Ajo që shpesh na bezdis është frika se klori i ujit të pishinës mund të shkatërrojë flokët, por mos u shqetësoni. Ka gjithmonë një zgjidhje dhe më poshtë mund të lexoni këshillat tona se si mund të mbroni flokët tuaja. Janë hapa të thjeshtë për t’u ndjekur dhe sigurisht jo të kushtueshme…
Gjatë verës të gjithë mendojmë se si të shfrytëzojmë sa më shumë detin dhe pishinat. Por nëse ju është dashur të rrini në qytet për shkak të punës apo jeni larg detit, me siguri ju ka rastisur të frekuentoni pishinat…
Klori i pranishëm në ujin e pishinës është një substancë shumë disinfektante dhe është jashtëzakonisht shumë agresive si për lëkurën ashtu edhe për flokët. Klori ndryshon pehashin e lëkurës dhe e bën atë të thatë dhe të pahidratuar. E njëjta gjë ndodh edhe me flokët, të cilat bëhen më të dobët, të thatë dhe të brishtë. Substancat disinfektuese si klori, të cilat përdoren për të pastruar pishinat, ndikojnë negativisht në lëkurë dhe flokë, duke u hequr atyre mbrojtësit natyralë. Flokët humbasin ngjyrën dhe shkëlqimin dhe për rrjedhojë janë më pak të bukur.
- Përdorni kufje për flokët
Gjëja e parë që na ndihmon për të mbrojtur flokët është kufja, por sigurisht që nuk mjafton vetëm ajo. Para se të vendosni kufjen, lagini flokët me ujë të pastër dhe më pas lyejini me balsam për flokët. Është e nevojshme të bëni një kurë më të detajuar për flokët, duke i hidratuar shumë mirë pas pishinës.
- Vajra ushqyes për flokë të shëndetshëm
Në fund të ditës është shumë i nevojshëm dushi me ujë të bollshëm dhe përdorimi i produkteve me pak shkumë dhe jo agresivë. Këshillohet aplikimi i vajrave ushqyes, të cilat duhet përdorur edhe përpara se të hyni në pishinë dhe që minimizojnë efektet e klorit. Gjithashtu aplikoni serume me bazë proteine pasi riparojnë dhe forcojnë flokët e dëmtuar nga klori
- Maska në kushtet e shtëpisë
Në shtëpi mund të përdorni një shampo shumë delikate dhe mbi të gjitha maska ushqyese një herë në javë. Edhe maskat në kushtet e shtëpisë janë shumë të vlefshme, shpesh më pak agresive dhe më ekonomike. Një maskë shumë e mirë është të lyeni flokët me të verdhën e një veze dhe ta mbani për 15 minuta. Më pas shpëlajeni kokën me ujë të bollshëm.
Përgatiti: Manjola EREQI | Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 147
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.