Marrëdhënie

August 16, 2016 | 8:27

Silva & Arian Leka: Letërsia, kumbare e dashurisë

Çelësi i jetëgjatësisë në çift, afërmendsh duhet të jetë i veçantë, që nuk hap e mbyll dyer të tjera, veçse atë të derës së vet. Për Silvana dhe Arian Lekën, unikja qëndron pikërisht në ndodhinë e tyre. Dalëngadalë po bëjnë 25 vjet bashkë. Nga këto, 19 vjet si të martuar. Janë shumë? Por, kur u njohën, rrëfen Ariani, ishin mjaft të rinj, Silva 17, ndërsa ai 23 vjeç. Ajo ende gjimnaziste, ndërsa Ariani në përfundim të fakultetit. Kumbar i njohjes e më pas i lidhjes u bë letërsia, shkrimet, shija e përbashkët. “Si nënlloj i dashurisë, ajo ka luajtur për ne rolin e një airbag-u ndaj përplasjes me izolimin, utilitarizmit ekstrem që përjeton shoqëria jonë, duke na kthyer në vëmendje disa vlera ende të pranishme, por të lëna pas dore”, – tregon Ariani. Por veç pëlqimeve të para, ku siç dihet “e jashtmja” është ajo që të godet në fillim, lidhja u pasurua me mënyra sjelljeje, mendime, zbulimin e pëlqimeve dhe mospëlqimeve, pikat ku takoheshin dhe ku secili duhej lënë “në punë të vet”, i lirë në paqen e tij. E gjitha kjo për të mos e kthyer dashurinë dhe lidhjen në detyrë, në një detyrim, në një liri me kusht, siç e pohon vetë çifti. “Ka qenë e nevojshme që heraherës t’i përgjigjesh me sinqeritet edhe pyetjes: Mirë dashuria, familja, martesa, fëmijët, prokopia, po për veten tënde a munde të bësh diçka? Por këto ndodhën më vonë. Tani jemi ende tek ai çast i jetës kur më shumë beson sesa kupton, kur mendon më shumë për lulet, jo për rrënjët e lidhjes. Pikërisht për shkak të kësaj gjendjeje të rrallë bëhet e nevojshme prania e Fatit, siç e quajnë disa, dhe Zotit, siç unë besoj se e kemi pasur me vete si udhëheqës, mësues dhe qortues. Vonë kam mundur të kuptoj se te njeriu që do më fort është njëkohësisht dhe hija e kundërshtarit tënd më të përkushtuar. Por sot njoh diçka më shumë mbi rëndësinë që ka mbrojtja e thelbit, ruajtja e asaj që është natyrale te tjetri që të rri përkrah, që të sheh si rritesh, si përsosesh, gabon, kupton”. Dy njerëz që, veç dallimeve, për fat kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë edhe shumë të përbashkëta. Të dy kanë studiuar muzikë, Ariani flaut, ndërsa Silva violinë. Lindur e rritur në një qytet bregdetar, si pjesë e së njëjtës kulturë komunikimi. Baballarët, nga të dyja palët, ishin mjaft të lidhur me detin, e kishin profesion tregon Silva. “E çuditshmja ishte se të tjerët vinin re tek ne edhe njëfarë ngjashmërie në tipare, sidomos sytë. Madje një herë, vite më pas, kur u dhamë djemve tanë një foto të hershme timen në gjimnaz, dhe i pyetëm: ‘E gjeni dot se kush është në këtë foto?’, që të dy u përgjigjën: ‘Babi i vogël’. Qeshim edhe sot me këtë histori, por dhe me të tjera të kësaj natyre. Megjithatë, ngjashmëria shpirtërore ka qenë më e dukshme se ngjashmëritë e tjera. Kujtoj që ka një kapitull, me titull ‘Mbi martesën’ te ‘Profeti’ i Khalil Gibran. Aty shkruhet: Le të mbushim kupat e njëri-tjetrit, por jo të pimë nga e njëjta gotë. Të bëhemi si telat e instrumentit, që edhe pse janë të veçuar, luajnë të njëjtën muzikë. Nuk është keq që ndonjëherë të vihemi përballë si ‘të panjohur, të largët’, që kanë ende dëshirë dhe kureshtje ta njohin më mirë veten dhe tjetrin. Mund të quhet respekt kjo gjë, apo ka emër tjetër? Më mirë një det sesa një kënetë, them, ngaqë besoj se ç’lind për të qenë bashkë, bashkë do të jetë”.

T’ia dalësh në martesë!

Çdo lidhje, çdo martesë, përveçse bashkëjetesë, është edhe mbijetesë. E rëndësishme është t’ia dalësh. Të numërosh atë që ke, atë që zotëron, sado larg përsosmërisë që nuk na përket ne. Ndaj më shumë sesa një sakrificë (që për mendësinë tonë ndonjëherë e kërkon, madje me ngulm të sakrifikuarin ose të sakrifikuarën “e shenjtë”, flijimin, kurbanin), për Arianin do të quhej durim, kënaqësi e të kuptuarit të pse-ve të tjetrit, kujtesë dhe harresë. “Të jesh pranë tjetrit për t’i dhënë frymë, jo për t’i zënë frymën atij dhe vetes. Herë duke ia dalë e herë jo, por gjithmonë duke mos hequr dorë, duke u përpjekur. E kush na e paska mbushur kaq fort mendjen se në jetë secili prej nesh do të ketë si porcion të sigurt vetëm suksesin dhe ditët e lumtura: filmat romancë, emisionet e sheqerosura televizive, apo faqet rozë të revistave? Përveç jetesës bashkë, na është dashur të ndajmë për një kohë të gjatë edhe punën, materien dhe vendin e punës, tryezën. Me Silvën kemi punuar bashkë me vite. Dhe vazhdojmë të punojmë bashkë për ‘Poetekën’. Por sakrificë domethënë edhe dorëheqje nga disa dëshira, për diçka që çmon më shumë se hobitë e dëshirat, si për shembull fëmijët, dashuria, familja, pasioni i jetës apo profesioni, të cilëve u blaton veten pa gjeste heroizmi dhe poze. Është një lloj paqeje prej budizmi, mungesa e detyrimit, një zë si prej Sidharte, kur e dëgjon”.

Datat e veçanta…

Ata bëjnë pjesë tek ajo lidhje që përpiqen dhe kanë dëshirë të festojnë, jo vetëm përvjetorët apo çdo datë që ka lidhje me ta, por edhe një ditë me diell sikur. “Kjo ndodh sa herë që ne e ndiejmë dhe mundemi”, – thotë Silva. “Për fat, të dy kemi dëshirë të gëzojmë e këtë ua kemi transmetuar edhe dy djemve tanë”. Kremtimet preferojnë t’i kujtojnë në vende të ndryshme, në Shqipëri, por edhe jashtë saj. “Me apo pa pëlqimin tonë, siç duket i përkasim një qytetërimi jo komercial dhe jo konvencional, që nuk pret të shfaqet, të gëzojë dhe të dhurojë sa herë që afron 14 shkurti. Dhuratat… të gjitha më pëlqejnë, qoftë edhe një udhëtim i improvizuar aty për aty, një përqafim modest, një e mbyllur në ‘kullë’, në shtëpi apo një dhuratë si objekt, nga ato që mund t’i kem vërtet për zemër. Mjaft që me këto ‘befasi’ t’i fal gëzim dikujt, të bëj të gëzojë e të qeshë dikush që është shumë e dashur dhe e përveçme për mua ose të marr të njëjtin emocion pozitiv”.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.81

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top