Këshilla & Arsye

August 26, 2017 | 10:00

Si të rrisni fëmijë të lumtur

Të gjithë do të donim që fëmijët tanë të jenë gjithmonë në humor të mirë, jo tekanjozë e të bindur. Por e harrojmë ama që humori, me luhatjet e tij, nuk i përket vetëm njerëzve të pjekur, por edhe moshës së të vegjëlve. Dhe nënvlerësojmë disa gjeste, të thjeshta madje, të cilat mund t’i japin më harmoni dhe hare fëmijëve tanë…

Lexojuni fëmijëve

Që kur janë shumë të vegjël lexojuni fëmijëve përralla para se të flejë, përralla klasike që u mësojnë se ka gjithmonë një rrugëdalje në jetë, ka gjithmonë një mënyrë për të dalë nga situatat e vështira me përulësi dhe ëmbëlsi. Përveç se është një moment “edukativ” është edhe një moment shumë intim mes prindërve dhe ëmijëve dhe është një zakon i mirë që duhet kultivuar.

 

Kërkoni falje

Kur gaboni duhet t’i kërkoni falje. Mjafton kjo fjalë e thjeshtë, ndonjëherë, për t’i bërë fëmijët të jenë sërish të lumtur, pasi kanë bërë ndonjë gabim të vogël. Dhe kur jemi ne të rriturit që gabojmë, nuk duhet të justifikohemi, por duhet të japim shembullin e mirë.

 

Edukojeni të jetë i sjellshëm

Mësojini të thotë gjithmonë “të lutem” dhe “faleminderit”. Të jetë i sjellshëm me të tjerët është një mënyrë për t’u ndier mirë, për të qenë të lumtur se është sjellë me të gjithë në mënyrë të edukuar. Mirësjellja është një vlerë e rëndësishme, të cilën duhet t’ia transmetojmë fëmijëve tanë.

 

Buzëqeshni

Shumë shpesh, si prindër, jemi të zënë me shumë probleme dhe rrallë buzëqeshim. Por duhet t’ua tregojmë fëmijëve vlerën e një buzëqeshjeje: është ngjitëse, nuk kushton asgjë dhe na bën të ndihemi mirë. Duhet të luajmë e të kalojmë kohë me ta. Pa tablet, smartphone apo televizor.

 

Mos gjykoni

Përballë fëmijëve është e rëndësishme të kemi gjithmonë një fjalë të mirë për njerëzit. Të mos gjykojmë sjelljet në mënyrë negative, të mos përdorim sarkazëm apo ironi dhe të përpiqemi të shpjegojmë gjithmonë arsyet që fshihen pas një veprimi që atyre u duket i pakuptueshëm: e bërtitura e mësueses, sjellja e një arbitri e kështu me radhë. Nëse u mësojmë fëmijëve të respektojnë mendimet e të tjerëve do të ndihen më të vetëdijshëm e të lumtur, dhe nuk do ta përjetojnë gjykimin e të tjerëve si humbje, por si një fitore.

 

Asgjë nuk është përgjithmonë

Ekzistojnë momente shumë të bukura, por edhe periudha më pak të bukura. Megjithatë nuk është e nevojshme të mposhtemi për këtë arsye. Asgjë nuk zgjat përgjithmonë: është mirë t’u mësojmë fëmijëve se gjithçka ka një fillim dhe një fund. Do të dinë të shijojnë plotësisht çdo situatë të jetës, pa ndjerë keqardhje kur një udhëtim përfundon, apo kur kanë marrë një notë të keqe në shkollë. Gjithçka mund të kalohet!

 

Askush nuk është më i mirë se dikush tjetër

Duhet t’u mësojmë fëmijëve tanë se nuk janë as më të mirë dhe as më të këqinj se të tjerët. Secili ka virtytet e veset e tij. Në këtë mënyrë do t’i ndihmojmë të ndihen më mirë dhe të forcojnë vetëbesimin.

 

Jini të ndershëm

Në një botë të populluar nga dinakët dhe prepotentët duhet t’u mësojmë fëmijëve të jenë të ndershëm me veten dhe të tjerët. Kjo gjë do t’i ndihmojë të ndihen më të lumtur, sepse do të dinë që rezultatet e arritura nuk janë frut i mashtrimit, por janë falë përkushtimit dhe mundit të tyre.

 

Përgatiti: Manjola Ereqi

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top