Kur fëmija kërkon, apo dëshiron një gjë, ose plotësojani menjëherë, ose tregojini me qetësi, që nuk ja plotësoni dot, por mos e gënjeni fëmijën. Ai ose ajo, do të trishtohet, do të dëshpërohet dhe ju jepini të drejtë për trishtimin dhe dëshpërimin që provojnë dhe njëkohësisht kërkojini të falur që nuk ja plotësoni dot dëshirën.
Në këtë rast, duhet t’i drejtoheni në emër dhe me qetësi, përpiquni ta qetësoni, sidomos kur jeni në mjedise publike. Edhe ju kur nuk ju plotësohet një dëshirë nuk ndiheni mirë, pra edhe fëmija ka shumë të drejtë të jetë i mërzitur. Ndodh shpesh që për të evituar skena apo kriza inati dhe të qarash, të rriturit pranë fëmijës duke filluar nga prindërit ose i plotësojnë dëshirën ose e gënjejnë fëmijën. Këto veprime janë të gabuara.
Më mirë asistojeni fëmijën me qetësi, sesa t’i plotësoni dëshirën mbas një krize të qarash dhe ulërimash. Dhe sidomos, asnjëherë mos premtoni një gjë që nuk doni t’ja plotësoni apo që nuk mund t’ja plotësoni. Po e gënjyet, fëmija jo vetëm që e kupton që e gënjeni, por mbi të gjitha do të ndihet keq, jo thjeshtë për dëshirën që nuk u plotësua, por që i rrituri nuk e përfilli, e gënjeu dhe nuk i dha pak kohë sa ta kuptojë e mësojë si të sillet me veten në raste të tilla, pra kur i duhet të pranojë mosplotësimin e një kërkese apo dëshire.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.