Në fokus

April 21, 2017 | 12:46

Si të shpëtoni fëmijët nga vetvrasja?

1

HISTORIA | “Ishte një fëmijë i mbarë dhe shkëlqente në mësime. Nuk arrijmë ta imagjinojmë se si ai mundi të gjente kurajën për t’u vetëvrarë”- janë shprehur mësuesit e një djali 11-vjeçar, pak ditë pasi u vetëvra. “Ishte djalë i mirë”, – thanë shokët, që janë shokuar nga lajmi i papritur. Ka dalë mendueshëm prej oborrit të shkollës, është përshëndetur me nxënësit e tjerë dhe është nisur për në shtëpinë e tij, pa ditur se pasditja do të vinte shumë tragjike për të. Ka mjaftuar një zënkë me të ëmën, një shuplakë e marrë prej saj, për ta çuar më pas në mendime negative dhe tejet të rrezikshme për një fëmijë në atë moshë. Ka shkuar në kasollen bri shtëpisë dhe me mendjen e tij prej fëmije ka mundur të krijojë gjithë skenarin vetëm brenda pak minutave, sepse s’ka shkuar shumë dhe ai është gjetur i vetëvrarë, i varur në telin që kishte përdorur për t’ia arritur qëllimit. Ky është versioni që është sjellë për ngjarjen e ndodhur në një lagje, vetëm pak minuta larg Tiranës.

A mjafton një bërtitje për ta çuar fëmijën në vetëvrasje?

DiolaTë gjendur përballë këtij fakti tronditës, në realitetin tonë, prej kohësh po bëhet “zhurmë” rreth këtij fenomeni. Shumë nëna do të kenë kthyer sytë nga fëmijët e tyre, por edhe mund ta kenë menduar me dhembshuri nënën protagoniste të këtij rasti. I trajtuar në të gjitha format dhe i parë në të gjitha këndvështrimet, kjo ngjarje ka qenë e prekshme jo vetëm nga media, por edhe në bisedat tona të ditës. E ndoshta, pakkush mund ta ketë parë në dritën e asaj se çfarë mund të përjetojë një nënë nën efekte të tilla: a ka qenë vërtetë shuplaka e saj që e ka shtyrë të birin të vetëvritet, apo duhet gjurmuar më thellë për të gjetur arsyen? Sigurisht, nuk mund të pretendohet që të ketë mjaftuar vetëm një zënkë apo një shuplakë për ta nxitur të voglin në këtë sjellje të rrezikshme. E megjithatë, për nënën do vijojë të mbetet një peng i dhimbshëm humbja e të birit, i cili në një gjendje të tillë nuk ka mundur ta përballojë ndëshkimin nga e ëma. Pas ngjarjeve të tilla, shumë prindër mund të jenë përballur me pyetjet e fëmijëve të tyre: “Pse ka vrarë veten ky djali…?”, pyetje të shoqëruara me mendime, habi, mister. Natyrisht që s’mund të jetë e lehtë për t’ia dhënë përgjigjen, ndërkohë që i vogli ka filluar të fantazojë, ta lodhë mendjen për të gjetur një arsye, për të zhvendosur ndjesitë e tij te ngjarja e mënyra se si mund të përjetohet. “Fëmija ka vrarë veten sepse prindi i ka dhënë një shuplakë?”. Kjo është ana tjetër e medaljes, e cila gati kërcënon kufijtë prind-fëmijë, duke i bërë ato edhe më të brishtë nga ç’janë. Çdo ditë i përcjellim fëmijët tanë për në shkollë dhe dita jonë vazhdon e ngarkuar në anën tjetër, pa praninë e tyre. Të zhytur në punët tona të shumta, në përpjekjet e pafundme për një jetë më të mirë, sidomos për të ardhmen e tyre, mund të na ndodhë shpesh të harrojmë të ndalemi dhe të pushojmë paksa në “oborrin” e së tashmes, për t’i pyetur ata si janë, si ndihen? Jeta ecën me kaq nxitim aq sa duket sikur nganjëherë nuk na lë kohë të mjaftueshme të ndalemi dhe të shohim nga afër fëmijët tanë. Ndoshta mësuesja e ka ndëshkuar për një palë detyra të munguara? Një shok e ka “tradhtuar”, duke i nxjerrë një “sekret” tek të tjerët? Ndoshta ndihet i përjashtuar nga grupi dhe nga bota që ai ka ndërtuar në realitetin e tij? Mund të vijë i mërzitur, e të thotë se nuk ndihet mirë, dhe prindi as të mos e këtë mendjen tek “tekat” e tij. Do të donte të thoshte diçka, por i rrituri i mbyll gojën duke i thënë: “Pusho, nuk di gjë ti, je ende i vogël”. A ia ka thënë njeri këtij fëmije se sa i rëndësishëm është ai në familje? A i është thënë këtij fëmije se kur ai ka ardhur në jetë ka gëzuar shumë njerëz? Të gjithë mund të përballemi me situata nga më të ndryshmet, të krijuara në marrëdhënie me të vegjlit tanë. Nuk hezitojmë t’i kritikojmë, t’u japim mend, t’i ndëshkojmë, madje të ndërmarrim edhe sanksione të rënda kundrejt tyre, deri te dhuna fizike. Dhe sërish justifikohemi se kjo është disiplinë prindërore, është për të mirën e tyre, duke harruar se edhe ata kanë shqetësimet e tyre dhe problemet prej fëmije me të cilat u duhet të përshtaten çdo ditë. E veçanta është që fëmijët nuk mundet të përballojnë shqetësimet dhe stresin siç e përballojnë të rriturit për shkak të cilësive të moshës, prandaj kanë nevojë për përkujdesje dhe mbështetje të vazhdueshme.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top