Jetojmë në epokën e gjërave të bëra nxitimthi, kur aftësia e njeriut për përpjekje në jetë duket sikur po humbet vlerën e dikurshme. Ndikimi i medias është i rëndësishëm te njerëzit. Sot televizionet janë të mbushura me formate televizive që bëjnë të mundur fitimin e milionave, të qenit i pari, të bëhesh i njohur e më pas të ndihesh i pasur nga paratë e marra si fitues. Një realitet i tillë nxit te njerëzit, e mbi të gjitha te fëmijët, besimin se fitorja është një çështje fati, bukurie, joshjeje dhe jo si rezultat i punës, durimit apo i këmbënguljes.
Në jetë nuk është e lehtë të fitosh miliona, të jesh fitimtar dhe i suksesshëm. Arritjet e mëdha në jetë kërkojnë guxim dhe këmbëngulje. Dhe, për të bindur fëmijët për këtë gjë duhet së pari të jemi të bindur me veten dhe të kemi mësuar disa rregulla bazë.
“Të bësh përpjekje”, ka qenë gjithmonë një ideal i të rriturve. Thelbi i jetës psikike të një fëmije përqendrohet në parimin e kënaqësisë, e cila fitohet menjëherë (e dua tani dhe këtu!). Dëshira për përpjekje nuk është natyrale. Është rezultat i të mësuarit dhe i vetëdijes që kultivohet me pjekuri e kohë.
Për çfarë shërben përpjekja?
Të bësh përpjekje konsiston në kapërcimin e rezistencës së brendshme apo të jashtme, për të zgjidhur një vështirësi dhe për të arritur një qëllim. Pasi kalohet kjo pengesë, fëmija apo i rrituri ndihet krenar. “Nuk ishte dhe aq e lehtë, por isha unë që ia dola!” Në këtë kalim fëmija formon pavarësi dhe besim në vetvete. Për më tepër, përpjekja zhvillon një qëndrim të ndryshëm me kohën. Në fillim, fëmija i koncepton gjërat të lidhura vetëm me të tashmen. Dhe detyrimi që i bëhet një fëmije për të vepruar e që të arrijë diçka për më vonë, është e vështirë të pranohet prej tij. Është si të dalësh nga ndjesia imediate për të arrirë qëllimin për të ardhmen. Nocioni i së ardhmes është abstrakt për botëkuptimin e një fëmije. Motivimi nënkupton faktin që ne duhet të jemi të aftë të imagjinojmë rezultatin, e për rrjedhojë kënaqësinë që do të provojmë më vonë. Me kohën, njerëzit kuptojnë se e ardhmja ekziston dhe që çdokush mund të dijë t’i japë drejtimin asaj.
Përse prindërit kanë vështirësi?
Prindërit janë të vetëdijshëm se bota e jashtme nuk është gjithmonë e lehtë. Në këtë mënyrë ata krijojnë një fshikëz mbrojtëse, ku mbajnë lidhjet e tyre emocionale. Është e qartë se fëmijët kanë nevojë të ndihen të mbrojtur, por roli prindëror duhet të jetë aktiv për të zbuluar principin e realitetit: “Frutat e pemës nuk duhen lënë të bien nga pema, por duhet vepruar për t’i pritur ato”. Nëse prindi i bën detyrat fëmijës për të shmangur një notë të keqe, e pengon atë të zbulojë pasojat e veprimeve të veta, përgjigjet e marra nga bota reale. Por njëkohësisht, mësimi i prindërve për përpjekje tek fëmijët kërkon së pari shumë përpjekje dhe durim prej tyre. Nuk është e lehtë të jesh në gatishmëri të plotë për t’u marrë me fëmijët pas një dite të lodhshme pune, pasi je marrë me detyrimet dhe punët familjare. Ne duhet të shpjegojmë, të kërkojmë, të tregojmë, të inkurajojmë, të përgëzojmë, të qortojmë… Me fjalë të tjera: për fëmijë të vullnetshëm e me dëshirë për përpjekje duhet kohë, dashuri dhe shumë energji!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.