Teksa ngjitet shkallëve të auditorit, pamja e saj nuk të përngjet aspak me atë të një pedagogu hijerëndë që mezi pret të hyjë në orën e mësimit. Përkundrazi, këpucët sportive, një palë pantallona të ngjitura pas trupit e një bluzë pambuku veshur sipas ngjyrave të stinës, e bëjnë atë të padallueshme nga studentët e saj. Madje, veshja që ajo zgjedh në përditshmërinë e saj është po kaq ndryshe në krahasim me kolegët. Për një moment harron se ke përballë një pedagoge me eksperiencë prej 11 vitesh dhe për më tepër që autoriteti akademik e dallon atë nga studentet e ekonomikut. Por vetëm kaq ama, se po t’i referohesh pamjes së jashtme ajo ndihet me fat, po aq sfiduese sa studentet e saj. Silvana Martini, pedagoge e informatikës pranë Universitetit të Tiranës, me tipin e saj trendy parapëlqen të sfidojë vitet e moshës dhe pse jo të ndihet po aq e re, si para dhjetë vitesh. “Veshja ime i përshtatet deri diku veshjes që i përket moshës më të re se unë. E bëj sepse ndihem mirë, më përshtatet dhe më jep mundësinë të dukem bukur”. Për pamjen që ka sot, Silvana rrëfen se i është dashur të ndryshojë atëherë kur refreni i çdo dite ishte i njëjtë. Të qenit nënë e dy fëmijëve të vegjël e kushtëzonte. Impenjimi për ta deri diku ishte vetësakrifikues. E kishte lënë mënjanë orën e kujdesit vetjak, pasi fëmijët ishin ata që i kishin zënë vendin. Pavarësisht jetës apo tipit, ajo e ruajti stilin sportiv që nga bankat e gjimnazit deri kur fitoi statusin e të qenit prind i dy fëmijëve. E megjithatë, një periudhë reflektimi e bëri të shkundet, dhe ideja e të “ekzistuarit” e zgjoi për t’iu rikthyer kujdesit personal, ashtu siç bënte dikur. Kështu çdo gjë nisi nga regjimi fizik e më pas me ndryshimin e gardërobës, përshtatur stilit rinor. “Nevojën më të madhe e kam ndjerë pikërisht kur kapërceva të tridhjetat, periudhë kur u bëra me fëmijën e dytë. Mbas lindjes së vajzës shtova në peshë. Vitin e parë i dedikohesh fëmijës dhe sikur e lë veten mënjanë. Pas kësaj periudhe diçka erdhi brenda meje. Thashë se çfarë po bëj. Kjo më dha goditjen që unë vërtet duhej të filloja të merresha seriozisht me veten time. Të kërkoja të ndihesha më e re. I njëjti panik më zuri dhe kur kapërceva vitet 39 në 40. E përjetova. Më tmerroi ideja e ikjes së moshës, por shoh që po i përshtatem mirë me kujdesin që tregoj”. Modeli që ajo ka përshtatur me nevojën për t’u shfaqur si një adoleshente duket se i ka transmetuar tjetër emocion gjendjes së saj, të cilën duket se e “ka veshur nën lëkurë”. Këtë e tregon edhe në pamjen e jashtme, aq sa ky stil e bën një konkurrente mes brezit që ajo edukon. “Tendenca për t’u dukur dhjetë vjet më e re më pëlqen. Stili zë një vend të rëndësishëm. Besoj se deri në pleqëri do të ndjek këtë ritëm. Më pëlqen kur shoh mosha mbi 50 apo 60 vjeç që vishen me xhinse, bluza sportive apo atlete”. Sigurisht që kërkesa për vëmendje dhe pjesa për t’u dukur më e re janë një motiv më shumë për të treguar kujdes ndaj imazhit dhe për t’u prezantuar ndryshe. Kjo për Silvanën praktikohet përmes një terapie zinxhir, që janë regjimi ushqimor, aktiviteti fizik nga kodrat e liqenit dhe blerjet në dyqanet fashion e për të rinj bashkë me fëmijët e saj. “Përpiqem t’i kushtoj vëmendje mirëmbajtjes, duke nisur që nga kozmetikat e deri tek vrapi që praktikoj nga Liqeni Artificial. Sigurisht, një mendim të vyer marr edhe nga fëmijët e mi, të cilët reagojnë për stilin tim. Shokët e djalit kur ndeshem mëngjeseve gjatë vrapit, reagojnë tek im bir duke më vlerësuar për pamjen që tregoj. Vërtet ne deri diku na pëlqen të dukemi si të rinj në veshje, por të mos harrojmë se mund të fyejmë edhe fëmijët, mos ndihen keq në ambient me shoqërinë e tyre”.
Psikologji Dhjetor 2010
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.