Kthimi në shkollë pas pushimeve mund të jetë një makth i vërtetë. Për këtë arsye kemi përzgjedhur një sërë këshillash se si të përballoni rikthimin në klasë, të filloni mbarë këtë vit të ri shkollor…
Pas disa ditësh do të fillojë të bjerë zilja, që lajmëron hyrjen në klasë dhe ditën e parë të shkollës, pas pushimeve verore. Rikthimi në shkollë përfaqëson një traumë të mirëfilltë për nxënësit, të cilët duhet të mësohen sërish me zgjimin herët, me orët e mësimit, me detyrat e shtëpisë dhe studimin. Të mësohen sërish me këtë rutinë nuk është e thjeshtë, ndaj ju këshillojmë të ndiqni sugjerimet tona për të evituar një rikthim traumatik në shkollë.
Për të bërë të mundur që e hëna të jetë më pak e bezdisshme, ju këshillojmë të mos zgjoheni vonë gjatë ditëve të fundit të pushimeve.
Për të marrë më shumë energji, mendoni se shkolla është edhe një vend, ku në shumicën e rasteve takoheni me shumë miq.
Për të filluar me këmbë të mbarë, nuk duhet të shkoni në shkollë duarbosh, pa marrë as edhe një bllok shënimesh, me mendimin se nuk do të jetë e nevojshme të mbani shënime. Merrni me vete të paktën 3-4 fletore dhe mos harroni bojërat e stilolapsin!
Sigurohuni që të zgjidhni një shok të mirë bange. Ju këshillojmë të zgjidhni në bazë të miqësive. Të zgjidhni një shok ose shoqe bange, bazuar në notat e shkëlqyera dhe rezultatet e mira në shkollë, është një gjë shumë negative.
Nëse doni të filloni mbarë, filloni të studioni që në ditët e para. Mund të shtoni gradualisht orët e studimit: ditët e para filloni me 1-2 orë, që më pas ta shtoni gjithnjë e më shumë me kalimin e kohës.
Vishuni si duhet. Thjeshtësia është pa dyshim përbërësi më i rëndësishëm për të bërë përshtypje të mira, por duke qenë të kujdesshëm të mos e teproni.
Shkoni në orar dhe organizohuni që të shkoni në shkollë bashkë me shokët, në mënyrë që ta përjetoni më qetë momentin kur do të kaloni sërish pragun e shkollës.
Mos u shqetësoni shumë: kujtoni se gjithçka qëndron te rifillimi. Pas javës së parë do ta keni rifituar plotësisht regjimin ditor.
Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr.147
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.