Marrëdhënie

March 17, 2018 | 13:33

Si t’i mbijetoni një krize në dashuri

“Asgjë nuk krijohet, asnjë nuk shkatërrohet, gjithçka transformohet. Edhe dashuria!” Albert Einstein

Si t’i mbijetoni ndjenjës së boshllëkut në një lidhje? Mund t’i mbijetoni ankthit dhe krizës në disa marrëdhënie, të cilat kanë rënë pre e monotonisë dhe forcës së zakonit? Monotonia dhe forca e zakonit janë dy faktorë të dëmshëm për çiftin që e jeton marrëdhënien sentimentale duke u përfshirë nga stresi i rutinës dhe duke u bërë viktima të ankthit dhe ndjenjës së boshësisë. Kjo ndodh sepse partnerët e jetojnë marrëdhënien e tyre duke i lejuar momentet e tensionit dhe të stresit t’i përfshijnë më shumë sesa ndjenja që duhet të jetë në bazë të një bashkëjetese të lumtur.

Sidomos kur marrëdhënia bëhet sipërfaqësore, duke humbur energjinë e saj fillestare, krijohet një ndjenjë frustrimi që i shtyn partnerët drejt mungesës së tolerancës apo drejt një ndarjeje përfundimtare. Dhe nëse disa ia dalin të heqin spinën e vendosin t’i japin një hov jetës së tyre në çift, disa të tjerë mbeten të ngjitur te partneri pa ndjerë më dashuri, duke shpresuar të rigjallërojnë ndjenjën fillestare, e cila i ka dhënë fillim historisë së dashurisë.

Ndonjëherë, kjo klimë zbrazëtie mund të gjenerohet nga mungesa e një interesi real mes çiftit, e cila në një kohë të gjatë shndërrohet në një kurth nga ku është e vështirë të dalin. Kjo mungesë dashurie mund të krijojë vuajtje të thellë, shpesh e ndjerë vetëm nga njëri prej partnerëve, duke krijuar një situatë ankthi kronik, të cilin disa njerëz mundohen ta shtypin me një ndjenjë frustrimi. Para së gjithash, fitoni besimin në vetvete, në mënyrë që t’i hapni zemrën partnerit. Hapni mendjen tuaj para të tjerëve dhe botës që ju rrethon.

Vetëm nëse situata sentimentale bëhet krejtësisht e pakënaqshme dhe e patolerueshme, atëherë mund ta drejtoni interesin tuaj tjetërkund. Jini të sinqertë me veten tuaj dhe me ata që ju rrinë pranë. Mendoni shumë para se të merrni vendime të nxituara. Nëse zgjidhni ndarjen nga partneri, duhet të gjeni kurajën për të folur me të dhe ta bëni pjesëmarrës në vendimin tuaj.

Dialogu në çift mund t’ju ndihmojë të gjeni zgjidhje të efektshme dhe ndoshta do t’ju shtyjë në rizbulimin e dashurisë së vjetër, duke gjetur mjetet dhe mënyrat për ta shpëtuar marrëdhënien. Dhe nëse është e vërtetë që çdo gjë është e mundur dhe çdo gjëje i gjendet zgjidhja, mos u dëshpëroni dhe mundohuni të mbijetoni. Duhet të kuptoni që këto kriza duhet të përballohen nga të gjitha çiftet herët a vonë. Edhe ata që janë së bashku prej 25 vitesh dhe që dashurohen, pa dyshim që do të kenë kaluar të paktën një herë një periudhë krize.

Nëse gjendeni në këtë situatë, është e rëndësishme të keni parasysh që çdo krizë gjeneron gjithmonë ndryshime në vizionin e vlerave dhe edhe të zakoneve në jetën e përditshme. Nuk është e thjeshtë të përballoni as një krizë personale, që përfshin një njeri, imagjinoni pastaj një krizë me dy persona! Duhet shumë përkushtim, durim, respekt, dashuri dhe ndihmë reciproke.

Veç kësaj, pas krizës mund të lindë një këndvështrim i ri dhe interesant në marrëdhënie. Pastaj, nga diskutimet lind dhe e vërteta, një mirëkuptim më i mirë. Gjithçka që do të mësoni nga periudha e krizës, do t’ju lejojë të njiheni dhe të kuptoheni më mirë. Dhe mund të përkujdeseni më shumë për partnerin. Çdo gjë ka një fillim dhe një fund, vlen edhe për krizën. Nëse e mbani në mend këtë të vërtetë të thjeshtë, do të përballeni me vështirësitë me më shumë lehtësi.

Kemi përzgjedhur disa këshilla që duhet t’i keni parasysh për të kaluar një periudhë krize me partnerin:

Mos u impononi, dialogoni, gjeni një pikë të përbashkët! Pushoni debatet. Në vend që të kuptoni se kush ka të drejtë, mundohuni të shpjegoni arsyet tuaja në mënyrë të logjikshme. Përqendrohuni më shumë mbi të tashmen, në vend që të nxirrni në debat mëritë e kaluara.

Kuptoni që është normale se nuk duhet të shkoni mirë me të gjithë: kjo gjë duhet të shihet si një “sfidë” pozitive dhe gjeni pikë të përbashkëta. Nuk duhet ta konsideroni këtë gjë si një konflikt.

Falënderoni partnerin dhe bëjeni të kuptojë se i vlerësoni përpjekjet e tij për të përmirësuar marrëdhënien. Gjestet e vogla, një puthje, një përqafim, një përkëdhelje, një buzëqeshje apo një moment i kushtuar vetëm atij mund të bëhen më të rëndësishme dhe më të fuqishme, me qëllimin e vetëm për ta kënaqur.

Nëse duhet të kritikoni diçka që nuk ju pëlqen, është gjithmonë mirë ta bëni me njëfarë sjelljeje, në vend që t’i kundërviheni partnerit. Nënvizoni që sjellja e tij nuk ju pëlqen, në vend që të kaloni në debate personale dhe t’i ngarkoni partnerit defektet apo ta kritikoni. Respekti është thelbësor për një bashkëjetesë të mirë.

Mundohuni të dëgjoni, shiheni partnerin në sy, mundohuni të kuptoni botën e tij, përvojat, shqetësimet dhe frikërat që ka.

Jepini besim partnerit dhe lërini kohë për veten. Mos e mbysni me mesazhe e telefonata, por respektoni hapësirën e tij. Dashuria e vërtetë lind nga liria.

Dhe, sidomos, kushtojini kohë vetëm vetes suaj, pa partnerin. Mos harroni kush jeni dhe se cila është arsyeja për të cilën çdo ditë partneri është dashuruar me ju. Dhuroni dashuri pa kushte dhe pranoni dashuri pa kushte.

Përgatiti: Manjola Ereqi / Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 120

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top