Në fokus

September 16, 2016 | 8:13

Si t’ia dalim kur fëmija qan në kopsht?

Momenti pothuajse erdhi… Shtatori nënkupton fillimin e një aventure të re, emocionuese për të gjithë fëmijët që fillojnë kopshtin. Edhe pse zgjedhja e kopshtit është menduar mirë në shtëpi, prindërit shpesh e përjetojnë këtë shkëputje të parë nga fëmija me shqetësim. Ngashërime që shndërrohen në ulërima të dëshpëruara, fëmijë që kapen pas këmbëve të mamit dhe babit, të rritur që nuk e dinë se çfarë të bëjnë… Dhe fillimi i kopshtit për këdo që e ka kaluar dhe po e kalon këtë fazë nuk është i lehtë. Shumë psikologë dhe psikoterapeutë fëmijësh e kanë cekur këtë problem dhe sigurisht që na ofrojnë një sërë këshillash.

Në këtë fillimsezoni në shumë kopshte konsumohet një rit që prindërit me shumë dëshirë do të donin ta evitonin: dorëzimi i fëmijës tek edukatorja dhe largimi për në punë. Përse është kaq e vështirë? Përse fëmijët, të shkathët dhe të qeshur, pas disa ditësh (të tjerë madje që në fillim) shfaqin shenja të mospëlqimit të kopshtit? Si të përballemi me fëmijët që refuzojnë ambientin e ri, klasën, shokët dhe që qajnë me ngashërim sapo shohin derën e kopshtit? Shpesh prindërit i mundojnë pyetje të tilla si: Si duhet të sillem ditët e para? A do ta kuptojë që po e lë në një vend të bukur, por më pas do të kthehem ta marr? Po sikur të mos shoqërohet me shokët e kopshtit dhe të mos i pëlqejë ambienti? Të gjitha dyshimet dhe pyetjet e prindërve janë më se të drejta. Megjithatë, pothuajse gjithmonë fashiten spontanisht gjatë fazës së parë të hyrjes, sepse është vetë fëmija që e habit prindin me reagimet e tij pozitive. Kopshti, në fakt, nuk përfaqëson vetëm ndarjen nga mami, por është edhe një vend i ri, “interesant”, i gjithi për t’u zbuluar dhe eksploruar nga vogëlushi. Kemi përzgjedhur disa këshilla, të cilat shpresojmë shumë t’i vini në praktikë dhe t’ju shërbejnë…

1Përgatiteni fëmijën për kopshtin

Para se fëmija të hyjë në kopsht është shumë e rëndësishme t’i tregoni për ndryshimet që do të përjetojë. T’i bëni të ditur fëmijës që do të përballet me ndryshim në jetën e tij, vë në sintoni dy mendje, nënën dhe fëmijën. Veç kësaj, një muaj para se të shkojë në kopsht, çojeni fëmijën para ambientit dhe shpjegojini se ajo është shtëpiza ku duhet të shkojë pas pushimeve. E gjitha kjo përgatit të voglin për të përballuar këtë përvojë e më pas do t’i ndihmojë të dy, mamanë dhe fëmijën që të ambientohen sa më lehtë me ndryshimin.

 

1Fëmija qan dhe nuk do të hyjë në klasë

Ditët e para janë më problematiket. Fëmija, i mësuar të rrijë pranë prindërve, e kupton vajtjen në kopsht si braktisje. Nuk është e lehtë ta përtypin këtë ndryshim edhe vetë prindërit, sidomos në nivel emotiv. Megjithatë, është e domosdoshme të mos i transmetoni fëmijës ankthin dhe frikërat tuaja. Për ta evituar, do të ishte mirë të bëni një lloj vetëmonitorimi. Vogëlushi lexon ndjenjat në fytyrën e nënës dhe i regjistron ato. Ky është përfundimi i studimeve të fundit të neuroshkencës, ndaj jini sa më të qeshur te dera e kopshtit dhe shpjegojini fëmijës se do të shkojë në një vend të bukur, ku do të zërë shumë shokë e shoqe.

A janë reagime normale?

Nëse fëmija ka qëndruar gjithmonë në shtëpi me mamanë apo gjyshërit, në rast se nuk ka shkuar në çerdhe apo ka shkuar fare pak, hyrja në kopsht është shkëputja e tij e parë e rëndësishme nga familja. Të qarat mund të fillojnë menjëherë që ditën e parë apo ndoshta edhe pas disa ditësh, kur të shohë që mami apo babi nuk janë të pranishëm në klasë.

1Çfarë mund të bëjnë prindërit?

Mos e humbni asnjëherë qetësinë. Mos e harroni objektivin kryesor: mirëqenien e fëmijës. Tregohuni të qetë edhe para ulërimave. Është e vështirë, por duhet t’i përsërisni vetes se kopshti shërben për të mirën e fëmijës, është thelbësor për rritjen e tij, për ta ndihmuar të komunikojë me të tjerët dhe të socializohet.

Bashkëpunoni me edukatoret

Prindërit duhet të bashkëpunojnë sa më shumë me edukatoret, pasi një fëmijë që grindet nuk mund të qëndrojë vetëm. Mësueset janë ato që edukojnë, ndaj lejojini ta bëjnë punën në mënyrën e tyre. Duhet t’u lejoni edhe atyre të kuptojnë dhe ta njohin më mirë fëmijën dhe të mësojnë sekretet më të mira për të qetësuar atë. Në këtë fazë, mos u nxitoni. Nevojiten të paktën 15 ditë kohë për t’u ambientuar si edukatoret ashtu edhe fëmija.

1Mos u largoni kur fëmija është në krizë

Gjatë fazës kur fëmija qan, nuk duhet lënë asnjëherë vetëm. Mami apo babi duhet ta marrin fëmijën në krahë, ta përqafojnë, pasi kjo gjë shërben për t’i bllokuar këmbët e duart që lëvizin pa kontroll. Duhet t’i flisni me ëmbëlsi. Mund edhe të kërkoni miratimin e edukatoreve që të qëndroni edhe pak minuta më shumë në klasë.

1Fëmija fillon të qajë që në shtëpi

Prindërit duhet të jenë të vendosur dhe të mos e lëshojnë veten. Duke bërë kështu, duke e mbajtur në shtëpi qoftë edhe për një ditë të vetme, do t’i jepni udhë një mekanizmi të vështirë për t’u eliminuar, pasi do t’i mësoni fëmijës se keni rënë pre e qarjeve të tij. Duhet të tregoheni të vendosur. Në mëngjes, bashkë me fëmijën, mund të zgjidhni një lodër që ta marrë me vete. Është njësoj sikur fëmija të marrë një pjesë të shtëpisë në kopsht. Lodra bëhet objekti i tranzicionit, miku që e shoqëron në një vend të cilin nuk e njeh.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top