Këshilla & Arsye

March 2, 2020 | 8:33

Si t’i mësoni fëmijët të flenë në krevatin e vet

Gjume me mamin dhe babinTë gjithë fëmijëve u pëlqen të flenë në krevat me mamin dhe babin dhe shumë shpesh edhe prindërve u pëlqen që të vegjlit e tyre t’i përkëdhelin e përqafojnë gjatë gjithë natës. Por fatkeqësisht, fëmijët rriten e krevati nuk rritet bashkë me ta. Dhe vjen kështu momenti kur është mirë që fëmijët të mësojnë të flenë në shtratin e vet.

Gjëja më e mençur që duhet të bëni është ta mësoni të voglin, që në ditën e parë, që të flejë në shtratin e tij. Por jo të gjithë prindërit janë kaq të vendosur dhe kështu fëmija mësohet të flejë në krevatin e madh. Me të zënë rrënjë “vesi” i të fjeturit me mamin dhe babin, ja ku shpërthen një luftë që s’ka fund: prindërit janë të detyruar të flenë me radhë në divan apo në dhomën e fëmijëve, zgjohen vazhdimisht gati duke rënë nga shtrati, zgjohen me dhimbje të tmerrshme shpine, etj…

 

Disa këshilla për t’u mësuar fëmijëve të flenë në krevatin e vet

• Para së gjithash është mirë që të “armatoseni” me vendosmëri dhe shumë durim. Të mësoni të voglin të flejë vetëm do të jetë një punë e gjatë dhe do të keni nevojë për “durim derri” :-)

• Caktoni një rutinë në orarin kur duhet të shkojë në shtrat, për shembull: larja e dhëmbëve, veshja e pizhamave, një përrallë. Çdo mbrëmje është mirë që fëmija të shkojë në shtrat në të njëjtin orar dhe duke kryer të njëjtat veprime.

• Rregullojeni dhomën që fëmijës t’i pëlqejë. Nëse ai ka frikë nga errësira, vendosni një dritë nate, zgjidheni së bashku, ndoshta me ngjyrat e ylberit apo yje fosforeshentë që ndriçojnë. Zgjidhni gjëra që të kenë një dhomë të këndshme dhe që atij t’i pëlqejë e të ndihet rehat.

• Vërini pranë një lodër pellush ose lodrën e tij të preferuar. Mund të duket një gjë jo normale, por për fëmijën tuaj pellushi i tij i preferuar është padyshim i vërtetë dhe i gjallë, ndaj sigurojeni që pellushi do të jetë gjatë gjithë natës pranë tij dhe do ta ruajë.

• Qetësojeni të voglin, duke i thënë se në rast se ka nevojë, mjafton që t’ju thërrasë dhe në çast ju do i shkoni pranë.

• Do të ndodhë shumë shpesh që fëmija të ngrihet natën dhe t’ju futet në shtrat. Këtu fillon pjesa e vështirë: ngrihuni dhe çojeni në shtratin e tij, qoftë edhe njëqind herë në natë. Nuk do të jetë e thjeshtë, sepse do të jeni të lodhur dhe me shumë gjasa – në njëfarë momenti – do të jeni kaq të sfilitur dhe të dobët përballë syçkave të tij, sa do të dorëzoheni. MOS E BËNI! Sa herë që do të dorëzoheni, do t’ju duhet të filloni çdo gjë nga e para.

• Mos i bërtisni fëmijës! Nuk do të jetë aspak ndihmë për këtë “detyrë” kaq të vështirë. S’do të bëni gjë tjetër veçse do të frustroni veten dhe fëmijën tuaj.

• Një kompromis i mirë për fëmijët pak më të rritur është që t’ia siguroni një vend në krevatin tuaj vetëm një ditë në javë, për shembull: lejojeni fëmijën të vijë në krevatin tuaj vetëm të dielën në mëngjes.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top