Këshillat që duhet të ndiqni për të qenë një çift i lumtur dhe për të jetuar në një marrëdhënie familjare në harmoni, që nga zgjedhja e partnerit deri te përballimi i konflikteve më të vogla. Jeta në çift nuk është e lehtë. Shpesh përballemi me grindje, kompromise, fëmijë për të rritur. E, megjithatë, është një përvojë që ia vlen ta jetosh me përkushtim të plotë dhe dedikim madje. Rregullat e arta, që duhet t’i mbani gjithmonë në mendje për të funksionuar sa më mirë historia juaj e dashurisë, i gjeni si më poshtë:
- Kërkimi i partnerit ideal, mësoni të zgjidhni mirë Një lajm i keq është se partneri ideal nuk ekziston. Por ka shumë kandidatë të mundshëm që fati na vë në rrugën tonë. Por si ta gjejmë partnerin e duhur? Jepi kohë vetes: Për të zgjedhur është e ditur, duhet të përfitoni përvojë. Prandaj mos hezitoni të njihni njerëz të rinj, të frekuentoni persona që kanë të njëjtat interesa me ju. Nëse një takim i mundshëm është premtues që në fillim, duhet të ndiheni të përfshirë ose nga dashuria ose nga pasioni. Por, kujdes:
- Jepini vetes gjithmonë kohë! Dihet që pas një periudhe pasioni, personin që keni përballë duhet ta gjykoni me objektivitet. Vetëm pas kësaj mund të kuptoni nëse ju stimulon ende dëshirat dhe nëse e shihni veten të projektuar në të ardhmen me të. Është e vështirë, pasi një marrëdhënie në çift nuk është vetëm një fushë e mbushur me lule.
- Sakrifiko: Qenia njerëzore ka tendencën të anojë nga ndjenja egoiste për veten, që shpesh dëmton jetën në çift. Por për të pasur një marrëdhënie të shëndetshme, duhet të sakrifikoni diçka nga jeta juaj dhe të vendosni limite. Jepuni vlerë zgjedhjeve tuaja: Ky argument ka të bëjë me atë çka ju mund të zgjidhni. Pra, të vendosni ju për partnerin dhe ai për ju. Para së gjithash, në marrëdhënien në çift është shumë e rëndësishme të mund të plotësoni njëri-tjetrin në vendime dhe zgjedhje. Kjo do të thotë që në marrëdhënien tuaj duhet të jeni të dy lider. Është e rëndësishme që të dy të keni të drejtën për të vendosur, por pa u imponuar në zgjedhjet e partnerit dhe pa i zgjidhur problemet me egërsi. Pra, është e nevojshme t’i jepni vetes dhe partnerit mundësinë për të vendosur të dy së bashku.
- Mos ia merrni frymën partnerit: Nëse partneri juaj ndodhet në vështirësi, mos ngulmoni të zbuloni me çdo kusht të vërtetën. Shpesh të pushtosh hapësirat personale të partnerit është e dëmshme. Është më e shëndetshme në jetën në çift që të viheni në dispozicion, të jeni të dobishëm për kërkesat dhe nevojat e tij. Duhet të jeni fleksibël, sepse me kohën do të zbuloni që edhe partneri do të jetë pranë dhe i dobishëm për ju në çfarëdolloj rasti dhe vështirësie.
- Jini të vëmendshëm: Shumë shpesh gjatë jetës kemi tendencën t’i përdorim mendimet si ekuivalent të veprimeve. Për veten dhe për një jetë të shëndetshme në çift është e rëndësishme të zhvilloni “shikimin me dylbi”, nëpërmjet të cilit nga njëra anë mendoni se si të zgjidhni problemet e mundshme dhe, nga ana tjetër, të analizoni mendimet tuaja.
- Bëni dallimin e botës suaj nga ajo e partnerit: Të njëjtën gjë duhet të bëni edhe me partnerin, duke pasur gjithnjë parasysh se sjellja e secilit prej jush është rezultat i mendimeve dhe mekanizmave të mendjes që ju përkasin vetëm juve. Francis Grirer, një psikoanalist i njohur anglez, thotë se: kur zgjidhni partnerin, në të vërtetë keni zgjedhur një njeri që nuk e njihni, por ju kujton babanë, mamanë apo vëllanë tuaj… Kjo do të thotë, që raporti me njerëzit është i lidhur thelbësisht me personat më të ngushtë të familjes suaj. Por, kjo gjë ju pengon të bëni atë çka ju kërkon partneri. Ja pra pse është e rëndësishme të bëni dallimin midis asaj që ju përket dhe asaj që keni jetuar.
- Kripa e jetës në çift, të grindesh nga pak: Pasi keni bërë zgjedhjen tuaj dhe jeni të lumtur dhe të kënaqur, papritmas ka diçka që nuk funksionon. Kjo është një arsye e vlefshme për të bërë fjalë. Nuk ka asgjë të keqe. Studimet kanë treguar se çiftet, të cilat nuk kanë asnjëherë grindje, kanë një jetë të shkurtër së bashku ose akoma më keq, një bashkëjetesë të trishtë dhe pa emocione. Pra, mund t’ia lejoni vetes edhe ndonjë grindje të vogël. Por, kujdes, asnjëherë nuk duheni të mbani inat dhe mëri, sidomos për një kohë të gjatë. Të grindesh do të thotë të përballesh me partnerin, të keqkuptohesh, por edhe të sqarohesh. Ky përshkrim ka shumë ngjashmëri me mënyrën e të dashuruarit. Edhe kur dashurohesh ka rrëmujë, shkëmbim mendimesh dhe ndjesish të brendshme. Prandaj thonë që dashuria dhe grindjet janë të pandashme, por gjithmonë duhet të grindeni në mënyrë jo shkatërrimtare.
- Mundohuni të rikuperoni: Është shumë e rëndësishme të mundoheni t’i rikuperoni gjërat. Duhet të mendoni që superior nuk jeni kur grindeni dhe kërkoni sherr, por kur arrini të qetësoheni dhe të mos përfshiheni nga inate të pashëndetshme. Është e rëndësishme të gjeni qetësinë për vete, madje edhe për partnerin. Nëse e ndihmojmë që të rigjejë qetësinë dhe kthjelltësinë pas një inati të çastit, i bëjmë mirë jo vetëm vetes dhe partnerit, por edhe gjithë familjes.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.