t’i motivoni fëmijët që të kenë vullnet e dëshirë për të mësuar? Ndiqni këshillat tona…

 

Ambienti ideal

Të gjeni vendin e duhur për të studiuar është e rëndësishme që të jenë të motivuar dhe larg shpërqendrimeve. Ndihmojeni fëmijën të rikrijojë ambientin e tij të studimit. Sigurohuni që tavolina të jetë e rregulluar (gjithmonë sipas nevojës së fëmijës), karrigia duhet të jetë e rehatshme dhe që të ketë sa më pak lodra e shpërqendrime.

 

Objektivat

Të vendosni një objektiv është një nga elementët bazë për motivimin. Edhe fëmijët duhet të mësohen me objektiva, edhe pse më të vogla. Takoni mësueset, merrni informacion mbi mbarëvajtjen e fëmijës në shkollë dhe se cilat janë pritshmëritë e mësuesve përkundrejt fëmijës suaj. Për shembull, keni zbuluar që ka bërë vetëm gjysmën e ushtrimeve të testimit, pasi nuk i ka dalë koha dhe për rrjedhojë nuk ka marrë notën maksimale. Në shtëpi mund të vendosni si objektiv që të bëjë po atë numër ushtrimesh që kishte në testim për 30 minuta. Verifikoni së bashku rezultatet, por në formë argëtimi, pa asnjë detyrim. Kujdesuni për këtë aspekt, është thelbësor që fëmija juaj të mësohet me të mësuarin.

 

Detyrat

Mund të ndodhë që të tundoheni dhe të doni t’i bëni ju detyrat në vend të fëmijës suaj, sidomos kur ndodhet në shkollë fillore e përballet me vështirësi të ndryshme. Ndihmojeni fëmijën vetëm kur ai ju kërkon ndihmë dhe shoqërojeni drejt rezultateve pa e zëvendësuar. Çfarë do të thotë kjo? Ndihmojeni me shembuj konkretë që të gjejë vetë zgjidhjen e detyrave dhe në asnjë mënyrë mos e merrni ju stilolapsin në dorë për të shkruar në vend të tij.

 

Evitoni krahasimet

Disa prindër mendojnë se po t’i krahasojnë fëmijët e tyre me fëmijët e tjerë që kanë rezultate të mira në shkollë, është një mënyrë për t’i bërë ata të mësojnë më shumë. Në fakt është e kundërta: krahasimet dhe përdorimi i shprehjeve të tipit “shoku yt është më mirë se ty me mësime” mund të dëmtojë vetëbesimin e fëmijës e për rrjedhojë humbasin edhe dëshirën për të mësuar. Çdo fëmijë, çdo adoleshent, secili prej nesh është i veçantë për karakteristikat dhe aftësitë që ka. Më mirë kushtojini kohë dhe tregojini histori motivuese, duke e ftuar të mendojë mbi rëndësinë që ka shkolla për të ardhmen e tij.

Shpërblime pozitive

T’i premtoni se do t’i blini një dhuratë vetëm nëse merr nota të mira, është një shpërblim afatshkurtër. Është mirë të gjeni ekuilibrin e duhur dhe ta bëjë të kuptojë se shkolla është e rëndësishme, për veten e tij dhe për të tjerët.

Kur vjen pas shkollës në shtëpi, mos e bombardoni me pyetje të tipit: çfarë ke bërë gjithë ditën dhe a ke marrë notë të mirë apo të keqe, pasi për të vlerësimi do të bëhet arsyeja e vetme për të shkuar në shkollë. Fëmija yt është edhe shumëçka tjetër! Si shpërblim pozitiv, për ta motivuar gjatë mësimit, mund t’i thoni: “E ke shumë të rregullt tavolinën”, “Shumë mirë e the mësimin”, “Dje vura re se mësove shumë, edhe pse do të të pëlqente të dilje me miqtë”, etj. Shembuj dialogu pozitiv ka shumë, ndaj mos e frenoni veten.

 

Dialogu

Të flisni me fëmijët është e rëndësishme për studimin, por edhe për jetën në përgjithësi. Nëse krijoni një mënyrë të mirë dialogu me fëmijët, do të jeni gjithmonë të pranishëm në jetën e tyre dhe mund ta ndihmoni në mënyrën më të mirë të mundshme, sa herë që do të ketë nevojë për ju.

Përgatiti: Manjola Ereqi

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top