Përgatiti: Manjola EREQI
Problemi se si t’i mësojmë fëmijët me edukatë del në pah sapo bëhemi prindër. Por kur është e mundur të edukojmë një fëmijë? Cilat janë rregullat më të rëndësishme?
Përgjithësisht, mund të themi se edukimi fillon që në çastin kur fëmija kupton se çfarë po thotë. Ndonjëherë, një fëmijë që 6-muajsh është në gjendje të kuptojë një “jo”, më vonë është mirë të filloni të përgëzoni fëmijën kur bën gjërat e duhura dhe, në të kundërt, kur gabon, t’i shpjegoni se përse sjelljet jo të mira janë të gabuara. Ja disa hapa të para që mund t’i vini në praktikë për t’i mësuar fëmijët me rregull dhe edukatë.
Mësojeni të flasë me radhë
Mos i ndërprisni të tjerët kur flasin, sepse askush nuk dëgjohet nëse ka shumë zëra njëherësh. Thojini fëmijës të presë derisa të tjerët të mbarojnë së foluri, pastaj kur t’i vijë radha atij dëgjoheni me kujdes deri sa të mbarojë, në mënyrë që të forcojë vendosmërinë e tij për të respektuar radhën. Ndërkohë që fëmija pret me durim, mund ta mbani për dore apo t’i hidhni ndonjë shikim që ai të kuptojë se jeni të vetëdijshëm se është dhe ai i pranishëm mes jush.
Mësojeni të përshëndesë
Mësojini fëmijës të përshëndesë gjithmonë njerëzit që takon kur vijnë dhe kur ikin, në mënyrë që t’i bëjë ata të ndihen të mirëpritur. Ky është një rregull, që me kohën po humbet, por është shumë e rëndësishme që fëmija të mësojë se mirësjellja është një faktor thelbësor për të qenë të edukuar.
Mësojeni të falënderojë
Ja dhe një tjetër rregull i mirë që duhet t’ia mësoni që në fillim të jetës; të thotë “faleminderit”, “të lutem” dhe “asgjë” nëse e falënderojnë. Është një shenjë respekti dhe vlerësimi për të tjerët. Si për të gjitha rregullat, duhet të jenë prindërit të parët që japin shembullin e tyre.
Mësojeni të pastrojë e të rregullojë
Edhe nëse janë në shtëpinë e tyre, edhe nëse janë miq në shtëpinë e një shoku, fëmijët duhet të mësojnë të respektojnë objektet dhe ambientin, sidomos nëse janë të të tjerëve apo pronë publike. Pas një loje, duhet të vendosin rregull dhe, nëse bëjnë pis, duhet të pastrojnë para se të fillojnë çfarëdolloj aktiviteti tjetër. Si çdo normë tjetër edukate, ndryshimi fillon nga vetja.
Mësojini të jenë të respektueshëm
Duhet t’u mësojmë fëmijëve që t’ua hapin gjithmonë derën njerëzve të moshuar dhe t’i lejojnë ata të kalojnë të parët. Dhe, nëse hyjnë të parët në një ndërtesë, nuk duhet t’ia përplasin derën në fytyrë atyre që janë pas. Nëse dikush tjetër mban derën hapur deri sa të hyjnë fëmijët, duhet gjithmonë që ta falënderojnë.
Mësojini shpirtin sportiv
Pas një loje apo një sporti, duhet gjithmonë që fëmijët të jenë të kënaqur, pavarësisht rezultatit. Nëse fitojnë, nuk është e nevojshme të mburren dhe nëse humbasin, nuk duhet të varin buzët e të mërziten, por të përgëzojnë kundërshtarin.
Mësojini respektin për të ndryshmet
Kur disa persona sillen ndryshe nga ju për shkak të kulturës, racës apo fesë, duhet t’u mësoni fëmijëve respektin për këto diferenca. Është shumë e rëndësishme edhe të vëzhgoni traditat, zakonet apo ritualet e ndryshme nga ato që jeni mësuar. Kjo gjë ju pasuron dhe, në këtë mënyrë, respektoni edhe të tjerët. Por, gjëja më e rëndësishme për fëmijët tanë është që ne, prindërit, jemi modeli ku ata referohen dhe të mundohemi të përmirësohemi si njerëz na bën mirë të gjithëve.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.