Ndonjëherë historitë e dashurisë shkojnë e vijnë: bashkëjetesa nuk është asnjëherë e lehtë. Herët a vonë diferencat dalin në pah dhe dashuria sikur venitet. Shfaqet ndjenja e mosbesimit dhe vetmia zë një hapësirë gjithnjë e më të madhe mes dy njerëzve të cilët, pavarësisht se ndajnë të njëjtin shtrat, kanë një oqean të tërë në mes. Pse ndodh kjo? Është me të vërtetë kaq e vështirë të gjejmë dikë që të hyjë përsosmërish në jetën tonë, dikush që të na shoqërojë në rrjedhën e viteve, nëpërmjet momenteve të vështira e atyre të lumtura? Është e vërtetë. Nuk është gjithmonë e lehtë, por është e mundur.
Ndonjëherë e lëmë veten të na rrëmbejë pasioni, pa mundur të vëzhgojmë në mënyrë objektive njeriun që kemi përballë: është njësoj si të kemi një tis para fytyrës, i cili na pengon që të analizojmë në mënyrë objektive aspekte e dimensione të tjera thelbësore, që do të na afronin më shumë me njeriun e përsosur. Ju pëlqen të dini se cili është sekreti për t’ia dalë mbanë? Lexoni më tej…
1.Kur duhet të zgjidhni, mbyllni sytë
Është normale që, në shumë situata, aspekti fizik i një njeriu të jetë një ndër elementët kryesorë që marrim në konsideratë. Është një kartëvizitë e shkëlqyer dhe ajo që fillimisht rizgjon vëmendjen tonë. Megjithatë, duhet të jemi të kujdesshëm: jeta e çdo dite dhe bashkëjetesa ka nevojë të bazoheni në të tjera themele thelbësore që na lejojnë të shijojmë çdo çast që kalojmë së bashku me partnerin. Mirëkuptimi, përkujdesja, dashuria, mirësjellja, ndjenja e humorit, aftësia për të dëgjuar, empatia janë shumë thelbësore. Mos shikoni vetëm pamjen e jashtme!
2.Njerëzit e matur dëgjojnë dhe mësojnë
Marrëdhënia me një njeri të pasigurt e bën shumë të vështirë harmoninë në çift. Në fakt, pasiguria shumë shpesh projektohet te partneri. Kush nuk vlerëson veten, kush nuk i ka të zhvilluara aftësitë në mënyrë që t’ia dalë mbanë vetë, që të ndihet i aftë, i sigurt dhe me vetëbesimin e duhur, nuk do të ketë besim as te partneri. Do të ketë frikë se mos ai e lë dhe do të bëhet më i pasigurt e xheloz. Janë aspekte që duhet t’i vlerësojmë. Kur marrim në konsideratë një partner që mund të na shoqërojë ditë pas dite, në rrjedhën e viteve që na mbeten për të jetuar, në momentet e trishta, ashtu si dhe të lumtura, është gjithmonë mirë të zgjedhim një njeri të sigurt, me kurajë dhe me një dozë të lartë vetëbesimi. Nëse veç të tjerash, është i lumtur të mësojë gjëra të reja ditë pas dite, çifti do të rritet e pasurohet edhe më shumë. Të mësuarit na lejon që të mbijetojmë dhe na hap dyer të reja. Njerëzit krijues jo vetëm na e bëjnë jetën më të lehtë, por edhe më stimuluese.
3.Duhet të jetë i aftë të shprehet, ndiejë, komunikojë dhe… të qeshë
Të gjithë e njohim rëndësinë e një ndjenje të mirë humori. Të dijë të qeshë e të relativizojë situatat, duke i konsideruar nga një tjetër këndvështrim, më pozitiv e me më shumë vullnet. Patjetër që jeta do të jetë e mbushur me momente të vështira, situata ku do të kemi nevojë të mbështetemi te partneri e ku aftësia reciproke e të komunikuarit dhe të dëgjuarit do të jetë vendimtare. Të keni ndihmën e mbështetjen e një njeriu me të cilin mund të hapeni natyrshëm është thelbësore për ekuilibrin dhe zhvillimin e marrëdhënies. Njerëzit që janë të aftë të ndiejnë dhe të shprehin ndjenjat, të thonë atë që i bën të ndihen keq apo atë që i bën të lumtur, janë patjetër femra e meshkuj me të cilët është gjithmonë shumë kënaqësi të shoqërohesh.
4.Zgjidhni personin që t’i ndajë pasionet me ju
Zgjidhni një person me një jetë të brendshme të pasur. Duhet të ushqejmë pasionet personale, të kemi interesa në jetë e diçka ku të besojmë; të kemi një botë të vogël vetëm tonën, ku të rrimë në hapësirën tonë, një kënd personal që duhet të respektohet në brendësi të çiftit dhe që duhet të na lejojë të rritemi në nivel personal. Kjo nuk do të thotë në asnjë mënyrë që s’mund të bashkëndajmë pasionet e interesat me partnerin. Përkundrazi, të jemi partnerë në jetë do të thotë para së gjithash të jemi miq, të jemi një skuadër, të argëtohemi e të rritemi së bashku, të kemi vlera të përbashkëta që forcojnë marrëdhënien. Natyrisht, gjithnjë në respekt të hapësirës personale.
5.Toleranca
Të gjejmë një shok për gjithë jetën, do të thotë para së gjithash, të gjejmë një person që na lejon të rritemi pranë tij, në harmoni e të lumtur. Dikush që na e bën jetën më të madhe e jo më të vogël. Ndaj toleranca është thelbësore: duhet të dijë të pranojë defektet, gabimet e fajet tona. Duhet të jetë një njeri me të cilin dialogu të jetë gjithmonë i mundur, pa i dhënë udhë frikës e mosbesimit. Toleranca duhet të jetë reciproke: duhet të jeni miq e të dashur, të ndiheni mjaftueshëm të guximshëm të ndërtoni një jetë së bashku e të ushqeni rrënjët e pemës që do të mbillni. Në këtë mënyrë, asnjë furtunë nuk do të jetë në gjendje ta rrëzojë lidhjen tuaj, as me kalimin e viteve.
Revista Psikologjia
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.