Një mënyrë e mirë për të përballuar ankthin dhe stresin është t’i përçohet fëmijës gjithë mbështetja e duhur, që ai të kuptojë se prindërit po kujdesen për të. Mund t’i bëhen shënime në fleta me ngjyra, të cilat prindi mund t’ia vendosë në objekte të ndryshme si p.sh në xhepin e një çante, ku i thua se e do shumë dhe se ke besim tek ai/ajo që në shkollë do japë maksimumin e mundshëm etj. E gjithë kjo ka të bëjë me përforcimin e aftësisë për të përballuar stresin e ditëve të para. Duke qenë vetë prindi pozitiv e optimist dhe mbi të gjitha i qetë, do ia transmetojë edhe fëmijës këto ndjenja dhe do ta bëjë më të sigurt te vetja, pasi fëmija ka gjasa të mëdha ta modelojë optimizmin dhe qetësinë e duhur. Do ishte e udhës që fëmija të bëhej me dije se kur fillon një kapitull i ri në jetë, qoftë shkolla, qoftë diçka tjetër, është normale që të jetë pak i stresuar. Por gjithçka do shkojë më së miri kur ai të jetë familjarizuar me shokët, mësuesen dhe rutinën e përditshme shkollore. Kur fëmija të shfaqë ankthin e ndarjes, sidomos në fillim, kur është në klasë të parë, prindi duhet të mos reagojë më shumë seç duhet, por t’i sigurojë fëmijës që e do fort, që do ta ketë në mendje gjatë ditës dhe se do kthehet për ta marrë. Një strategji tjetër e rëndësishme për t’ia bërë më të lehtë nisjen e shkollës është ndihma që duhet t’i jepet fëmijës për të ndërtuar marrëdhënie të mira sociale me shokët. Kjo mund të bëhet që një javë para, p.sh. duke i ftuar ata për një lojë së bashku, pasi lehtëson ankthin e tyre. Praktikisht një javë përpara ishin bashkë dhe përsëri ndodhen në të njëjtat kushte të ndjekjes së mësimit. Kjo mund të jetë favorizuese.
Këshilla për prindërit
Dita e parë e shkollës apo rikthimi në klasë pas një vere të gjatë pushimesh mund të jetë e vështirë për shumë fëmijë. Prindërit janë ata që mund t’ua lehtësojnë rinisjen për ta përballuar sa më suksesshëm vitin. Ja disa nga truket që mund të përdorni:
Bëji foto në ditën e parë të shkollës
Ideja e bërjes së një fotoje në ditën e parë të shkollës është shumë pozitive. Ne kemi tendencën ta kujtojmë gjatë gjithë jetës atë ditë. Sidomos ditën kur shkon në klasë të parë. Ndjesia që na jep aparati fotografik, duke na vënë në qendër të vëmendjes, është fantastike. Po ashtu blerja e rrobave të reja, të pasurit e një çante të bukur, zakonisht i nxit fëmijët ta marrin më me qejf fillimin e shkollës. Blerja e tyre shërben si shoqërim pozitiv i ndjesisë që përçon veshja e re, me ditët e para të shkollës. Veshjet duhet jenë në përputhje me moshën dhe të mos transmetojnë mesazhe antisociale.
Bëjeni fëmijën tuaj kurioz
Duke e bërë këtë gjë, fëmija dëshiron të eksplorojë edhe më tej. P.sh, mund të fillohet fjalia: “A e di çfarë është kjo?”, apo: “Si mund të realizohet kjo gjë?”. Kështu i rritet kurioziteti, mëson më shpejt dhe ka gjasa më të mëdha të ketë sukses në shkollë. Bëjini kuriozë mbi fenomenet e ndryshme, pasi kjo i zhvillon dhe të menduarit kritik. Përdorni së bashku internetin për të marrë edhe më shumë informacion rreth temës së mësimit. Dija është pushtet dhe duke mësuar më shumë, duke i inkurajuar për ta treguar atë që ka mësuar në klasë, i rrit atij/asaj vetëvlerësimin dhe e bën më të aftë. Duke e ndjerë veten një herë të suksesshëm, priret ta përsërisë veprimin, pra të marrë informacione të reja dhe të mësojë në mënyrë të vazhdueshme. Ndaj përforcojani sjelljet e mira të të mësuarit.
Ndihmojini fëmijët të jenë të organizuar
Ndihmojeni fëmijën të organizohet që në darkë duke i lënë gati rrobat që do veshë të nesërmen, çantën me libra. Mbikëqyrja dhe ndihmesa gjatë detyrave të shtëpisë, të mësuarit si të jetë i organizuar dhe të krijojë një rutinë ditore, do ta ndihmojë dukshëm në suksesin në shkollë. Gjithashtu përsëritja në mëngjes duket se freskon kujtesën dhe e përgatit psikologjikisht për atë çfarë do t’i kërkohet gjatë ditës. Krijimi i një vendi të qetë në shtëpi do ishte ideal që t’i motivojë fëmijët të mësojnë dhe të jenë të organizuar për detyrat e shtëpisë. Më e përshtatshme për fëmijët e klasës së parë do të ishte kuzhina, që të jep mundësinë për ta mbikëqyrur dhe inkurajuar më lehtë.
Ji në kontakt me mësuesen e tij
Prindërit që bashkëpunojnë me mësueset kanë fëmijë me rezultate më të larta. Ji prindi që interesohesh çdo ditë për mbarëvajtjen e fëmijës në shkollë, që identifikon problemet që në zanafillën e tyre, për t’i zgjidhur në kohë. Krijoni një program individual së bashku me fëmijën. Pyeteni se me çfarë notash do të dalë këtë vit dhe cilat metoda të studimit i përshtaten më mirë atij/ asaj për të arritur këtë qëllim. Përcakto së bashku me fëmijën sa orë në ditë apo javë do t’i duheshin për të arritur këtë qëllim. Vetëm duke bërë një hartë paraprake të suksesit, ndarë kjo në hapa të caktuar, fëmija do mund të shkëlqejë.
Ji një prind aktiv, i kujdesshëm, që di ta mbështesë dhe inkurajojë fëmijën
Prindi që interesohet për çdo detaj të jetës shkollore të fëmijës, mbjell sukses në fushën akademike. Ai që di të jetë i kujdesshëm për çdo nevojë të tij/saj, di t’i japë mbështetje të vazhdueshme psikologjike, duke e inkurajuar atë të përvetësojë sa më shumë në rrugën drejt dijes, është prindi aktiv, që po rrit një fëmijë në udhë të mbarë drejt destinacionit që quhet sukses. Jini prindi që nxit fëmijën për të dhënë maksimumin e potencialit të tij, në shkollë e kudo.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.